Të martën, 62-vjeçari Urim Fiku, nga fshati Godvi i Bulqizës, kishte dalë në mal për të kullotur bagëtinë, si çdo ditë. Rreth mesditës, ai është shfaqur pranë banesës i gjakosur dhe në gjendje të rëndë. Familjarët kanë kërkuar ndihmën e urgjencës.
Policia bën të ditur se ka marrë njoftim nga spitali i Bulqizës për një person të plagosur rëndë. Familjarët e tij kishin thënë se mund të ishte kafshuar nga ariu në mal. Kur mbërritën shërbimet e policisë, Urim Fiku kishte ndërruar jetë. Menjëherë u transportua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Deri në këtë moment, dyshimet ishin për një sulm fatal nga ariu. Por ekspertiza mjeko-ligjore e ndryshoi rrjedhën e hetimeve. Në trupin e viktimës u konstatuan dëmtime të shkaktuara nga kafsha e egër, por edhe një plagë me armë zjarri në pjesën e gjoksit. Tashmë nuk ka asnjë dyshim për policinë se kjo është një ngjarje kriminale.
"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur në Bulqizë, ku shtetasi U. F., 62 vjeç, dyshohej se kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), bëjmë me dije se: Nga hetimet e kryera deri në këto momente nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se 62-vjeçari perveç dëmtimeve të dyshuara se janë të shkaktuara nga kafsha e egër, është konstatuar një plagë e shkaktuar me armë zjarri", njofton Policia.
Paraditen e së mërkurës, mbi 10 persona janë shoqëruar në komisariat dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi autorin dhe motivet e krimit. Mes tyre mësohet se janë edhe familjarë të viktimës.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se Urim Fiku mund të jetë qëlluar me armë zjarri në mal dhe më pas, i plagosur rëndë, ka tentuar të largohet drejt banesës. Gjatë rrugës mund të jetë sulmuar edhe nga ariu. Megjithatë, grupi hetimor po verifikon çdo pistë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të zbuluar autorin e krimit.








Komente
Komento