Buxheti 2015, KVV: Më shumë
fonde për zgjedhjet vendore

Buxheti 2015, KVV: Më shumë<br />fonde për zgjedhjet vendore
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë  ka reaguar për projektligji “Për buxhetin e vitit 2015” i cili është duke u diskutuar këto ditë nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Sipas këtij koalicioni viti që vjen është një vit zgjedhor, ndaj në këtë projektbuxhet duhet të ketë fonde shtesë për përmbushjen e standardeve më të mira të zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Deklarata e plotë

Projektligji “Për buxhetin e vitit 2015” është duke u diskutuar këto ditë nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat dhe është parashikuar të kalojë në parim në seancën plenare të ditës së Hënë datë 17 nëntor 2014.
 
Viti që vjen është një vit zgjedhor pasi në një nga dy të dielat e fundit të Qershorit do të mbahen Zgjedhjet e Reja Lokale, për zhvillimin e të cilave në Projekt Buxhetin e vitit 2015 është parashikuar vetëm një fond shtesë për KQZ-në prej 600 milionë lekësh.
 
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) ngre shqetësimin në lidhje me një detyrim thelbësor të parashikuar nga ligji zgjedhor mbi njoftimin me shkrim të të gjithë zgjedhësve.
Ky njoftim përmban renditjen e emrit të zgjedhësit në listat paraprake si dhe qendrën e votimit ku është parashikuar të votojë zgjedhësi. Njoftimi kundërfirmoset nga çdo zgjedhës personalisht ose nga një anëtar madhor i familjes së tij që gjendet në banesën e zgjedhësit.

Për këtë proces shumë të rëndësishëm Kodi Zgjedhor ngarkon Njësinë e Qeverisjes Vendore (NJQV) ku banon zgjedhësi, dhe Kryetari i NJQV-së raporton për përmbushjen e këtij detyrimi sipas udhëzimit të Ministrit të Brendshëm.

Ky proces thelbësor në sanksionimin e të drejtës së zgjedhësit për të votuar nuk është zbatuar asnjëherë sikundër parashikon ligji, për shkak edhe të mosparashikimit dhe mos shpërndarjes së fondit të posaçëm, të nevojshëm për përmbushjen e detyrimit që Kodi Zgjedhor ua ngarkon Njësive të Qeverisjes Vendore, prej Ministrisë së Punëve të Brendshme.
 
Koalicioni thekson se nisur nga sa parashikohet në Kodin Zgjedhor[1], procesi i njoftimit me shkrim të zgjedhësve bëhet brenda 60 ditësh dhe duhet të nisë jo më vonë se data 15 janar 2015 dhe të mbarojë jo më vonë se 16 marsi 2015, në varësi të datës se kur Presidenti i Republikës do të shpallë datën e zgjedhjeve.

 Lidhur me këtë detyrim kushtetues e ligjor, Koalicioni i kërkon Ministrisë së Punëve të Brendshmë, Ministrisë së Financave dhe Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, të bëjnë parashikimin dhe miratimin e fondit të nevojshëm për realizimin e këtij procesi që përcakton drejtëpërsëdrejti standardet e ardhshme zgjedhore.

 Për më tepër, sikundër është kërkuar edhe nëpërmjet deklaratës së 29 Korrikut[2] për marrjen e masave për pastrimin e Listës së Zgjedhësve prej rekordeve të dyshura si të dubluara, si dhe për saktësimin e adresave të rreth 350.000 zgjedhësve, KVV iu kërkon këtyre institucioneve parashikimin dhe miratimin e shpenzimeve të nevojshme për zgjidhjen serioze, cilësore dhe në një kohë sa më të shpejtë të problemeve të mësipërme, të cilat në kushtet e zgjedhjeve për 61 njësitë e reja vendore, kanë një peshë të konsiderueshme në përcaktimin jo vetëm të standardeve të zgjedhjeve, por edhe të rezultateve që do të dalin prej tyre.

 Në përfundim, Koalicioni ngre shqetësimin edhe për mosparashikimin në projekt buxhetin e vitit 2015 të një fondi të veçantë për zbatimin e Teknologjive të Reja të Votimit dhe Numërimit në zgjedhjet e ardhshme, sikundër parashikohet nga Kodi Zgjedhor[3], gjë që bën akoma edhe më të domosdoshme gjetjen e menjëhershme të konsensusit dhe uljen e të gjithë faktorit politik për ndërmarrjen sa më parë të reformës zgjedhore dhe të të tjerave me rëndësi kushtetuese dhe jetike për vendin dhe qytetarët.





Redaksia Online
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS