Festat kombëtare janë një moment krenarie dhe reflektimi. Ndaj Bunk’Art i bashkëngjitet ditës së çlirimit dhe natës së bardhë, duke hapur dyert deri vone për të gjithë vizitorët që duan të njihen më shumë me historinë e Shqipërisë.
Nuk mjafton vetëm ta duash vendin, por edhe ta njohësh. Njohja me historinë është misioni i Bunk’Art 2 që përmes dëshmive dhe instalacioneve ruan dhe rrëfen për historinë e para viteve 90’. Ky mision do të vijojë për Bunk’Art deri në orët 22.00 të “Natës së Bardhë”.
“Duke u nisur edhe nga viti i kaluar, duke qenë se jemi edhe në kuadrin e festave të 28 dhe 29 nëntorit, Bunk’Art kemi menduar që nga orari standard që është i hapur nga ora 09:00-18:00 të jetë i hapur nga ora 09:00-22:00”.
Bunk’Art 2, që rindërton historinë e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri nga viti 1912 në vitin 1991 dhe zbulon sekretet e Sigurimit, ngjall kurdoherë kureshtjen e vizitorëve.
“Kurioziteti është i lartë, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga vizitorët e huaj, nga Kosova dhe vendet e tjera të botës. Çdo pjesë ka shume interes, por mund të përmend dhomën e ministrit që është ajo më interesantja për turistët” shprehet Senada Murati, pjesë e stafit të Bunk’Art.
Krahas Bunk’Art, edhe institucionet e qytetit të Tiranës, duke filluar nga Bashkia,TKOB dhe Teatri Kombëtar do të jenë të hapur për të mirëpritur të gjithë qytetarët. Ndërsa mbrëmja rezervon një spektakël të vërtetë, pasi sot do të jetë koncerti i Emeli Sande ne Sheshi Skanderbej, një nga zërat më të njohur në të gjithë botën.
[gallery]24924[/gallery]
dy.b/shqiptarja.com

VIDEO









