Buxheti 2012, Berisha
mashtroi, investimet -18%

Buxheti 2012, Berisha<br />mashtroi, investimet -18%
TIRANE- Pak ditë më parë, duke folur me rastin e filllimit të punimeve në segmentet e rrugës së re nacionale Tiranë-Elbasan, jashtë tunelit, kryeministri Berisha deklaroi se "ne do të bëjmë gjithçka dhe do të përparësojmë në mënyrë absolute rritjen e investimeve, si kushtin më themelor, sepse rritja jep punësim, jep shtim të të ardhurave, sepse rritja ka potenciale zhvillimi, kurse shkurtimet rregullojnë disa parametra por rrënojnë disa të tjera. Paraardhësit tanë merrnin borxh për rrogat, për shpenzime operative, etj. As edhe një qindarkë nuk merret borxh për rrogat", tha ai.
Shifrat e realizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, të përgatitura nga ministria e Financave, përgënjeshtrojnë kryeministrin. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, shpenzimet kapitale, ose investimet, kanë marrë 16.4 miliardë lekë nga buxheti, por një vit më parë, në të njejtën periudhë tremujore, kjo shifër ishte 19.9 miliardë lekë, pra ka pësuar sivjet një tkurrje në masën 17.6 për qind.
TE ARDHURAT
Të ardhurat buxhetore tre muajt e parë të vitit kanë qenë vetëm 1.1 për qind më të mëdha se një vit më parë, por afro 30 milionë euro nën planifikimin. Me shenja negative ndaj objektivave kanë qenë gati të gjitha zërat e të ardhurave, me përjashtim të taksave nacionale. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) ishte vetëm 0.7% mbi vitin e kaluar, por 1.5 miliardë lekë poshtë planit. Ndërkohë, si një tregues tjetër shumë i fuqishëm i situatës ekonomike të vendit, shërben e ardhura nga tatimi mbi fitimin, që është sivjet 5 miliardë lekë deri në fund të marsit, por një vit më parë në këtë periudhë kishte sjellë në arkën e shtetit 6.4 miliardë lekë. Ulja është në masën 22 për qind.
SHPENZIMET
Në total, rritja e shpenzimeve është pak më e ulët se sa ajo e të ardhurave, në shkallë vjetore. Këto kanë marrë 0.7 për qind fonde më shumë se në tremujorin e parë të 2011-ës. Por, shpenzimet korrente kanë një rritje të konsiderueshme, prej 6 përqindësh, duke kaluar nga 69.5 miliardë, në 73.6 miliardë lekë. Qeveria e ka lëshuar së tepërmi dorën me shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, ku përfshihen edhe pagat e administratës, që kanë kaluar nga 6.9 miliardë, në 9.8 miliardë lekë të reja, me rritje në masën 43.2 për qind.
DEFICITI
Diferenca midis shpenzimeve e të ardhurave është 2.5 për qind më e ulët krahasuar me një vit më parë, në nivelin e 11.5 miliardë lekëve. Këtu dallohet se financimi i huaj i deficitit është rritur katër herë, duke kaluar nga shifra 1.4 miliardë lekë vitin e kaluar, në 5.7 miliardë lekë gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Ndërkohë, shifra e financimit të deficitit me burime brenda vendit (letra me vlerë e të ardhura nga privatizimet) është më e ulët se vjet, por ka tejkaluar planifikimin me 427 milionë lekë. Vetë deficiti buxhetor është rreth 22 milionë euro më i lartë se sa parashikohej nga ministria e Financave për periudhën në fjalë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës