Në dokumentacionin shoqërues të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut me bazë në Strasburg lidhur me çështjen e paraqitur nga Altin Arapi, vihen në dukje edhe një seri deklaratash, të bëra nga politikanë shqiptarë në vitet 2006, që, sipas Altin Arapit, kishin shkelur të drejtën e tij themelore të prezumimit të pafajësisë deri sa një gjykatë të vendosë të kundërtën.

Të bie në sy fakti që ata janë kryesisht politikanë të krahut të djathtë, atëhere në pushtet, dhe deklaratat e tyre kanë të bëjnë kryesisht, jo me Altin Arapin, se sa me synimin për të “siluruar” ish-kryeprokurorin e përgjithshëm Theodhori Sollaku, të cilësuar nga PS si të papërshtatshëm.


Ndër të tjera, aty përfshihet edhe një deklaratë publike, e bërë nga Bujar Nishani, president aktual i Republikës së Shqipërisë, që në vitin 2006, para se të merrte poste ministrore, ishte deputet i PD. Më 16 prill 2006 zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Bujar Nishani deklaroi sa më poshtë në media, theksohet në relacionin e Strasburgut: “Para se të bëjë një bilanc suksesesh, Prokurori i Përgjithshëm t’u shpjegojë shqiptarëve lidhjet e tij me organizatën terroriste ‘Hakmarrje për Drejtësi’ dhe arsyet pse dosja e Altin Arapit nuk u trajtua sipas procedurave zyrtare”.

Ndërkohë, citohet edhe një artikull, i botuar në gazetën “Panorama” më 24 korrik 2006, sipas të cilit kryeministri shqiptar i atëhershëm Sali Berisha, duke folur para deputetëve, para se të votohej për shkarkimin e e kryeprokurorit, kishte deklaruar mes të tjerash: “Ata që ju dhanë votën nuk kanë asgjë të përbashkët me vrasjen e shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm nga Altin Arapi në mes të bulevardit”.

Akuzat ndaj Theodhori Sollakut përfunduan me shkarkimin e tij nga Kuvendi i Shqipërisë.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)