Ministri Ditmir Bushati ka zhvilluar një vizitë në familjen e Florenc Beqirajt në Shkodër duke i shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të 23-vjeçarit në Francë. Ministri është shprehur se pala shqiptare është në kontakt me autoritetet franceze, ndërsa pritet përfundimi i hetimeve.   

Bushati tha se qeveria ka marrë përsipër shpenzimet për transportin e trupit të viktimës në atdhe. “Jemi në kontakt të pandërprerë me autoritetet franceze, ministrinë e Brendshme dhe të Jashtme.

Të presim përfundimin e hetimeve.  Qeveria merr përsipër shpenzimet për transportin e trupit të viktimës dhe sjelljen në atdhe. Prioritare për ne është që hetimet të shkojnë deri në fund dhe të zbardhen rrethanat” deklaroi ai.

Florenc Beqiraj ndërroi jetë pak ditë më parë në Francë, pasi mjekët i hoqën aparaturat. Vdekja e të riut shkaktoi reagim të fortë në Shqipëri duke sjellë disa protesta në Tiranë, Shkodër dhe Kukës dhe djegien e flamurit francez.

Autoritetet franceze dhe Ministria e Jashtme shqiptare thanë se Beqiraj tentoi që të vetëvritej, ndërsa familjarët akuzojnë se u dhunua nga gardianët duke përfunduar në koma. 

dy.b/shqiptarja.com