Bushati: Bujar Nishani si opozita
...ka bojkotuar çdo komunikim!

Bushati: Bujar Nishani si opozita<br />...ka bojkotuar çdo komunikim!
TIRANE- Marrëdhënia mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Presidencës me sa duket nuk është ajo e duhura. Pavarësisht insistimeve të ministrit Bushati për të komunikuar me Presidentin Nishani lidhur me ngjarjet në stadiumin e Beogradit, por edhe ngjarjet më pas, kryediplomati shqiptar thotë se nuk ka patur ende një takim me Kreun e Shtetit. I ftuar në emisionin "5 Pyetjet nga Babaramo", ministri i Punëve të Jashtme është ndalur tek marëdhëniet mes institucionit që ai drejton dhe Presidencës. Duke e cilësuar shqetësuese edhe mungesën e mbajtjes së një qëndrimi nga ana e Presidentit sa i takon çështjeve të rëndësishme të politikës, ministri Bushati thotë se nevojitet bashkëpunim.
 
“Unë ende nuk kam pasur një kontakt me Presidentin në lidhje me zhvillimet dramatike në stadiumin e Beogradit, por edhe ngjarjeve që i paraprinë dhe shoqëruan ngjarjet. Kam kërkuar ta informoj Presidentin për atë qëndrim atë ditë. I kam çuar edhe mesazh telefonik, me shpresën se qëndrimi i shprehure nga ministri i Jashtëm të ishte referues edhe për Presidencën, siç kam njoftuare dhe Kryeministrin apo Kreun e Kuvendit. Në gjykimin tim kjo është shqetësuese. Siç mund të jetë shqetësuese edhe mungesa e qëndrimit për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme. Ky raport presidencë-institucion nuk është i lidhur me politikën e burimeve njerëzore, por me çështje që janë të rëndësishme për politikën e jashtme, Presidenti për shkak të pozicionit të tij kushtetues, është ushtrues i politikës së jashtme”, tha ministri Bushati.

Shefi i diplomacisë tha se marrëdhëniet me Greqinë janë në rrugën e duhur. I pyetur në lidhje me marrëveshjen detare me Greqinë, ministri Bushati tha se palët kanë qëndrime të kundërta. Si zgjidhje mund të jetë ose rinegociimi i marrëveshjes ose arbitrazhi.

"Në marrëdhëniet me Greqinë janë në një pikë të mirë, duke iu referuar pikënisjes së ulët. Kemi bërë hapa konkret, moratoriumi për toponimet, zhbllokimi i situatës në fushën e transportit, besoj se ka një kuptueshmëri në lidhje me komisionet që janë aktivizuar në fushën e arsimit dhe ekspertë historianë do thonë fjalë e tyre në këtë drejtim. Nuk ka një punë për përcaktimin e vijës kufitare detare. Pozicionet tona janë larg, pala greke kërkon respektimin e marrëveshjes të nënshkruar, ne po kemi një qëndrim tjetër. Për rastin tonë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm. Rinegociimi, apo dhe arbitrazhi është një mundësi. Është në interes të dy palëve të gjejmë një zgjidhje. Ka seriozitet dhe besoj që janë nxjerrë mësime për gabime nga e shkuara", u shpreh ministri.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka përcjellë detaje edhe nga vizita dyditore e kryeministrit Rama në Serbi, nga protokolli për zhvillimin e bisedës, takimi kokë më kokë i dy kryeministrave të Shqipërisë e Serbisë, si dhe konferenca e dy homologëve në Beograd. Ndërkohë që gjatë dy ditëve të vizitës së kryeministrit Rama në Beograd, por edhe pas kësaj vizitë, vëmendja u përqendrua tek deklaratat për Kosovën, dhe bisedimet për Luginën e Preshevës, ministri Bushati sjell një tjetër detaj. Ministri i Jashtëm shqiptar thotë se në takimin Rama-Vuçiç është biseduar edhe për praninë ruse në Serbi, duke vënë theksin në rëndësinë e ruajtjes së sigurisë e paqes në rajon, si dhe duke theksuar rrugën e përbashkët të vendeve të rajonit drejt integrimit europian.
 
