Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në fshatin Vajkal, njësia administrative e Bashkisë Bulqizë, ku një person ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë gjahu, tip çifte.
Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Bulqizës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00. Dyshohet se autori ka qëlluar pasi ka pandehur se në një tokë të mbjellë kishte hyrë një kafshë e egër. Vetëm pas të shtënave është konstatuar se ishte plagosur një person.
I dëmtuari u transportua fillimisht në Spitalin e Bulqizës, ku mori ndihmën e parë mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë sekuestruar armën e gjahut. Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të autorit.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që policia të japë informacion zyrtar mbi dinamikën e plotë të kësaj ngjarjeje.
Komente










