Në ditëlindjen e tij të 48-të, Gianluigi Buffon e ka kthyer vëmendjen te sfidat vendimtare që presin Italinë në rrugën drejt Kupës së Botës 2026. “Të kaltrit” do të luajnë më 26 mars ndaj Irlandës së Veriut, në një ndeshje të vetme eliminatore, ndërsa në rast fitoreje do të përballen në finale me fituesin e çiftit Uells - Bosnjë Hercegovinë.

Në një intervistë për Rai Radio1, gjatë emisionit “Un Giorno da Pecora”, Buffon foli për gjendjen e tij mentale përpara këtyre takimeve vendimtare. Ish-kapiteni i Italisë theksoi se presioni është i pashmangshëm, por jo shqetësues.

“Nervoz për play-off-et e Kupës së Botës? Jo nervoz, por sigurisht që po mendoj për to. Është puna jonë, objektivi ynë dhe fitoret duhet të përgatiten”, u shpreh Buffon, duke nënvizuar rëndësinë e përgatitjes dhe përqendrimit maksimal për të arritur kualifikimin e shumëpritur nga tifozët italianë.

Italia synon të mos humbasë një tjetër Botëror (nuk ka marrë pjesë në dy të fundit), ndërsa ndeshjet e marsit pritet të jenë vendimtare për fatin e skuadrës së drejtuar nga Gennaro Gattuso.