Ministri Bushati ka ripërmendur edhe njëherë rëndësinë e kësaj vizite nisur edhe nga konteksti i marrëdhënieve mes dy vendeve tona, ndërsa është ndalur edhe tek bisedimet dhe marrëveshjet e arritura mes dy vendeve.
 
Sipas kryediplomatit shqiptar qëndrimet e shprehura nga opozita shqiptare, nuk janë ato të pritshmet në rastin e një vizite të tillë historike, e cila sipas ministrit Bushati nuk ka të bëjë me prirjet politike, por është kombëtare.
 
Sa i takon protokollit, ministri Bushati tha se është bërë gjithçka në mënyrë të mirëorganizuar.
 
Sa i përket deklaratave të kryeministrit Rama për Kosovën, ministri Bushati thotë se ky nuk është një provokim por një realitet, dhe një qëndrim i shprehur nga qeveria shqiptare.

Le të ndalemi tek vizita e kryeministrit Rama në Serbi. Si ka qenë kjo vizitë?
Kjo ishte një vizitë e vështirë për të cilën është punuar në disa drejtime, jo vetëm në kuptimin e mesazheve që do të përcillte kjo vizitë. Ka qenë e vështirë për vetë kontekstin ku ndodhen marrëdhëniet midis dy vendeve, pasi ishte vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Serbi, pasi Enver Hoxha ka qenë në Jugosllavi. Dhe shkëmbimit të deklaratave për ta zhvendosur për në 10 nëntor. Pas një interesi në rritje të komunitetit ndërkombëtar, është vështirë të thuhet se ishte menduar për një ndërprerje. Vizita të tilla përgatiten shumë kohë përpara.
 
A pati ndonjë moment që vizita mund të ishte në rrezik dhe të duhej të anulohej?
Jo. Që nga momenti që u ra dakord, për diçka u rakorduam për vizitën. Edhe pas konferencës mes dy kryeministrave toni dhe takimi nuk ka qenë i lehtë, për shkak të emocionit që mbartte kjo bisedë. Por besoj se ishte e pritshme që për Kosovën, për Preshevën, apo për minoritarët, do të kishte qëndrime të ndryshme.
 
Është folur për praninë Rusë në Serbi?
Natyrisht që është folur, edhe për praninë e aktorëve të tretë na rajon. Kjo është një çështje për të cilën qëndrimi i Shqipërisë është i qartë, dhe në përputhje të plotë me aleancën euroatlantike. Sa i përket qeverisë serbe, duket qartë se e ka të vështirë të tregojë një qëndrim tjetër sa i takon edhe përpjekjeve të saj për anëtarësimin në BE. Serbia do të fillojë tryezën e bisedimeve me BE, edhe çështje që kanë të bëjnë me politikën e saj në rajon.
 
Dy-tre ditë pas vizitës së Ramës në Beograd, në kufirin me Kosovën, u zhvillua një stërvitje e përbashkët e trupave ruse e serbe. Në dijeni tuaj ishte e planifikuar më parë apo provokim?
Ne kemi qëndrimin tonë për këtë çështje. Për të gjithë rajonin duam sigurinë, dhe të jenë të mbrojtur nga NATO. Duam të jetësohet perspektiva për të gjitha vendet e rajonit. Është në interesin e sigurisë së rajonit por edhe Europës, që pjesë e këtij projekti të jenë edhe Serbia edhe Kosova, pra të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria ka një përgjegjësi edhe më të madhe në raport me vendet e tjera të rajonit, edhe për shkak të anëtarësisë së saj në NATO, pasi duhet të zbatohen disa standarde dhe të ndiqet një politikë e caktuar. Duket se me manovrat ushtarake dhe me stërvitjet ushtarake me Rusinë, apo me paradën ushtarake që iu rezervua presidentit Putin në Beograd, u duk se Serbia po lëshonte mesazhe në të kundërt me ato që ka aderuar. Dera e NATO-s megjithatë do të vazhdojë të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit, për sa kohë që vendet të plotësojnë standardet e kërkuara.
 
