TIRANE- Gati 5 orë pasi Policia e Shtetit publikoi informacionet për personat e kërkuar në faqen online në internet, vihet re një “bum” klikimesh. Rreth 312 mijë klikime janë regjistruar në këtë faqe internet nga momenti kur ajo u bë publike, gjë që tregon një interes të lartë të qytetarëve për të mësuar lidhur me personat në kërkim.

Sipas Policisë së Shtetit, vetëm gjatë orës së fundit (19:00-20:00) numri i klikimeve nga qytetarët është rreth 110 mijë.

“Gjatë kësaj kohe janë evidentuar deri në mbi 140 kërkesa në sekondë drejt faqes së Policisë së Shtetit në internet. Duke i falenderuar qytetarët për interesin e treguar, i ftojmë që të informojnë policinë për çdo informacion me vlerë në drejtim të vendndodhjes së këtyre personave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ndërkaq, për shkak të numrit të madh të klikimeve dhe ngarkesës së krijuar në rrjet nga interesimi i madh të shfaqur lidhur me të dhënat mbi personat e kërkuar të publikuar në faqen e internetit, shkaktohet edhe ngadalësimi i faqes online.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)