“Tirana nuk ishte më e sigurt në vitin 1941, kështu që im atë siguroi veshje karakteristike krutane për pjesëtarët e tri familjeve hebraike. Udhëtuan për 36 orë me kuaj e mushka, duke u fshehur në pyje gjatë ditës, e duke ecur më shumë natën, drejt Krujës...”.
Fatmir Veseli, me profesion fotograf, tregon me krenari historinë e familjes së tij, që strehoi tri familje hebraike në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Babai i tij, Refik Veseli, në atë kohë ishte 18 vjeç.
Çdo detaj që lidhet me sakrificën, Fatmiri e dëgjoi qindra herë nga i ati, ndërsa vetë bëri gjithçka për të ruajtur lidhjet me familjen e Moshe Mandilit, pasi për fatin e dy të tjerave nuk mori vesh kurrë.
Çdo vit më 27 janar, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, përkatësisht të gjashtë milionë hebrenjve që u vranë nga Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj midis viteve 1941 dhe 1945.
Kjo datë u zgjodh, pasi më 27 janar, 1945, trupat sovjetike çliruan kampin famëkeq të përqendrimit, Auschwitz-Birkenau, në Poloni, që ishte simboli më i tmerrshëm i mizorive naziste.
“Mes varfërisë dhe vështirësive të mëdha, dyert e shtëpisë sonë në Krujë kanë qenë të hapura për hebrenjtë”, thotë Fatmiri, 65-vjeçar, i cili atëkohë nuk ishte i lindur.
Roli i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve
Forcat e Gjermanisë naziste pushtuan Shqipërinë më 1943 dhe kërkuan nga autoritetet lokale që të tregonin emrat e hebrenjve.
Por, ato dhe populli refuzuan ta bënin një gjë të tillë.
Shqipëria ishte vendi i vetëm i pushtuar nga Gjermania, ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me përfundimin e saj, popullata hebraike në Shqipëri u rrit nga disa qindra në dy mijë.
Vendi me shumicë myslimane strehoi kryesisht hebrenj të ikur nga shtetet fqinje.
Sipas të dhënave zyrtare nga Izraeli, përveç një familjeje, të gjithë të strehuarit e tjerë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, shpëtuan.
Arsye për këtë ishte besa - një kod nderi që shqiptarët e praktikojnë prej shekujsh.
“Hebrenjtë i veshi si fshatarë krutanë”
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Fatmiri tregon se Moshe Mandili së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tyre, djalin Gavra dhe vajzën Ela, kishin mbërritur në Tiranë në vitin 1941, pas një sërë vuajtjesh e pasigurish.
Ata kishin jetuar fillimisht në Beograd, ku Moshe kishte studion e tij të fotografisë, e cila jo rrallë vizitohej edhe nga ushtarët nazistë.
Për shkak të frikës se mund të zbuloheshin dhe arrestoheshin, ishin larguar në drejtim të Shqipërisë, pasi kishin dëgjuar se autoritetet i pajisnin me pasaporta hebrenjtë për t’i mbrojtur dhe shpëtuar.
Babai i tij i kishte treguar Fatmirit se familja Mandil kishte rënë në duart e nazistëve gjatë këtij udhëtimi, teksa ndodheshin në Kosovë, dhe se e kishte shpëtuar nga vdekja vetëm një fotografi e fëmijëve të tij para pemës së Vitit të Ri - festë që nuk festohet nga hebrenjtë.
Megjithatë, nazistët i kishin dërguar në një kamp pune në Prishtinë, e më pas i kishin transportuar në një kamp tjetër në Kavajë të Shqipërisë, që atëkohë ruhej nga forcat italiane.
Aty, Moshe Mandil ia kishte dalë të largohej dhe ishte vendosur në Tiranë, ku kishte kërkuar punë në një studio fotografie.
“Rastisi që në studion ku punonte im atë si ndihmës, fotograf ishte një zotëri nga Kosova, Neshat Dizdari, i cili kishte dëgjuar për studion e Mandilit në Beograd dhe i njihte cilësitë e tij. E mori menjëherë në punë. Aty qe njohja e babait tim me Moshe Mandilin”, thotë Fatmiri.
Babai i tij, Refiku, i ka treguar se si me kalimin e muajve, në Tiranë shtohej terrori nga nazistët dhe jeta e familjeve hebraike rrezikohej.
“Familjet Mandil dhe Jozeph, që punonin në një punishte stofrash të xhaxhit tim, duheshin larguar, dhe im atë vendosi t’i çonte në shtëpinë e tij në Krujë. I veshi me rroba karakteristike krutane - burrat me tirq, jelekë dhe qeleshe, e gratë me dimi, jelekë dhe shami në kokë. Më pas u hipën mushkave dhe kuajve, ecën për 36 orë, dhe u strehuan në shtëpinë tonë në Krujë, ku i pritën gjyshja dhe gjyshi im”, tregon Fatmiri.
Shtëpia e tyre ishte rrëzë malit të Krujës dhe Fatmiri thotë se pranë kishin një shpellë, ku, për shkak të temperaturave të ulëta brenda saj, familja e tij ruante zahiretë.
Por, me situatën e krijuar dhe për të ruajtur besën e dhënë për mbrojtjen e hebrenjve, shpella u kthye edhe në vendstrehim për ta.
“Babai më ka treguar një rast, kur një ushtari gjerman i kishte humbur arma dhe në Krujë nisën kontrolle në çdo shtëpi. Tri familjet që ne strehonim, por edhe dhjetëra hebrenj të tjerë, që ndodheshin në Krujë, sepse edhe familje të tjera i kishin strehuar, u fshehën në atë shpellë. Kjo përsëritej sa herë që merrej vesh se në qytet kishte kontrolle”, tregon Fatmiri.
