Është padyshim një destinacionet nga më të rëndësishmet të Tiranës. Kështu shkruan shkrimtarja e udhëtimeve Victoria Philpott në blogun e saj “Vicky Flip Flop”, për bunkerët nëntokësorë të transformuar në muze me relike, dëshmi dhe pasazhe origjinale nga periudha e komunizimit në vendin tonë, Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2.
Në një artikull përshkrues dhe sugjerues për eksplorimin e Tiranës në destinacionet e saj më të veçanta, shkrimtarja e cila thotë se ka udhëtuar në të paktën 75 vende të botës, thekson se “nuk mund ta vizitosh Tiranën pa u përballur me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, dhe Bunk'Art 2 është një nga vendet më interesante në qytet për ta bërë këtë”.
Philpott shkruan se “për dekada me radhë, Shqipëria u sundua nga diktatori komunist Enver Hoxha. Gjatë kësaj periudhe, qeveria ndërtoi mijëra bunkerë në të gjithë vendin, në përgatitje për një pushtim të mundshëm. Sot, një nga këta bunkerë të mëdhenj nëntokësorë është shndërruar në një muze që eksploron historinë moderne të Shqipërisë.
Në fakt, ka dy versione që mund të vizitoni:
Bunk’Art 1, i vendosur jashtë qytetit pranë Mali i Dajtit
Bunk’Art 2, i vendosur në qendër të qytetit.”
Blogerja sugjeron se në rast se një turist ka planifikuar të “shijojë” kryeqytetin e Shqipërisë për vetëm 1 ditë, atëherë “Bunk’Art 2 është zgjedhja më e lehtë, pasi ndodhet vetëm pak minuta në këmbë nga Sheshi Skënderbej. Ky është edhe ai që vizitova unë. Megjithatë, përgatituni – përvoja atje poshtë është mjaft e rëndë dhe tronditëse, sidomos duke parë gjendjen aktuale të botës. Nuk mund të mos mendosh se sa shumë historia po përsëritet”.
Shkrimtarja shpreh pa rezerva impresionin pozitiv që ka patur nga ideimi, realizimi dhe kurimi “kirurgjikal” i muzeut Bunk'Art 2 që me “korridoret dhe dhomat me ndriçim të zbehtë të jep një pasqyrë shumë të fortë për jetën gjatë regjimit komunist dhe për izolimin e madh që kishte dikur Shqipëria nga pjesa tjetër e botës”.
Në shkrimin e saj, Victoria Philpott shprehet se “kryeqyteti i Shqipërisë është kompakt, plot jetë dhe shumë i përshtatshëm për t’u eksploruar në këmbë, që do të thotë se mund të shihni shumë brenda 24 orëve pa u ndjerë të nxituar”.
Komente