Lidhur me paradën që iu rezervua presidentit Putin dhe stërvitjes së përbashkët, në dijeninë tuaj çfarë reagimesh ka patur në Bruksel?
Qëndrimi ynë i njësuar me atë të SHBA dhe BE nuk është kundër Rusisë, por në qasje të politikave të nismave ku ne aderojmë. Prania në këtë paradë në nivelet më të larta të tribunës vip të ish gjeneralëve të ish-Jugosllavisë, 3 prej të cilëve të dënuar. Këto janë simptoma shqetësuese, edhe sa i takon reformave që duhet të ndërmarrin këto vende. Padyshim që kjo krijon shqetësim edhe në Bruksel.
 
Në bisedimet Rama-Vuçiç a ju kërkua Vuçiç që Serbia të bëhet pjesë e embargos që gjithë perëndimi i ka vendosur Rusisë?
Kjo është pjesë e dosjes diplomatike të Shqipërisë në raport me gjithë vendet e tjera. Është përmendur nevoja e rakordimit të politikave në rajon sa i përket synimit të përbashkët për integrim europian. Kriza në Ukrainë u pasqyrua edhe në rajonin tonë, sa i përket mënyrës sesi vendet reaguan sa i takon krizës. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim rigoroz mbi nevojën për të rakorduar shqetësimet për të ruajtur sigurinë në rajon.
 
Gazi rus është arma politike më i fortë që përdor Putin. Mbase ky është një nga shkaqet e qëndrimeve të ndryshme të vendeve të rajonit. A u fol me Vuçiç për çështjet e gazit dhe energjisë?
Duhet t’i ndajmë këto çështje. Sa i takon projekteve energjetike, mund të themi se është një ndër 4 pilarët kryesore të listuara në bisedimet e Berlinit. Por nuk është diskutuar në drekën pas takimin apo në darkën që mund të themi nuk ishte plotësisht zyrtare.
 
Berisha dhe zëra të tjerë thanë se kjo ishte një vizitë e nxituar. Ju çfarë qëndrimi keni?
Është për të ardhur keq qëndrimi që vjen nga opozita porsa i përket kësaj vizite, e sidomos në lidhje me tema që nuk kanë të bëjnë me prirjet politike të partive këtu, apo të qytetarëve shqiptare. Si porsa i përket përmbajtjes së vizitës ashtu edhe protokollit, qëndrimet e shprehura janë për të ardhur keq. Ne Beograd kishte një protokoll të mirëpërcaktuar dhe një organizim të rënë dakord paraprakisht nga stafet e protokollit të dy vendeve.
 
Kur zbritëm nga avioni pamë flamurin serb, dhe një shtyllë tjetër ku duhet të ishte flamuri shqiptar dhe aty ishte bosh...
Por ceremonia zyrtare nuk ishte aty, por në pallatin presidencial. Mos harrojmë faktin që në aeroport për kortezi delegacioni ynë u prit nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme. Ceremonia zyrtare është ajo që u zhvillua në pallatin e Serbisë. E para është çështja e mesazheve dhe e substancës. Ka qenë një vizitë e mirëmenduar, e analizuar mjaft mirë sa i përket mesazheve, marrëveshjeve, interesave tona, identifikim i qartë i linjave ndarëse, dhe çështjeve që mund të kenë interes të ndërsjellë. Sa i takon marrëveshjeve të firmosura, së pari në shkëmbim në fushën e rinisë. Është një marrëveshje e propozuar në tryezën e kancelares Merkel. Me insistimin tonë në këtë marrëveshje është parashikuar edhe koha kur palët do të përfundojnë njohjen e ndërsjellë të diplomave. Modalitetet për marrëveshjen do të duhet të shkruhen, të bihet dakord, por në parim u ra dakord.
 
