BASHA: PROJEKTI DO RIVITALIZOJE 1/5 E TIRANES
Kryetari i bashkisë Lulzim Basha e vlerësoi projektin si të rëndësishëm që do të ndërtojë një pol të ri ekonomik, mbi të gjitha do ta vendosë kryeqytetin në trajektoren e denjë të sfidave të shekullit 21.
“Projekti do të rivitalizojë tërësisht 1/5 e Tiranës. Do të ndërtojë një pol të ri ekonomik do përmirësojë trafikun dhe do hapë aksese në hapësira të gjelbërta, parqe argëtuese”- tha Basha. Ai vlerësoi studiot që kanë prezantuar projektet , të cilat i vlerësoi si më të mirat në botë dhe “gjurmët e këtyre studiove janë në qytete të tëra nëpër botë”
I pranishëm në Akademinë e Arteve, ishte edhe kryeministri Berisha dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Në fjalën e tij Berisha tha se projekti do ta kthejë Tiranën e këtij shekulli në fuksion të qytetarit, një metrol të ri europian
BERISHA: RAMA PA VIZION, PIKTOR I DESHTUAR
“Kemi të bëjmë me një fillim të ri historik”- tha Berisha. “Këto që trashëgojmë ne sot me të cilat edhe mburremi, i përkasin kohrave të themelimit të Tiranës, arkitektëve më të mirë të asaj kohe. Më vonë ramë në një fatkeqësi me të cilën do të ishte e vështirë të dalloje atë që ndodhte në sheshet e saj ”- tha Berisha
Kryeministri nuk harroi të sulmonte kundërshtarin e tij politik, i cili në zgjedhjet lokale të 8 majit humbi postin e kryetarit te bashkisë së Tiranës. Ai e cilësoi një paraardhës, pa vizion, i kryebashkiakut aktual, Lulzim Basha dhe një piktor i dështuar. “Tirana ka humbur disa vite, dhe kjo jo për qytetarët e saj, por për mungesën e vizionit të paraardhësit tuaj. Zoti kryetar. …Paraardhësi yt ishte një piktor. Dhe duhet të them i dështuar jo për faktin se nuk i shiteshin veprat në treg, po se nuk kuptonte se njerëzit jo vetëm kanë nevojë të shohin, por dhe të ecin. Kanë nevojnë të kalojnë. Dhe kjo është urbanistika” – deklaroi Berisha duke shtuar se bashkia e Tiranës ka mbështetjen e fuqishme të qeverisë në projektet ambicioze në ndërtimin e Tiranës së këtij shekulli.
REHABILITIMI I LANËS
Këto studio do të sjellin dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth.Shtatë studiot arkitekturore do të paraqesin dhe propozime për zhvillimin e zonës, nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, përfshirë edhe zgjatimin e Bulevardit si dhe për zhvillimin e Kodrave të Paskuqanit.Projekti më i mirë do të përzgjidhet nga një juri me personalitete të njohura.
JURIA, BASHA NË KRYE
Kryetar i Jurisë është Kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa në përbërje të jurisë do të jetë: Giles Robin Dolphin ish-Kryeurbanist në Londër dhe Autoritetin e Lartë; Filip Rode drejtor ekzekutiv i Shkollës Ekonomike në Londër për Qytetet dhe i Shoqërisë së Kërkimeve të Larta; Daniel Libeskind, Krye Arkitekti i Studios “Daniel Libeskind” në SHBA; Prof. Dr. Sarah Ëhiting, dekane e Shkollës së Arkitekturës në Universitetin Rice SHBA; Prof. Dr. Agron Lufi, Pedagog në fakultetin e Arkitekturës, në Universitetin e Tiranës; Apollon Bace, Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës; Flamur Kuçi, Këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe urbanist i njohur; Ulrike Bega, Këshilltare e Kryetarit të Bashkisë, Shqipëri.
(aq/sg/shqiptarja.com)