Dy persona nga Bulqiza janë arrestuar nga policia pasi të maskuar dhe të armatosur, kanë grabitur tre kinezë që punojnë në minierën e kromit. Gjatë orës 19:00  të ditës së djeshme tre shtetasit kinezë kanë zbritur në qendër të qytetit për të blerë mallra konsumi. 

Në momentin kur ata janë kthyer për në minierë, janë përballur me dy persona të armatosur dhe të maskuar. Dy grabitësit Selim Rushiti, 23 vjeç dhe Edison Daka 21 vjeç u kanë kërkuar të dorëzojnë menjëherë gjithçka kishin me vete, të holla dhe sendet që kishin blerë në dyqan.

Madje, mes palëve ka nisur dhe përleshja fizike. Grabitësi që mbanin me vete një armë tip kallashnikov u ka marrë rreth 100 mijë lekë të vjetra. 

Pas denoncimit në polici, shumë shpejt është bërë operacioni për kapjen e dy grabitësve. Gjatë arrestimit, dy shtetasve u është gjetur dhe arma automatik me të cilën dyshohet të jetë bërë dhe grabitja. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)