Por Berisha thotë që në parim është rënë dakord që në 2012? Me kusht që Serbia të merrte presidencën e BE.
Unë besoj atë që është, që ne ramë dakord në parim. Fjalët e tjera i merr era. Unë nuk e di se ku e gjen këtë argument Berisha. Kishte një insistim nga pala jonë për të patur një afat kjo marrëveshje, se kur do të finalizohej çështja për njohjen e diplomave. Marrëveshja u firmos nga unë dhe nga Daçiç. Çështja tjetër ka të bëjë me lëvizjen e qytetarëve shqiptarë dhe serbë me kartë identiteti pa pasur nevojë për pasaportë. Kjo është një procedurë që do të jetësohet përmes vendimeve që do të marrë qeveria serbe, e më pas qeveria shqiptare. Më pas do të duhet të përcaktohen modalitetet për njohjen e diplomave, dhe kjo do të thotë se kemi hyrë në një proces. lista e çështjeve që ne do të duhet të adresojmë qoftë në planin dypalësh, apo të projekteve të përbashkëta, është më e madhe se kaq. Ne do të kemi një vizitë të kryeministri serb në Tiranë, jo për të realizuar çdo gjë, por për të negociuar. Vizita tjetër që do të zhvillohet në Tiranë do të duhet të shënojë një hap tjetër përpara, pas thyerjes së akullit në këto marrëdhënie, me vizitën e Ramës në Beograd. Këto takime që ne zhvillojmë është një mundësi e mirë për të avancuar në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
 
Avioni me të cilin udhëtuam ishte me flamur boshnjak, a ju duket kjo një mungesë e theksuar serioziteti në një vizitë të parë të kryeministrit shqiptar në Serbi.
Shumica e kompanive që ofrojnë shërbime fluturimi nuk janë kompani të një vendi të caktuar. Pra nuk ka një avion shtetëror, por është kontaktuar agjencia në përputhje me të gjitha rregullat dhe kuadrin normativ. Është bënë në dispozicion një avioni i një kompanie. Por nuk shoh asgjë të keqe as të flamuri boshnjak.
 
Çfarë u fol në bisedimet paraprake që i paraprinë konferencës për shtyp. Për çfarë u ra dakord dhe për çfarë jo?
U ra dakord për marrëveshjet që u firmosën. Edhe që të ecet dhe të shihet mundësia e përfundimit të marrëveshjes së shkëmbimit për rininë. Por nuk u fol se çfarë do të deklarohej. Ka raste ku dy homologët bien dakord paraprakisht se çfarë do të thuhet, në disa raste kjo. Ajo çka kryeministri Rama tha aty ishin të gjitha të konsultuara. Në raste të tilla asgjë nuk mund t’i lihet surprizave.
 
Ka shumë vetë që mendojnë se bisedimet kokë me kokë më Vuçiç u bisedua për atë që do thuhej? A mendoni se deklarata e Kosovës nëse do ishte formuluar në një mënyrë më soft do të shmangte edhe deklaratën e Vuçiç?
Marrëdhëniet janë më mirë nga sa ishin para vizitës. Është hapur një proces bashkëpunimit, dhe është rënë dakord për disa marrëveshje. Kosova është një realitet rajonal, europian e ndërkombëtar. Kryeministri nuk ka thënë asgjë të re në qëndrimin për Kosovën. Dhe kjo nuk ka pse të merret si një provokim. Kryeministri e ka thënë shumë qartë, dhe mes rreshtave është e kuptueshme se Kosova nuk ndan Shqipërinë me Serbinë, por ndan Serbinë nga qëndrimet e saj.
 
A u ra dakord për të bërë një “teatër” për të thënë që s’jemi dakord dhe për të qetësuar opinionet publike përkatëse?
Unë e mohoj kategorikisht. Pasi përndryshe do të kishin rënë dakord edhe për marrëveshjet.
 
