Sipas historianëve, popullsia e parë hebraike mbërriti në Shqipëri si skllevër të romakëve rreth 2000 vjet më parë. Gjatë shekullit të 14-të, valë të tjera hebraike erdhën në Shqipëri nga Selaniku dhe Spanja. Gjithashtu, në vitin 1850, ata mbërritën nga qyteti i Janinës dhe u vendosën kryesisht në Vlorë, ku përbënin një komunitet prej rreth 90 personash, me një përfaqësues në Këshillin e Prefekturës. Kryesisht komuniteti ishte i vendosur në të ashtuquajturën "rruga hebraike" dhe aktiviteti i tyre i preferuar ishte tregtia.

Sipas Censusit të vitit 1930, rezulton se ishin rreth 200 hebrenj, në një popullsi prej 830.000 banorësh në Shqipëri. Disa autorë mendojnë se numri i tyre mund të kishte qenë edhe më i madh, pasi regjistrimi i asaj kohe është bërë me bazë fetare dhe jo etnike.  Ndërkohë, të dhënat e Departamentit Amerikan të Shtetit, tregojnë se në vitin 1938, në Shqipëri kishte 300 banorë hebrenj dhe rreth 1900 të tjerë që erdhën nga vendet e Evropës Qendrore dhe Perëndimore si Austria, Gjermania, Dalmacia, Jugosllavia dhe Bullgaria për t'i shpëtuar pushtimit nazist.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebraike gjeti strehim në Shqipëri falë mikpritjes së popullit shqiptar dhe mbrojtjes nga administrata e Mbretit Zog. Në dokumentat arkivore  rezulton se në vitin 1935, Mbreti Zog, i orientoi të gjithë diplomatët shqiptarë në të gjithë Evropën për t'u ofruar pasaporta shqiptare popullsisë hebraike, për të shpëtuar nga persekutimi nazist. Një lajm i tillë është botuar në gazetën hebraike "Daily Post". Misionet diplomatike shqiptare kanë lëshuar viza turistike për hebrenjtë kundrejt pagesës: 250 franga në vitin 1938 dhe 500 franga në vitin 1939. Kjo bëri që në vendin tonë të shtohej numri i hebrenjve ardhur nga vende të ndryshme: 350 nga Dalmacia, 192 nga Mali i Zi dhe 600 nga Kosova, etj.

Kryesisht, hebrenjtë hynë në Shqipëri për tranzit, por mungesa e diskriminimit racor dhe mikpritja e përgjithshme e popullit shqiptar u dha mundësi të qëndronin. Në fakt, rezulton se deri në vitin 1938, në Shqipëri nuk ka pasur organizatë, gazetë apo lëvizje antisemite. Përveç kësaj, popullsia shqiptare nuk mund ta kuptonte trendin antiracist që ndodhte në pjesën tjetër të Evropës. Hebrenjtë në përgjithësi konsideroheshin njerëz me integritet dhe kulturë.

Ky kontekst paqësor bëri që Organizata Lidhja e Kombeve të shqyrtonte një projekt për ndërtimin e qendrave të pritjes për komunitetin hebre në Shqipëri në mesin e viteve '30, por negociatat u ndalën me pushtimin e Italisë në vitin 1939.

Nga ana tjetër, angazhimi i Italisë në lidhje me politikën e antisemitizmit, të paktën në Shqipëri, u zbatua dobët. I vetmi akt rregullues antisemitizmi që ndikoi drejtpërdrejt në të drejtat e hebrenjve ishte Statuti i Partisë Fashiste Shqiptare, i cili u krijua dy muaj pas pushtimit. Në përputhje me statutin, anëtarët e racës hebraike nuk mund të anëtarësoheshin në parti. Megjithatë, gjatë pushtimit, nuk u miratua asnjë ligj tjetër. Për këtë arsye, statuti i Partisë Fashiste u bë akti juridik më i rëndësishëm. Bazuar në këtë akt, kushdo që nuk mund të anëtarësohej në parti përjashtohej automatikisht nga pjesëmarrja në jetën publike, si ushtrimi i profesioneve dhe pjesëmarrja në ushtri. Autorë italian theksojnë në studimet e tyre se Italia po përgatiste dy projektligje antiracizëm për Shqipërinë, por për arsye të panjohura, ato nuk u bënë kurrë ligje, ndërsa e kundërta ndodhi në territoret e tjera të pushtuara të rajonit të Ballkanit.

Në vitin 1939, ministri italian Jacomini kërkoi listat e familjeve hebraike që jetonin në territorin shqiptar. Si përgjigje, qeveria shqiptare përgatiti listat në bashkëpunim me prefekturat, por në fund, ato nuk u përdorën për qëllime antisemitizmi. Marrëdhënia midis hebrenjve dhe fashistëve ishte pothuajse normale. Ka raste kur hebrenjtë punuan si punonjës në ndërmarrjet italiane, dhe disa biznesmenë ishin klientë dhe përfituan kredi nga bankat italiane, duke pasur mundësi të vazhdonin me bizneset e tyre.

Pas vitit 1940 situata ndryshoi. U ndërtuan kampe përqendrimi në qytetet e Durrsit, Kavajës, Beratit dhe Lushnjës. Megjithatë, masat e aplikuara atje nuk ishin aq të ashpra sa në pjesën tjetër të Evropës. Në këto kampe ushqimi, veshja, liria e fesë dhe kushtet minimale ishin të siguruara. Kampe të tilla synonin t'i mbanin hebrenjtë nën kontroll, të mbrojtur dhe larg kryeqytetit të vendit, dhe herë pas here ata kishin leje të dilnin jashtë për vizita. Autoritetet e prefekturave jepnin pagesa ditore në disa raste, dhe hebrenjtë ishin të detyruar të qëndronin me familjet shqiptare.

Për komunitetin hebre, situata ndryshoi me dorëzimin e Italisë dhe mbërritjen e Ushtrisë Naziste në territorin shqiptar në vitin 1943. Nazistët kërkuan një listë të plotë të qytetarëve hebrenj që banonin në Shqipëri, por ministri i brendshëm shqiptar refuzoi të përgjigjej, duke argumentuar se kjo ishte një ndërhyrje në çështjet e brendshme.

Pikërisht arsyet e mësipërme e shtynë komunitetin hebre që qëndroi në Shqipëri të angazhohej në luftën anti-fashiste. Ka dokumente që vërtetojnë se komuniteti hebre iu bashkua Ushtrisë Antifashiste sidomos në Berat, Shkodër e Vlorë. Disa kanë kontribuar edhe me ushqime, para e informacion. Një hebre me profesion farmacist në Shkodër ka qenë mik i ngushtë me Qemal Stafën, e për këtë arsye u deportua nga nazistët fillimisht në kampin e përqëndrimit në Prishtinë e më pas në Berlin ku edhe vdiq.

Dokumenta të Policisë tregojnë shqetësimin e fashistëve për bashkëpunëtorët hebrenj me komunistët. Të tjera dokumente të ambasadës italiane dëshmojnë se disa komunistë hebrenj udhëtojnë në Shqipëri nga Parisi, Polonia, Bullgaria, Greqia, Rusia dhe Spanja. Në përgjithësi, qëndrimi i autoriteteve ndaj hebrenjve komunistë ishte më i ashpër se kundrejt atyre vendas. Ka raste të hebrenjve të dëbuar nga vendi vetëm për shkak të dyshimeve për përfshirje në lëvizjen komuniste ose ndonjë aktivitet tjetër politik.

Departamenti Amerikan i Shtetit deklaron se Shqipëria ishte i vetmi vend ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se shteti nuk zbatoi një politikë diskriminuese fashiste ndaj kësaj popullsie. Po kështu, qeveria e Izraelit njohu 69 shqiptarë, nga 25.271 në të gjithë botën, me çmimin "Të Drejtë midis Kombeve".