SOFJE, 15 janar /ATSH-AFP/ - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry akuzoi sot Rusinë për insistimin e vazhdueshëm për të imponuar vullnetin e saj si në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik, gjatë një vizite në Sofje.
Duke përmendur rrëzimin e regjimeve komuniste në Evropë dhe në mënyrë të veçantë në Bullgari, çerek shekulli më parë, shefi i diplomacisë amerikane shtoi se "dukshëm, beteja u fitua".
Megjithatë shtoi ai, ne jemi sot në vitin 2015 dhe Rusia vazhdon të kërkojë të imponojë vullnetin e saj tek njerëzit, të limitojë mundësitë e tyre të zgjedhjes, të ndërhyjë në politikën e brendshme të një vendi të tretë për ta kontrolluar.
"Ne vazhdojmë të jemi në një kohë provash, në një kohë sfidash", nënvizoi Kerry, i cili u shpreh para anëtarëve të personelit të ambasadës amerikanë në Sofje me pjesëmarrjen e shtypit të akredituar.
Sekretari amerikan i Shtetit, i cili zhvilloi një mini turne në Evropë, vijoi etapën në Bullgari, vendi më i varfër i Bashkimit Evropian dhe varur 85 për qind nga gazi rus, për t'i garantuar këtij shteti të NATO-s mbështetjen e Uashingtonit./
/ec/