TIRANE - “Sworn Virgins”. Virgjëresha të betuara, ose burrneshat, siç i quajnë në gjuhën shqipe. Një fenomen në zhdukje që haset vetëm në disa zona të thella të veriut por të vazhdon të tërheqë shumë opinionin publik në vendet perëndimore. Burrneshave, fotografi Jill Peters u ka dedikuar vitet e fundit vëmendjen e tij dhe koleksioni i shkrepjeve që ka grumbulluar është publikuar në disa media ndërkombëtare.

“Kanuni i konsideron gratë pronë e burrave të tyre”, shpjegon fotografi në një tekst të shkurtër që shoqëron fotot. “Liria për të votuar, ngarë makinën, drejtuar një biznes, fituar para, për të pirë duhan, mbajtur një armë apo për të veshur pantallona ishte ekskluzivitet i burrave”.

Vajzat që nuk kishin dëshirë t’u “faleshin” meshkujve përmes martesave të kombinuara nga familjet e tyre, kishin vetëm një alternativë, të bëheshin “sworn virgin”, burrnesha. E vetmja mënyrë që kishte një grua t’u ngritur në statusin e një mashkulli dhe të fitonte të drejtat e tij. Për të shfaqur dukshëm tranzicionin, virgjëresha e betuar prêt flokët, vesh rroba burrash dhe ndonjëherë ndryshon edhe emër. Sjelljet dhe gjestet mashkullore zëvendësojnë ato femërore. Duke bërë betimin si virgjëreshë e përjetshme, ajo bëhet “ai”.

E ndërsa modernizimi avancon edhe në fshatrat më të thella të Alpeve shqiptare, ky fenomen është tashmë drejt zhdukjes. “Vetëm disa burrnesha të moshuara mbeten ende. Rastet e reja janë të pakta dhe shihen nga brezat e rinj me skepticizëm”, thotë fotografi. “Dëshiroja të kapja portretet e tyre përpara se të zhdukeshin përgjithmonë. Udhëtova nëpër malet e Shqipërisë dhe ajo që gjeta ishte një grup i vogël njerëzish të jashtëzakonshëm. Mësova se burrneshat janë shumë të respektuara në komunitetet e tyre. Janë të pajisura me shumë forcë e krenari, dhe vendosin nderin e familjeve të tyre mbi gjithçka tjetër”.

Fotogaleria e fotografit Jill Peters

Redaksia online
(im/sg/shqiptarja.com)