Eshtë e drejtë e çdo gruaje në botën e lirë dhe demokratike të kujdeset për pamjen e saj të jashtme, ashtu siç është e drejtë e secilës ta nënvleftësojë si të parëndësishme estetikën. Por në Shqipëri gjërat po rrokullisen disi ndryshe dhe sulmet dhe cilësimet fizike po bëhen një ves i shëmtuar që po përhapet me shpejtësi për të sulmuar këdo që mendon të kundërtën ose këdo me të cilin/cilën krijohet një konflikt në fusha dhe për arsye nga më të ndryshmet. Politikania Monika Kryemadhi është vendosur në qendër të një sulmi e vënie në lojë të papranueshme pas akuzave të bërjes së ndërhyrjeve kirurgjikale estetike, ndërsa ajo iu përgjigj si më mirë mendoi: “Më akuzojnë për bukurinë që më ka falur nëna”, duke mohuar të ketë bërë ndërhyrje. E gjitha kjo është punë për të, e për asnjë prej nesh. Të tjera gjëra në punën si politikanë të çiftit Kryemadhi na takojnë.
Vesi i cilësimeve të papërshtatshme fizike është në radhë të parë problemi ynë, i gazetarëve, që vëzhgimet dhe cilësimet e pamjes që zakonisht bëheshin (gabimisht edhe më parë) ndaj artistëve dhe personazheve të showbizit, sot gjenden rëndom si shigjetime mes kundështarëve të botës së politikës. Me futjen në lojë dhe të lulëzimit të portaleve, papritur, në rrjete sociale shfaqen para syve shkrime të një racizmi, diskriminimi të kurrëndodhur më parë, sidomos për gra në politikë dhe në media. Eshtë tamam sikur thashethemet, ligësitë, etiketimet, nofkat që mes bisedave të më të apasionuarve dhe të zellshmëve të kafeneve, të shkruhen e zezë mbi të bardhë e të shpërndahen si traktate vërtetësie, Dhe për këtë gjëndje të rënduar kanë dhënë dhe japin kontributin të gjithë në shoqërinë tonë nga politikanë, gazetarë e shumë protagonistë që kanë zë dhe shprehin një mendim: sot kushdo akuzon me çfarëdo i vjen në mendje, ndërkohë që askush nuk duron një kritikë jo personale.
Bukuria e Monikës dhe e asnjë gruaje në botë nuk duhet përmendur si argument për të sulmuar dhe kush e bën, hap me siguri përpara vetes bataqe që herët a vonë mund të bjerë.
Thënë kjo, një tjetër gjë është plotësisht e vërtetë: bashkëshorti i Monika Kryemadhit, sot President i Republikës, nuk është kursyer të përdorë bashkëpunëtorë, vartës, politikanë për të sulmuar qëllimisht me të pavërteta, shpifje të qëllimshme dhe lajme të fabrikuara gazetarët që e kanë kritikuar për punën e tij si President, për shkelje flagrante të dhënies së nënshtetësive, përhapje fake news në dëm të Shqipërisë, inflacionimin e dhënies së dekoratave kompetencë e Presidencës dhe ndërhyrjen e njëanësinë në politikën e përditshme duke harruar pozicionin mbi palët e shumë e shumë kritika të tjera në rrugëtimin e tij si politikan.
Nuk duhet prekur Monika për pajmen e saj estetike, por çifti Meta-Kryemadhi për pakorrektësitë e tyre si politikanë në dëm të interesave të popullit shqiptar. Marrja me pamjen e jashtme të kujtdo, të një gruaje mbi të gjitha, zhvleftëson kritikat e vërteta që ata si politikanë meritojnë.