TIRANË, 10 Dhjetor/ATSH/- Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, ka dalë sot në një deklaratë në ditën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
"Sot është Dita e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. 10 Dhjetori, caktuar në përkujtim të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, përbën një moment reflektimi dhe angazhimi për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shqipëria mbështet universlaitetin dhe pandashmërinë e të drejtave të njeriut. Mbrojtja më e mirë e të drejtave dhe lirive tona është e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin e një shoqërie demokratike", thuhet në deklaratën e ministrit Bushati.
Një theks i veçantë në deklaratën e ministrit Bushati i vihet respektimit të të drejtave të njeriut, duke cituar se "Për Shqipërinë, respektimi i drejtave të njeriut, është element vendimtar për konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjen e rolit të individit në shoqëri. Po kështu, respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut përbën gurin e themelit të ushtrimit të politikës sonë të jashtme. Vendi ynë ka tregues solid në përmbushjen e standardeve të të drejtave të njeriut, fakt i njohur dhe vlerësuar edhe nga organizatat ndërkombëtare. Ndaj, kontribuon së bashku me partnerët ndërkombëtarë në përballimin e krizave ndërkombëtare ku liritë dhe të drejtat e njeriut e dinjiteti njerëzor janë nën kërcënim".
"Këtë vit, 10 dhjetori e gjen Shqipërinë si anëtare të zgjedhur për herë të parë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut. Zgjedhja e Shqipërisë në këtë organizëm të respektuar ndërkombëtar është vlerësim dhe garanci shtesë për një angazhim konsistent në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shqipëria ka shumë për t'i ofruar botës përmes vlerave që e karakterizojnë, si bashkëjetesa fetare, përkushtimi për paqe e stabilitet demokratik në rajon, toleranca dhe mikpritja", përfundon deklarata e ministrit Bushati.i.v//a.ke/








