TIRANA – Gjykata e Kurbinit vendosi sot masën e arrestit me burg pa afat për Altin Piroli. Ky i fundit u arrestua nga policia dy ditë më parë dhe akuzohet për vrasjen e vëllezërve Cara, Andrea dhe Endri si dhe plagosjen e dy personave të tjerë.

“Mos më thoni të dorëzohem. Unë jam Jezu Krishti dhe duhet të dorëzoheni ju para meje”. Këto ishin fjalët e 36-vjeçarit Altin Pirolit në momentin që është përballur me policinë pasi vrau dy vëllezërit tre ditë më parë në një lokal, në qendër të Laçit dhe plagosi dy kalimtarë.

Burime nga policia thanë se autori ka bërë rezistencë duke u drejtuar armët efektivave blu. Këta të fundit i bënë thirrje që ai të dorëzohej, por nga ana tjetër edhe Piroli ka bërë thirrje që policia të dorëzohej para tij sepse ishte Jezu Krishti.

Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë, Piroli deklaroi se dy vëllezërit i kishte vrarë pasi ata pengonin rrugën e perëndisë dhe nuk e donin atë. Policia tha se Piroli kishte bërë një listë me emrat e personave që do të ekzeutonte mes tyre prokuror e gjykatës, por organi i akuzës tha se letra me listën nuk është gjetur.

Redaksia online
(el.sk/shqiptarja.com)