Burrat shqiptarë duket se janë frekuentues më të mëdhenj të aktiviteteve kulturore në vend në raport me gratë. Statistikat e kulturës 2023, të publikuara nga Instituti i Statistikave, tregojnë se për dy vite rresht, tendenca ishte e njëjtë. Meshkujt ishin 31.3 për qind pjesëmarrës në këto aktivitete në raport me femrat, 28.4 për qind.
“Në vitin 2022, 29,8% e individëve mbi 16 vjeç raportuan se morën pjesë rregullisht në të paktën një aktivitet kulturor me pagesë gjatë 12 muajve të fundit.
Për të dyja vitet, vihet re që burrat kanë përqindje më të lartë të pjesëmarrjes në aktivitetet kulturore krahasuar me gratë. Aktivitetet kulturore përfshijnë vizitat në teatër, kinema, koncerte, aktivitete sportive etj.” raportoi INSTAT.
Në publikim sqarohet se të dhënat, lidhur me numrin e aktiviteteve kulturore dhe numrin e pjesëmarrësve në aktivitetet kulturore bazohen në Anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës që INSTAT zhvillon dhe ato administrative, të siguruara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kjo statistikë mbi pjesëmarrjen në aktivitete kulturore për individët mbi 16 vjeç ende nuk është përditësuar për vitin 2023. Ndërkohë INSTAT ka përmbledhur në publikim të dhënat mbi numrin e shfaqjeve, premierave të organizuara gjatë vitit nga institucionet qendrore të artit, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Gjatë vitit 2023, janë organizuar gjithsej 1.175 shfaqje dhe premiera në institucionet qendrore të artit në të cilat morën pjesë 153.041 spektatorë.
Mbi 1/3-ën e këtyre spektatorëve e ka marrë Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor që regjistroi një pjesëmarrje mbi 55 mijë spektatorë gati katër herë më i lartë se një vit më parë. Pas tij vjen i Teatri Kombëtar Popullor dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit mban numrin më të ulët mes këtyre institucioneve sa i takon pjesëmarrjes së spektatorëve ku numri në vitin 2023 në raport me një vit më parë është përgjysmuar./ Monitor
/Burrat nene hije,lozin kuvendojne,pika qe s'u bie se nga grate rrojne!....Moj e mjera grua c'e do burre zine qe ftohet ne krua e ti mban shtepine?!/-Cajupi.Tani burrat shqiptare kane shkembyer krojet me aktivitetet artistike,se po te kishin kohe te mjaftueshme dhe grate e punet e detyrat ne shtepi te ndaheshin njelloj ne cift,do te kishte me shume femra ne aktivitete se sa burra,aq me teper qe femrat kane shpirt me artistik se meshkujt.S.d.q.perparime jane bere gjykuar nga statistikat,31 % per meshkujt me 28 % per femrat,pra nje diference prej 3 % qe nuk eshte shume e madhe.
Përgjigju