Në qytetin e Burrelit, kultura është shpalosur në çdo formë të saj, në festimet për 104-vjetorin e krijimit të Burrelit si qendër administrative e Matit.

Pjesë qendrore e festimeve ishte panairi i librit, ku lexuesit janë takuar me autorë, botues dhe studiues, duke e kthyer qytetin në një hapësirë të dijes.

“Ky është një aktivitet i parë i këtij lloji për Matin. Përveç librit kemi artizanatin, gastronominë dhe grupet kulturore. Qyteti ka qenë në festë dhe pjesëmarrja ka qenë shumë e madhe”, tha kryebashkiaku i Burrelit, Altin Bojni.

Stendat e librit kanë sjellë tituj të rinj dhe klasikë, ndërsa diskutimet mbi rolin e leximit kanë mbledhur emra të njohur të letrave shqipe.

“Libri mbetet urë mes njerëzve dhe dritare për njohjen e botës. Interesi në këtë panair tregon se kultura e leximit është ende e gjallë dhe me potencial të madh”, tha studiuesi Behar Gjoka.

Fitues i çmimit kryesor të panairit u shpall shkrimtari Namik Dokle me trilogjinë e tij “Fshati ku dielli lind dy herë”, duke kurorëzuar një festë të kulturës në zemër të Matit.

“Jam shumë i kënaqur që çmimin për trilogjinë atje ku dielli lind dy herë e kam marrë në Mat, në vendin e famshëm përsa i përket letrave shqipe, sepse këtu është vënë, është shqiptuar formula e pagëzimit për herë të parë në gjuhën shqipe. Vendi i Pjetër Budit, i cili është një nga prozatorët dhe poetëve e parë shqiptarë që ka shkuar në gjuhën shqipe dhe ndërkohë që është vendi dhe qyteti i një sërë autorësh, studiuesish, shkrimtarësh, poetësh, historianësh, arkeologësh”, tha shkrimtari Namik Dokle.

“Është një Burrel i transformuar, me një energji të jashtëzakonshme kulturore dhe një panair që e kthen qytetin në festë të librit”, tha botuesi Fatmir Toçi.

Të ardhurat nga shitjet, bëhet me dije se do të shkojnë për fëmijët me aftëstë kufizuara, ndërsa në panair nuk munguan as produktet tradicionale të zonës.

“Mjalti është bio, i prodhuar prej vitesh. Është punë familjare dhe traditë”, tha Hamit Dobra, banor i fshatit Burgajet.

Aktivitetet janë mbajtur në kuadër të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Lojërave Popullore, që këtë vit shënoi edicionin e tretë dhe organizohet nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale.