Buxheti 2013 lë pa fonde vendorët
PS kërkon decentralizimin fiskal

Buxheti 2013 lë pa fonde vendorët<br />PS kërkon decentralizimin fiskal
TIRANE - Është përcjellë me debate lidhur me financimin e pushtetit vendor diskutimi i shifrave të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. Sipas opozitës, qeveria ka lënë praktikisht pa fonde bashkitë e komunat, ndërkohë që duhet të kthejë sërish në fuqi decentralizimin fiskal, që do t'u bënte atyre të mundur të administronin vetë taksat.

Në fakt, fondet për pushtetin vendor janë parashikuar kryesisht me ulje në projektbuxhetin e vitit 2013. Kjo ka bërë që deputetët e majtë të lëshojnë akuza ndaj qeverisë se një gjë e tillë ve në rrezik financat e vendorëve dhe se ul investimet për ta. Opozita gjithashtu propozoi decentralizimin e borxhit, çka do t'i krijojë mundësi një bashkie apo komune të marrë hua në mënyrë të pavarur.

"Transferta e pakushtëzuar në këtë projektbuxhet për pushtetin vendor, vetëm e pakushtëzuar nuk mund të quhet, pasi 60 për qind e tij - sipas nenit famëkeq 15 të projektbuxhetit - në 2013-ën kushtëzohet për paga dhe shpenzime operative dhe pjesa që mbetet thuhet se, nëse ndërmarrjet sh.a ujësjellës kanalizime janë debitore ndaj kompanisë CEZ, atëherë qeveria në tremujorin e katërt do të gllabërojë dhe ato pak fonde", tha Bashkim Fino, deputet i PS-së.

Ministria e Financave ka hedhur poshtë pretendimet e deputetëve socialistë për ulje të fondeve që qeveria u jep vendorëve. "Fondet për pushtetin vendor në total, duke përfshirë të ardhurat, taksat e rentave minerare e nga të gjitha të ardhurat e tjera tatimore janë 4.7 për qind por marrim vetëm treguesin e transfertës së pakushtëzuar ajo është 2 për qind. Shpenzimet kapitale rriten 10.8 për qind", tha Mimoza Dhëmbi, drejtore e Buxhetit tek ministria e Financave.

Lidhur me borxhet që ujësjellësat i kanë CEZ-it, në buxhet parashikohet që në 4 muajt e fundit të vitit t'u zbritet ky detyrim fondeve të vendorëve. Projektbuxheti 2013 u miratua në parim vetëm më votat e maxhorancës, ndërkohë që të majtët votuan kundër.

Debatet në Komisionin parlamentar të Ligjeve mbi projektbuxhetin 2013

Bashkim Fino

Transferta e pakushtëzuar në këtë p/buxhet për pushtetin vendor, vetëm e pakushtëzuar nuk mund të quhet, pasi 60 për qind e tij, sipas nenit famëkeq 15 të projektbuxhetit, në 2013-ën kushtëzohet për paga dhe shpenzime operative dhe pjesa që mbetet thuhet se, nëse ndërmarrjet sh.a ujësjellës-kanalizime janë debitore ndaj kompanisë CEZ, atëherë qeveria në tremujorin e katërt do t'i gllabërojë dhe ato pak fonde. Pse me dy standarde me pushtetin vendor?

Mimoza Dhëmbi
Fondet për pushtetin vendor në total, duke përfshirë të ardhurat, taksat e rentave minerare e të gjitha të ardhurat e tjera tatimore, janë 4.7 për qind, por, po të marrim vetëm treguesin e transfertës së pakushtëzuar, ai është 2 për qind. Shpenzimet kapitale rriten 10.8 për qind.

Bashkim Fino
Pse nuk i është dhënë hapësirë pushtetit vendor që të ushtrojë me ligj huamarrjen? Ju nuk na keni dhënë asnjë informacion për fondin e zhvillimit të rajoneve. Sa investime janë bërë për 2012 nga ky fond?

Pandeli Majko
Ka një situatë të rënduar që lidh KESH, CEZ dhe shtetin. Ka buxheti një fond për këtë? Privatizimi i Albpetrolit është firmosur nga qeveria, paratë e privatizimit janë përfshirë në buxhet? Ekziston ndonjë strategji përsa i përket borxhit të brendshëm që ka qeveria?

Mimoza Dhëmbi
Nuk di të them nëse është negociuar për KESH dhe CEZ. Ajo çfarë do të ndodhë është që furnizimi me energji elektrike do të jetë i pandërprerë. Privatizimi i Albpetrolit nuk është parashikuar në buxhet. Çdo e ardhur nga privatizimet strategjike përdoret për investime dhe uljen e borxhit. Fondi për ish-të përdjekurit është rritur, është bërë 3% e buxhetit.

Vasilika Hysi
1.3 miliardë lekë të vjetra janë përdorur për lobim në Amerikë. Nuk e kuptoj pse kaq shumë?! Në fondin rezervë të 2013-ës, ka ndonjë kriter sesi do përdoret ky fond nga qeveria?

Mimoza Dhëmbi
Fondi është bërë për raste të paparashikuara në buxhet.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com


(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?