Bulqizë, kinezët nisin punën në
minierë, Gjiknuri: Fitova bastin

BULQIZE - Nisën sot punimet për thellësimin e pusit numër 9, në Minierën e Kromit në Bulqizë, një investim i kompanisë koncesionare “AlbChrome”, pjesë e Grupit Balfin dhe me një vlerë prej 20 milion dollarësh. Të pranishëm në ceremonië hapëse të punimeve ishin Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri dhe Ministri i Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj.

Gjiknuri në fjalën e tij tha se ai vetë kishte vënë një bast se nuk do të shkonte në Bulqizë pa filluar punimet në minierën e kromit, ndërsa shtoi se ky projekt do të sjellë edhe rritje të punësimit, që siç theksoi ai është edhe motoja e qeverisë.

Nga ana tjetër ministri Veliaj tha se qeveria mbajti premtimin për të ulur moshën e e pensionit të minatorëve si dhe për hapjen e një kursi profesional të trajnimit të minatorëve të rinj në këtë qytet.

Pusi nr.9 ka një gjatësi prej 600 m, duke filluar nga niveli +420 m e përfunduar në nivelin -180 m. Hapja dhe montimi i makinerive e pajisjeve të pusit është marrë përsipër nga kompania Wenzhou Mining Co Ltd, kompani e cila do të angazhojë një personel prej 70 punonjësish për këtë qellim. Angazhimi i kompanisë është që punimet për hapjen e pusit të përfundojnë për një periudhe 20 muaj e gjysmë. 

Gjiknuri fiton bastin:Rrisim ekonominë dhe biznesin
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se kishte vënë një bast se nuk do të shkelte në Bulqizë pa nisur punimet në minierën e kromit dhe se tashmë kjo gjë siç theksoi ai është realitet.

“Unë në fakt, nga bisedat që kam patur edhe me investitorët e kompanisë, dua të them disa gjëra. Kisha vënë bast se nuk do të doja të shkelja në Bulqizë, për shkak të imazhit jo të mirë që kishte krijuar, për shkak të mungesës së kontrollit nga shteti dhe zhvillimit kaotik, e mbi të gjitha për faktin se doja që një koncesionar të zbatonte atë që kishte marrë përsipër. Fatkeqësisht, më parë të tjerët dështuan, ndërsa unë thashë se do të vij në Bulqizë kur të vij të shoh se si punohet për pusin nr.9. Realisht, tanimë kjo gjë po ndodh dhe është e vërtetë.”
 
Gjiknuri tha se ky projekt, jo vetëm sjell investimet e nevojshme por edhe krijon punësim, që siç theksoi ministri është motoja e qeverisë.

“Jo më kot, dhe zoti Veliaj është këtu me mua, pasi hapja e industrisësë kromit jo vetëm sjell investimet e nevojshme, mbi 20 milionë dollarë që përfshijnë dhe traverbangun e Klosit apo ringjalljen e fabrikave që lidhen me këtë zinxhir prodhimi, por mbi të gjitha krijon punësim. Punësimi ka qenë një moto e kësaj qeverie, punësimi është në vëmendjen tonë dhe pa investim nuk mund të ketë punësim.” tha Gjiknuri
 
Ministri theksoi ndër të tjera se fillimi i punimeve në minierën e kromit në Bulqizë vjen një ditë pas statusit të vendit kandidat, duke shtuar se kjo përkon me nismën në një sektor të rëndësishëm, siç është industria minerare
 
“Kjo përkon edhe me një datë të shënuar. Nuk dua të bëj kështu lidhje artificiale historike, me faktin se dje Shqipëria mori statusin kandidat, por kam besimin se në Evropë hyhet me dinjitet dhe me vlera ekonomike. Kjo është një nga kontributet shumë të çmuara dhe përkon me këtë ditë që Shqipëria i nis vetes edhe një shtesë në një sektor shumë të rëndësishëm si industria minerare. Janë për tu vlerësuar standardet që keni zgjedhur dhe kompania nga Kina që e keni kontraktuar për të bërë të mundur këtë investim. Nuk është rastësi që ka edhe kompani të tjera nga Kina që me shumë interes po vijnë në Shqipëri në industrinë minerare siç është ajo e kompanisë më të madhe kineze që mori mbi 50% të aksioneve të bakrit shqiptar.” tha ministri Gjiknuri

Veliaj: Mbajtëm premtimin për moshën e pensionit të minatorëve dhe hapjen e një kursi profesional
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, deklaroi sot nga Bulqiza se ulja e moshës së daljes në pension për minatorët nga 1 janari 2015 dhe hapja e një kursi profesional për minatorët e rinj në këtë qytet, tashmë janë realitet.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve për zhvillimin e thellësisë, hapjen e Pusit numër 9 në minierën e kromit në Bulqizë, e organizuar nga kompania ‘AlbChrome’, pjesë e Grupit Balfin, Veliaj tha se qeveria e mëparshme nuk denjonte as t’i dëgjonte problemet e minatorëve.

“Ekziston pra, një formulë ku nuk fiton vetëm biznesi, shteti apo vetëm punëtorët, por ka mundësi të fitojnë të tre: Edhe biznesi të bëjë një punë të pastër e të jetë i suksesshëm; edhe punëtorët të paguhen me rroga dinjitoze, por edhe shteti të marrë atë që i takon”, deklaroi ministri Veliaj në fjalën e tij.

Ministri Veliaj teksa falenderoi kompaninë Albchrome për investimin në zonën e Bulqizës, theksoi se përveç sigurimit të vendeve të punës për punonjësit aktualë, me hapjen e Pusit Numër 9 do të krijohen edhe vende të reja pune.

“Dua t’u uroj ‘punë të mbarë’ 26 të parëve që fillojnë punë sot, por edhe 200 të tjerëve që pritet të nisin punë këtë vit, sepse ky është urimi më i mirë që mund t’i bësh dikujt në një kohë krize”, tha Veliaj.

Ministri  falenderoi edhe sindikatat për presionin që ushtrojnë ndaj biznesit dhe qeverisë në të mirë të minatorëve, siç theksoi ai kur bëhet fjalë për sigurinë në punë apo çështjet e trajtimit të pensionit të tyre.
 
“Kjo është meritë e sindikatave që i bëjnë presion çdo qeverie, derisa më në fund, erdhi një qeveri e cila i dëgjoi për uljen e moshës së minatorëve. Jam shumë i lumtur që këtë premtim e bëmë realitet. Nga 1 janari 2015, do të kemi minatorë që dalin në pension në moshën 55 vjeç dhe politikanë që dalin në pension në moshën 60 vjeç, sepse gjykojmë se është më e vështirë të jesh minator se sa politikan”, deklaroi ministri Veliaj.

Nga ana tjetër, ai u shpreh entuziast për hapjen e kursit të parë të trajnimit për minatorët e rinj në qytetin e Bulqizës.

“Kjo minierë ka prodhuar jo vetëm lajme të këqija, por edhe lajme tragjike, kur njerëz janë plagosur apo kanë humbur jetën në punë. Një nga faktorët kryesorë të kësaj ka qenë se shumë prej të rinjve që futeshin në minierë, hynin të papërgatitur. Më vjen mirë që tanimë kemi certifikuar të trajnuarit e parë, të cilët nëpërmjet zyrës së punës janë punësuar në minierë”, tha Veliaj. 

gjiknuri veliaj miniere
(Në foto: Ministrat Erion Veliaj dhe Damian Gjinkuri 'selfie' me punonjësit kinezë në minierën e kromit)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Resorti nga Kushner në Sazan/ Muça: Imazh në interes të Shqipërisë! Nga Ballkani, vetëm Rama do jetë në ceremoninë e betimit të Trump

Resorti nga Kushner në Sazan/ Muça: Imazh në interes të Shqipërisë! Nga Ballkani, vetëm Rama do jetë në ceremoninë e betimit të Trump