Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj ish-kreut të ARRSH, Dashamir Xhika, dhe dy vartësve të tij, Aksel Qurduka dhe Albens Alite. Senaca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa tre ish-zyrtarët u njohën me masën e sigurisë.

Ish-zyrtarët e rrugëve nuk kanë thënë asnjë fjalë gjatë seancës,e cila u drejtua nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi  ndërsa nuk është dhënë asnjë shpjegim nga Krimet e Rënda për mos lejimin e mediave. Ndërkohë, nga seanca me dyer të mbyllura mësohet se avokati i ish-zyrtarit të Albens Alite, ka ofruar garanci pasurore për të hequr arrestin, një kërkesë që nuk është pranuar nga gjykata.

Të tre ish-zyrtarët dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogarit në 80 milionë euro. Ndaj Xhikës ka një masë “arrest me burg” edhe nga Gjykata e Elbasanit për shkelje lidhur me projektin e rrugës Elbasan-Gjinar, duke llogaritur një dëm prej 5.3 mld lekë. 

Edhe KLSH zbuloi shkelje në vitin 2016 për Tiranë-Elbasan dhe keqmenaxhim të projektit, por Ministria e Transporteve nuk mori masa. Hetimet për shkelje në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan,i udhëheq prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj. Për rrugën Tiranë-Elbasan janë depozituar dy kallëzime në prokurori, më i fundit i dorëzuar nga ministri Damian Gjiknuri më 12 dhjetor 2017, bazuar në një audit të brendshëm. Nga ky audit u evidentua një dëm prej 54 milionë dollarë. Ndërkohë që po verifikohet dhe pozicioni i ish-ministrit Edmond Haxhinasto.

Tre dosje për zyrtarët e ARRSH
Abuzimet e shumta financiare në ndërtimin e rrugëve në vend,kanë sjellë krijimin e disa dosjeve penale kundër ish-drejtorit të ARRSH, Dashamir Xhika dhe vartësve të tij në këtë institucion. Mësohet se momentalisht në hetim nga prokuroria janë 10 zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët po verifikohen penalisht për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për ndërtimin e katër segmenteve rrogore.

Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme i thanë “Shqiptarja.com” se që prej vitit 2016 e deri më sot prokuroria ka në dorë tre dosje të rrëndësishme, ku të dyshuar si të implikuar në afera abuzimi me detyrën dhe korrupsion janë 10 zyrtarë të ARRSH. Burimet sqaruan se këto dosje ndaj zyrtarëve të këtij institucioni kanë mbëritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndërkohë që janë plotësuar me dokumentacion shtesë të referuar nga policia e Shtetit.

Arrestimet dhe abuzimet
Tashmë tre nga këta zyrtarë të ARRSH janë arrestua me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda,si Dashamir Xhika ish-drejtori i Përgjithshëm dhe dy vartësit e tij, drejtorët e menaxhimit të projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan, Aksel Qurduka dhe Albens Alite. 

Ndërkohë që 7 zyrtarë të tjerë të këtij institucioni po verifikohen penalisht. Bëhet fjalë për shtetasit Thoma Xhori, Niko Mihali, Albana Ahmeti, Donika Shehu dhe Diana Gumeni që të gjithë anëtarë të grupit të hartimit të termave të referencës dhe llogaritjes së fondit limit. Sipas burimeve ndaj këtyre personave po kryhen veprime hetimore nga ana e prokurorisë lidhur me abuzimet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për studimin e zgjerimit të superstradës “Tiranë-Durrës” dhe ndërtimin e “By-pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë”. 

Ndërkohë dosja e tretë për të cilën është duke hetuar prokuroria ka të bëjë me ndërtimin e dy by-Pass-ve, atij të Vlorës dhe atij të Fierit. Personi që është kallëzuar nga KLSH në 4 janar 2017 quhet Ermal Nuri me detyrën e përgjegjësit të sektorit të Zhvillimit të projekteve të huaja dhe të Brendshme në ARRSH.

xhika

d.c./shqiptarja.com