BUNK’ART, epiqëndër
e festave të 28-29 nëntorit

BUNK’ART, epiqëndër<br />e festave të 28-29 nëntorit
TIRANE- Etje për të njohur ashtu siç ka qenë në të vërtetë historinë e vendit tonë… Vetëm kështu mund ta emërtonin fluksin e jashtëzakonshëm të vizitorëve që pamë dje të depërtonte në dyert e Bunkerit të nëndheshëm antibërthamor, objektit 5-katesh, 0774. Nëpërmjet një eventi të madh artistik Bunk’art i ka hapur dyert për herë të parë për publikun më 22 nëntor 2014, dhe që nga ajo ditë nuk reshti asnjë ditë fluksi i vizitorëve.

Ndryshe nga herët e tjera, festimi i ditës së Shpalljes së Pavarësisë, dje në Tiranë është shoqëruar me gati dyfishimin e fluksit të vizitorëve në ditën e shtatë të çeljes(në ditët e para shënonte rreth 2 mijë vizitore në ditë). Grupe të mëdha të rinjsh, vizitorë të të gjitha moshave, përfshi edhe fëmijët e vegjël, kanë zgjedhur t’i kalojnë festat e 28-29 Nëntorit duke vizituar ekspozitat historike të Bunk'Art. Në hapësirën ku shtrihet ekspozita e 70-vjetorit të Çlirimit, një prind i tregon vajzës së tij dokumentin origjinal me shkrim dore të krijimit të Partisë Komuniste, më 8 nëntor të vitit 1943. I tregon se kush ishin protagonistët, ndërsa vajza lexonte dokumentin me shumë interes.

“Ky është dokument, bab, -i thoshte ai së bijës, -ca e shkruajnë historinë ndryshe, e ca ndryshe, vetëm dokumenti flet”.
Në sytë e shumë vizitorëve, sidomos moshave që kishin jetuar kohën e diktaturës ndihej një kënaqësi e veçantë që po preknin dokumentet origjinale, që dikur i jepnin të retushuara ose i linin në pluhurin e harresës vet historianët nën presionin ideologjik të regjimit hoxhist. Nuk mungonin ata që mbresat e kësaj ekspozite i fotografonin si të ishin fletë të zbuluara për herë të parë të historisë që do ta rilexonin sërish me vëmendje në shtëpitë e tyre. Të rinjtë dukeshin se ishin më të interesuarit për të mësuar diçka më shumë rreth periudhës së luftës, e cila sipas dokumenteve dhe arkivave finalizohet me çlirimin e vendit më 29 nëntor 1944, kur çlirohet edhe qyteti i fundit i Shqipërisë, Shkodra.

Aty janë edhe ngjarjet e një dite më parë në Tiranë të atij viti, ku shihet se çfarë ndodhte më 28 nëntor në Tiranë; paraprakisht dallohen manifestimet e ditës së Pavarësisë, edhe pse qeveria e re demokratike ende nuk kishte nisur nga puna. Ekspozita historike iu parapriu dje me detajet e saj edhe atyre që kanë kureshtje të dinë më shumë për Ditën e Çlirimit, 29 Nëntorin. Çdo vizitor me sytë e tij sheh sakrificat e bijve të popullit të tij për lirinë e Shqipërisë, përpjekjet e të vrarëve në beteja të përgjakshme. Komenti i një vizitori: “E sheh, shumë ka sakrifikuar ky popull për liri!”. Ekspozita ka episode nga gjithë kalvari historik, që nga pushtimi i Shqipërisë në vitin 1939, deri në 1944.

Mbresëlënëse janë edhe pamjet e rralla nga Çlirimi i Tiranës, nga organizimet e Çetave protagoniste të luftës Nacionalçlirimtare nga jugu në veri të vendit deri në pragun e Çlirimit. Kuratorët e ekspozitës nuk kanë lënë mënjanë  edhe idealet apo përpjekjet e forcave të tjera nacionaliste që luftonin në emër të lirisë apo begatisë se vendit, dhe që kauza e tyre nuk fitoi. Materialet arkivore rrëfejnë më së shumti se ishin partizanët dhe forcat e luftës nacionalçlirimtare që triumfuan me kauzën e tyre si forca protagoniste krahinë më krahinë e qytet pas qyteti deri në çlirimin e qytetit të fundit të Shqipërisë nga gjermanët, të Shkodrës, më 29 nëntor të vitit 1944. Ky vit u shënua si Dita e Çlirimit të Shqipërisë. Shumë vizitorë afrohen te disa letra origjinale.

Dhjetë më muaj më parë se të çlirohej Shqipëria, në janar të vitit 1944, partizania 21-vjeçare, Ramize Gjebrea, përjetonte vuajtje të tmerrshme në jug të vendit, të cilat i dëshmon në letrën dërguar Nexhmije Xhuglinit, Hoxhës (që mbante pseudonimin Delegatja) ku kërkonte këpucë alpine e veshje: “Delegat, nëse ka mundësi më dërgoni ndonjë palë këpucë alpine nr.38, se kam mbetur keq dhe ndonjë palë ndërresa se po na kolisin (ngjisin) sëmundje. Ne kemi muaj të tëra që s’kemi lidhje me qitetin, që të mund të furnizohemi”. Ramize Gjebrea ende nuk e dinte fatin e saj tragjik, që pas shpinës së saj nga shokët e luftës po i përgatitej vdekja me pushkatim.... 

Duke kapërcyer të gjitha parashikimet e mundshme Bunk’Art u kthye në një event që po shoqërohet dita-ditës me fluks në rritje të vizitorëve. Një fluks akoma më i madh pritet të jetë edhe sot për festat e Çlirimit. Bunk’art me vullnetin e lirë të vizitorëve dhe të banorëve të Tiranës tashmë është kthyer në një epiqendër të festave 28-28 Nëntorit në Tiranë.
 
Ekspozita në përkujtim të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët

Tashmë objekti ushtarak 0774, i inauguruar në qershor 1978, i cili u hap për herë të parë pas 36 vjetësh për publikun është kthyer në një qendër historiko-artistike të quajtur BUNK’ART. Fluksi i madh i vizitorëve që po shtohen dita-ditës me kureshtjen për të parë një ndërthurje mediumesh e linjash historike, muzeale dhe artistike vijnë për të marrë mesazhe më të qarta për dy periudhat më të diskutuara të historisë tonë, periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të regjimit komunist në Shqipëri. 

Për të përkujtuar 70-vjetorin e Çlirimit një pjesë e madhe në “Bunk'art” i është lënë ekspozitës që përkujton Luftën e Dytë Botërore, përgatitur nga historiania Sonila Boçi dhe gazetarja Admirina Peçi. Ekspozita e shtrirë në pesë hapësira përfshin prag-luftën dhe pushtimin italian, vitet e para të rezistencës, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, për t’ia lënë vendin periudhës së pushtimit gjerman deri në çlirimin e vendit, më 29 nëntor 1944. Pushtimi i Shqipërisë dhe rezistenca kundër pushtuesve pati rrjedhoja jo të parëndësishme në historinë e shqiptarëve, prandaj ekspozita i ka dedikuar një hapësirë edhe këtyre ngjarjeve.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Shiste kanabis të ndarë në doza në Tiranë, arrestohet 33-vjeçari

Shiste kanabis të ndarë në doza në Tiranë, arrestohet 33-vjeçari