U duk sikur vizita po dështonte, ju gjatë ditës së parë në Serbi çfarë  bisedash keni bërë me kanelaritë europiane?  
Normalizimi i marrëdhënieve është i domosdoshëm, transformimin i Ballkanit është domosdoshmëri. Nuk ka një proces anëtarësimi me çmim të reduktuar. Sa i përket telefonatave, ne kemi qenë në mënyrë konstante në bisedime kancelaritë kryesore, në ato në Bruksel dhe në SHBA. Mund t’iu them që kam qenë në kontakte me shefen e  diplomacisë europiane, Frederica Mogherinin dhe vendet kyçe, për të diskutuar jo vetëm me atë çfarë po ndodhte. Ata nuk e dini dhe nuk kanë pse ta dinin atë që do thoshte Rama në Beograd. Nuk ka pasur shqetësim për deklaratat e kryeministrit Rama.  Edhe pas vizitës në Serbi, kur unë kam qenë në Bruksel, kam pasur shumë takime dhe është folur për këtë vizitë. Për vizitën në Beograd ne kemi punuar shumë kohë para.

Patët sugjerime se çfarë do të bënte Rama në Preshevë?
Nuk ka pasur asnjë sugjerim.
 
Po anulimi i ceremonisë së dhënies së çelësit të Beogradit?
Nuk ka pasur asnjë interes për këtë detaj. Interesi jonë ka qenë përmbajtja e dosjes për këtë vizitë, marrëveshjet dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Për çështjet e sigurisë gjithashtu ka pasur njerëz që kanë punuar fort nga të dyja palët që kjo vizitë të shkojë pa asnjë incident. Nuk ka pasur një plan që Rama të marrë çelësin e qytetit.  

Darka mes dy kryeministrave, kush e ndërmjetësoi?
Asnjë ndërmjetësim, ishte vetë kryeministri serb, Vuçiç që bëri një ftesë për një takim pa kollare. Ishte një bisedë e relaksuar. Dhe në darkë pati momente të nxehta si dhe momente relaksuese.
 
Kryeministri kinez do të jetë në Beograd, a do ketë një takim tjetër dy palësh me kryeministrit Rama dhe Vuçiç?
Deri në këto momente nuk di të ketë një takim dy palësh. Por në këtë format ke mundësi të takohesh me shumë homologë, jo vetëm për takim më Vuçiç por dhe me kryeministra të tjerë. Jam i bindur që ata do takohen papë.

Efekti i dronit, pati reagime në Kancelaritë evropiane? Ju çfarë reagimesh keni marrë nga homologët tuaj?
Në kancelaritë kryesore nuk ka pasur një shqetësim, e dinë kursin e Shqipërisë. Ka pasur shqetësime dhe një lloj vetëdijesimi për brishtësinë e stabilitetit në rajon, këtu kam parasysh procesin e Berlinit apo dhe projekte të tjera.
 
Ka një mbledhje të përbashkët qeverie mes Maqedonisë dhe Shqipërisë?
Maqedonia ka një listë gjerash që duhet të plotësojë. Kryeministri Rama ka kërkuar respektimin  marrëveshjes së Ohrit, si busull të modernizimit të saj. Mbledhje të përbashkët të dy qeverive ka vetëm me Kosovën, ne po presim qeverinë e re të Kosovës për të vazhduar më tej. Me Maqedoninë nuk ka, kjo nuk do të thotë që në të ardhmen këtë praktikë ta bëjmë dhe me Maqedoninë. Por duhet të ketë interes të përbashkët, nuk është çështje simbolike.

