Janë gjithsej 14 nene të reja që përcaktojnë dënime deri në 10 burg për shkelje të legjislacionit tatimor. Ndryshimet në Kodin Penal nuk janë botuar ende në Fletoren Zyrtare.
Por, kjo nuk do të jetë çështja e vetme që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë do të paraqesë në Kushtetuese.
Sipas të njëjtit burim do të kërkohet interpretim edhe për mbivendosjen e disa ligjeve, si dhe për taksimin në fushën e ndërtimit, siç është taksa mbi Infrastrukturën e cila ka hyrë në fuqi dhe që parashikon rritjen nga 3% në 8% për ndërtimet në Tiranë. Një taksim që rëndon mbi ndërtuesit dhe që pritet ta vërë tregun në vështirësi.
Ankimimi që do të bëjë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Gjykatën Kushtetuese vjen pas asaj të bërë pak kohë më parë nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve për ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe që rezultoi i drejtë pasi togat e zeza u shprehën në favor të biznesit. Kjo gjë solli edhe pezullimin e zbatimit të ndryshimeve.
Ndryshimet me vitet përkatëse të burgut:
Tregtimi i mallrave të ndaluara, burg deri në 10 vite
“Neni 171 sanksionon veprën penale të kontrabandës me mallra të ndaluara ose të
kufizuara përmes importimit, eksportimit ose tranzitimit të mallrave të ndaluara ose të
kufizuara. Importimi, eksportimi apo tranzitimi i paligjshëm i mallrave të ndaluar ose të kufizuara
që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë, i kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë,
dënohen me burgim deri në dhjetë vjet. Në këtë nen, risia është se është shtuar
koncepti i mallrave te kufizuara, term ky që njësohet me atë të mallrave të ndaluara. Masa e dënimit, nga 7 – 10 vite burg.
Kontrabanda e akcizës 7-10 vite burg
Neni 172 sanksionon veprën penale të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet
akcizë ose ato me pezullim të plotë a të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të
akcizës, përmes importimit, eksportimit apo transitimit nëpërmjet kalimit jashtë
pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë,
deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të
tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, apo përfitimin
pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi apo reduktimi nga tarifat doganore,
taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshme që ka të bëjë me importin
ose eksportin e mallrave, vepër penale kjo që përbën kontrabandë dhe dënohet me
burgim deri në shtatë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me
burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Deklarimi i rreme 7-10 vjet burg
Neni 173 sanksionon veprën penale të kontrabandës me mallra të licencuara përmes
importimit, eksportimit apo transitimit të mallrave që kërkojnë licencë nga organi
kompetent, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të
plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin,
cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim
shmangien nga detyrimet doganore, vepër penale kjo që dënohet me burgim deri në
shtatë vjet.
Si rrethanë cilësuese është parashikuar që po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim
ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Kontrabanda doganë 7-10 vite burg
Neni 174 sanksionon veprën penale të Kontrabandës me mallra të tjera, përmes
importimit, eksportimit apo tranzitimit të mallrave, nëpërmjet kalimit jashtë pikave
doganore, fshehjes së plotë apo të pjesshme, mosdeklarimit të saktë në doganë,
deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të
tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore apo përfitimin
pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimin apo reduktimin nga tarifat doganore,
taksat, tatimet, akcizat ose të një avantazhi të çfarëdoshëm që ka të bëjë me importin
ose eksportin e mallrave, vepër penale kjo që përbën kontrabandë dhe dënohet me
burgim deri në shtatë vjet.
Është parashikuar si rrethanë cilësuese që po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose
më shumë se një here, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Kontrabanda e veprave të artit deri në 10 vite burg
Neni 176 sanksionon veprën penale të kontrabandës së vlerave kulturore përmes
importimit, eksportimit apo transitimit të vlerave kulturore kombëtare në kundërshtim
me dispozitat ligjore në lidhje me to, vepër kjo për të cilën është parashikuar dënimi
me burgim deri në dhjetë vjet.
Është parashikuar si rrethanë që po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më
shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Mashtrimi me origjinën deri 7-10 vjet burg
Neni 177 sanksionon veprën penale të kontrabandës me mallra me regjim të
ndërmjetëm, përmes importimit, eksportimit apo transitimit të mallrave, duke i
paraqitur ato si mallra me regjim të ndërmjetëm, me qëllim shmangien nga detyrimet
doganore apo përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi apo reduktimi
nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm që ka
të bëjë me importin ose eksportin e mallrave, vepër penale kjo që përbën kontrabandë
dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Si rrethanë cilësuese është parashikuar që po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim
ose më shumë se një here, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.”
Tregtimi i mallrave kontrabandë 3 vjet -10 burg
Neni 178 sanksionon veprën penale të tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë
kontrabandë, përmes tregtimit, tjetërsimit ose transportimit të mallrave që dihet që janë
kontrabandë si dhe çdo ndihmë tjetër që u jepet personave që merren me këto
veprimtari, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Në këtë nen janë parashikuar dy raste të rrethanave cilësuese:
1. Kur kjo vepër kryhet me mallra për të cilat paguhet akcizë ose te ndaluara,
dënohet me burgim deri në pesë vjet.
2. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një here, dënohet
me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Ruajtja e mallrave kontrabandë, 3-10 vjet burg
Neni 179 sanksionon veprën penale të ruajtjes apo depozitimit të mallrave
kontrabandë, përmes ruajtjes, depozitimit, mbajtjes apo përpunimit të mallrave që
dihen se janë kontrabandë, vepër kjo që dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre
vjet.
Në këtë nen janë parashikuar dy raste të rrethanave cilësuese:
1. Kur kjo vepër kryhet me mallra për të cilat paguhet akcizë ose të ndaluara,
dënohet me burgim deri në pesë vjet.
2. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një here, dënohet me
burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Falsifikimi i vulave doganore, 3-5 vjet burg
Në nenin 179/b, i cili është shtuar pas nenit 179/a, është sanksionuar vepra penale e
thyerjes, heqjes, zëvendësimit të shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore, e kryer
përmes thyerjes , heqjes së vulës doganore, zëvendësimit, ndërrimit ose falsifikimit të
shenjave të tjera të sigurisë, të vendosura nga autoritetet doganore për qëllime
mbikëqyrjeje ose kontrolli apo për pezullimin e veprimtarisë tregtare, në ambientet
ekonomike ose të vendosura mbi mjetin e transportit apo mbi mallra, ose falsifikimi në
çfarëdo mënyre i numrit të identifikimit të mjetit të transportit, me qëllim shmangien
nga kontrolli doganor, vepër kjo që dënohet me burgim deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur ka të bëjë me mallra akcize ose të ndaluara, dënohet me burgim deri
në pesë vjet.
Dalja nga zona doganore pa leje, burg 5-7 vjet
Pas nenit 179/b shtohet neni 179/c, i cili sanksionon veprën penale të largimit të
mallrave nga zonat doganore pa paguar detyrimet, e kryer përmes largimit të mallrave
nga zonat doganore pa lejen e organeve doganore dhe pa paguar detyrimet që duhen
paguar, ose pa garantuar pagesën e tyre, me përjashtim të rasteve të përjashtimit nga
detyrimi për dhënien e garancive, siç parashikohet nga legjislacioni doganor, vepër kjo
për të cilën është parashikuar një dënim me burgim deri në pesë vjet.
Si rrethanë cilësuese është parashikuar që po kjo vepër, kur ka të bëjë me mallra
akcize, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Kontrabanda nga pilotet dhe kapitenët, 5-10 vjet burg
Pas nenit 179/c shtohet neni 179/ç, i cili sanksionon veprën penale të kontrabandës së
kapitenit, pilotit ose ekuipazhit, e kryer përmes transportimit të mallrave pa manifest
ose nëpërmjet mungesës apo refuzimit të paraqitjes së manifestit dhe dokumenteve
përkatëse, ngarkimit, shkarkimit ose transportimit të mallrave, udhëtarëve dhe
bagazheve të tyre pa lejen e autoriteteve doganore, qëndrimit në vende ku nuk ka zyrë
doganore apo ndalimit në afërsi të portit ose aeroportit pa lejen e autoriteteve
doganore, shkarkimit ose transpordimit të mallrave në kundërshtim me legjislacionin
doganor, mungesës në bordin e mjetit të mallrave që duhet të gjendeshin aty, në bazë
të manifestit dhe dokumenteve të tjera doganore, e kryer kjo, sipas rastit, nga kapiteni,
piloti ose ekuipazhi, vepër kjo që parashikon një dënim me burgim deri në shtatë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me
burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Mosregjistrim në tatime, deri 3 vjet burg
Në nenet 13 deri 16 të projektligjit parashikohen ndryshime dhe amendime në
dispozitat e kreut III, “Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike”,
seksioni VI, “Veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet”, si më poshtë vijon:
Neni 13 parashikon shtimin e një dispozite të veçantë (neni 180/a), sipas të cilit,
ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm, ushtrimi i një aktiviteti tregtar të
paregjistruar në organet tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve apo moslëshimi i
kuponit tatimor, përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim.
Nenet 14 dhe 16 synojnë ashpërsimin e masave për veprat penale në lidhje me taksat
dhe tatimet, të parashikuara në nenet 180, paragrafi i parë, 182 dhe 182/a, paragrafi i
parë, duke hequr dënimin me gjobë.
Nuk vjelin taksat, tatimorët 7 vite burg
Neni 15 parashikon ndryshimin e nenit 181/a që sanksionon veprën penale të
moskryerjes së detyrave nga organet tatimore, përmes moskryerjes së detyrave që
lidhen me vjeljen, brenda afatit të caktuar ligjor, të taksave dhe tatimeve nga
punonjësit e organeve tatimore dhe personat e tjerë zyrtarë qe janë ngarkuar me këto
detyra, kur bëhet për fajin e tyre, vepër kjo që dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Nenet 17 dhe 18 të projektligjit parashikojnë amendim të dy dispozitave të kreut
Ilace të falsifikuara, 6 muaj-5 vjet burg
Neni 17 parashikon që pas nenit 284/ç të shtohet neni 284/d, i cili sanksionon veprën
penale të prodhimit dhe tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore të rrezikshme për
jetën dhe shëndetin, vepër kjo e kryer përmes prodhimit, mbajtjes për qëllime tregtimi,
shitjes apo ofrimit për shitje, furnizimit, shpërndarjes, eksportimit, importimit të
barnave. Vepër kjo për të cilën
parashikohet dënim me burgim nga 6 muaj deri në pesë vjet.
Si rrethanë cilësuese është parashikuar që po kjo vepër, kur kryhet gjatë ushtrimit të
një veprimtarie profesionale, nëpërmjet internetit, në bashkëpunim apo me shumë se
një here, dënohet më burgim nga tre deri në shtatë vjet. Kur ka sjellë pasoja të rënda
për jetën apo shëndetin dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Abuzimi me karburantet, 5 vjet burg
Neni 18 parashikon që pas nenit 288/a të shtohet neni 288/b, i cili sanksionon veprën
penale të tregtimit dhe hedhjes për konsum të lëndëve djegëse në kundërshtim me
standardet ligjore të cilësisë.
Si rrethanë cilësuese është parashikuar që po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim,
me shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda materiale për shëndetin apo ka
prishur ekosistemin, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Marrë nga Monitor/