Ai thotë se babai i tij ka tentuar dy herë t’i shoqëronte miqtë e tij nga Kruja drejt Shkodrës, pasi Moshe Mandil dëshironte të shkonte në Jugosllavinë e atëhershme, ku kishte pjesën tjetër të familjes, porse ka qenë e pamundur.
Madje, në tentativën e dytë, çifti hebre i kishte besuar dy fëmijët familjes së Fatmirit, duke i kërkuar të kujdesej për ta, nëse do të binin në duart e nazistëve.
Fatmiri thotë se tri familjet hebraike qëndruan në shtëpinë e tyre deri pas çlirimit të vendit më 1944.
“Në fotografitë që im atë i ka ruajtur si gjënë më të shtrenjtë, tregohet se si kanë jetuar të gjithë bashkë, si një familje e madhe. Mes varfërisë dhe vështirësive të mëdha, dyert e shtëpisë sonë në Krujë kanë qenë të hapura për hebrenjtë, të cilët vishnin rrobat krutane, jetonin si ne, flinin shtruar përtokë, se shtëpia ishte e vogël, e hanin çfarë gjendej në sofër”, thotë Fatmiri, krenar për sakrificën dhe bujarinë e familjes së tij.
Ai thotë se lidhja mes dy familjeve vijoji menjëherë pas largimit të tyre në ish-Jugosllavi.
“Babai im qëndroi katër vjet në Beograd në shtëpinë e Moshe Mandilit. Bëri një specializim atje për fotografinë dhe ata e mbajtën si anëtar të familjes. Kur erdhi momenti që të kthehej në Shqipëri, Moshe i tha se nuk e ndante nga familja e tij dhe se i kishte nxjerrë pasaportën për të shkuar me ta në Izrael. Babai nuk pranoi, sepse donte të kthehej pranë familjes së tij”, tregon 65-vjeçari.
Familja Veseli, nderime nga Izraeli dhe Gjermania
“Që i vogël unë mbaj mend se hebrenjtë nuk i kemi ndarë nga vetja. Babai na fliste gjithnjë për ta. Edhe gjatë regjimit komunist kemi ruajtur lidhjet. Babai shkruante letra rregullisht - sigurisht duke e ditur se ato letra hapeshin, sepse gjithçka mbikëqyrej nga sigurimi i shtetit”, thotë Fatmiri.
Por ata, sipas tij, flisnin kryesisht për profesionin, meqë të dy ishin fotografë, dhe ashtu i ruajtën lidhjet deri para vitit ’90, kur vdiq Moshe.
“Me rënien e komunizmit, im atë, Refik Veseli, u bë shqiptari i parë që u nderua me çmimin ‘Fisnik mes Kombeve’ dhe emri i tij u përjetësua në Murin e Nderit, në Kopshtin e të Drejtëve, në Yad Vashem, Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit”, thotë Fatmiri.
Babai i tij vdiq në vitin 2000, por pasardhësit e tij, ashtu si edhe të Moshesë mbajnë gjallë historinë e familjeve të tyre dhe ua kalojnë atë edhe brezave të rinj.
“Kur u bëra me djalë, para 35 vjetësh, mbaj mend që unë dhe ime shoqe kishim një listë të gjatë emrash dhe ende nuk kishim vendosur se si do ta quanim. Babai im na tha se e kishte gjetur ai, na tha që djalin ta quajmë Ron, pasi ashtu quhej edhe djali i Gavra Mandilit. Kështu që kemi dy Ron - një në Tiranë dhe një në Jerusalem. Ata shpesh takohen bashkë”, thotë Fatmiri.
Një emocion i madh për të është fakti se edhe një shkollë në Berlin mban emrin e babait të tij.
Ishte nismë e një grupi të rinjsh gjermanë, të cilët, pasi vizituan Yad Vashemin dhe u njohën me historinë e familjes së Refik Veselit që kishte shpëtuar familjen Mandil, propozuan që shkolla ende pa emër ta merrte emrin e fotografit shqiptar.
Dhe kështu, nga viti 2014, ajo mban emrin e Refik Veselit.
“Ka qenë emocion i madh për mua kur më ftuan në ceremoninë e posaçme për këtë vlerësim për babanë tim. Vitet e fundit, 27 janari më gjen në Berlin, në këtë shkollë, duke folur për këtë histori sakrifice, bese dhe dashurie”, thotë Fatmiri.
“Ashtu si baballarët tanë, edhe unë i kam ruajtur lidhjet me Gavrën dhe Elën, e po ashtu fëmijët e mi me fëmijët e tyre”, përfundon ai./REL
Duke pare se cfare po bejne cifutet te populli i pambrojtur Palestines , mendoj se kane ber gabimin me te madh qe i kane shpetuar ata mbeturina
PërgjigjuO turo eshte mese e drejte ajo qe thu POR JANE QEVERITE QE SHTYPIN DHE ZAPTOJNE TOKA TE PALESTINEZEVE JAN KOLONET (FORCA TE DJATHTA EKSTREME)QE VEPROJNE NUK ESHTE POPULLI IZREALIT NJEREZIT E THJESHTE QE BEJNE KETO DHE NUK MUND TI FUSESH TE GJITH ME NJI THES njerezit e luftes se dyte boterore nuk ishin si keto te epokes dixhitale si edhe ne te para 90'nuk krahasohemi me te mas 90'kemi ndryshu komplet gjithmone "per mire"