Po marrëdhëniet me Greqinë ku janë? Marrëveshja detare?
Në marrëdhëniet me Greqinë janë në një pikë të mirë, duke iu referuar pikënisjes së ulët. Kemi bërë hapa konkret, moratoriumi për toponimet, zhbllokimi i situatës në fushën e transportit, besoj se ka një kuptueshmëri në lidhje me komisionet që janë aktivizuar në fushën e arsimit dhe ekspertë historianë do thonë fjalë e tyre në këtë drejtim. Nuk ka një punë për përcaktimin e vijës kufitare detare. Pozicionet tona janë larg, pala greke kërkon respektimin e marrëveshjes të nënshkruar, ne po kemi një qëndrim tjetër. Për rastin tonë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm. Rinegociimi, apo dhe arbitrazhi është një mundësi. Është në interes të dy palëve të gjejmë një zgjidhje. Ka seriozitet dhe besoj që janë nxjerrë mësime për gabime nga e shkuara.

Në festimet e 70 vjetorit dolën fotot e Enver Hoxhës. Pati dhe një reagim të ambasadorit amerikan, tek ju ka pasur një ankesë?
Qëndrimi i kryeministrit ka qenë shumë i qartë. Nuk është hera e parë e fotove, është një akt që është dënuar. Nuk ka pasur asnjë shqetësim të shprehur në rrugë diplomatike tek unë.

Po sa i takon diskutimeve për politikën e burimeve njerëzore në Ministrinë e Jashtme, përfshirë edhe ambasadorët?
Politika e burimeve njerëzore, duket përfshirë edhe ambasadorët, është një politikë e ministrisë, dhe i tillë duhet të jetë edhe ky proces. Me të drejtë drejtohet kjo pyetje, por mbeten në hije çështje të tjera që janë themelore. Ne jetojmë në një politikë, që mirë që nuk ka qëndrime serioze nga opozita, por nuk ka as nga Presidenti. Unë ende nuk kam pasur një kontakt me Presidentin në lidhje me zhvillimet dramatike në stadiumin e Beogradit, por edhe ngjarjeve që i paraprinë dhe shoqëruan ngjarjet. Kam kërkuar ta informoj Presidentin për atë qëndrim atë ditë. I kam çuar edhe mesazh telefonik, me shpresën se qëndrimi i shprehure nga ministri i Jashtëm të ishte referues edhe për Presidencën, siç kam njoftuare dhe Kryeministrin apo Kreun e Kuvendit. Në gjykimin tim kjo është shqetësuese. Siç mund të jetë shqetësuese edhe mungesa e qëndrimit për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme. Ky raport presidencë-institucion nuk është i lidhur me politikën e burimeve njerëzore, por me çështje që janë të rëndësishme për politikën e jashtme, Presidenti për shkak të pozicionit të tij kushtetues, është ushtrues i politikës së jashtme. Po kështu edhe sa i takon nismave rajonale. Institucioni i Presidentit është informuar nga ne për të gjitha aktivitetet e rëndësishme për të cilat ne mendojnë se presidenti ka një rol për të luajtur dhe duhet ta luajë. Nuk pres certifikata lavdërimi nga Presidenti i Republikës, kam bërë detyrën dhe vazhdoj ta bëj, se mbase Presidenti ka vendosur të flasë në heshtje.
 
A mendoni se procesi i integrimit po ngadalësohet për shkak të bojkotit të opozitës?
Strategjia e cika ka zgjedhur PD për të bërë politikë është vetëdëmtuese, nuk i shërben vendit, dhe as interesave të vetë kësaj partie. Është me rëndësi krijimi i urave të komunikimit, për të krijuar një proces pozitiv. Klima politike, ultimatumet, jo domosdoshmërisht e ndihmojnë Shqipërinë. Ajo që e shoh si të papranueshme nga PD është ajo që PD ka zgjedhur të veprojë sa i takon veprimeve që kanë të bëjnë me vendosjen e ligjshmërisë në vend. Sa i takon aksioneve kundër vjedhjes së energjisë, synohet vendosja e ligjshmërisë. Edhe nëse nuk ka mbështetje nga opozita në këto raste, atëherë mos të ketë nxitje për mos zbatim të ligjshmërisë. Çdo qytetar duhet të zbatojë ligjin.


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën