“Për vitin 2015 është planifikuar një trajnim për mësuesit shqiptarë”. Kështu deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla në Komisionin e Ekonomisë, në lidhje me buxhetin e vitit 2015.

Sipas saj, një ndër prioritetet e ministrisë është arsimi parashkollor, i cili krijon bazat e shëndetëshme të së ardhmes. “Ne jemi përpjekur në një reformë të madhe dhe sigurisht që me kurrikulën e re do të ndjekim hap pas hapi sistemin në klasën e parë dhe te gjashtë dhe vitin që vjen do të kemi mundësi për këtë kurrikul të tyre me standarde europiane, për fëmijët e moshës mbi 3 vjec duke u kujdesur për investimin në moshë të hershme”.

Numri një i arsimit tha para deputetëve të këtij Komisioni se gjatë vitit 2015 është planifikuar të ndërtohet një komunikim i ri mes prindërve dhe mësuesëve.
 
“Do të ndërtojmë shkolla të reja”, theksoi ministrja Nikolla. Sipas saj do të financohen 100 projekte të reja, ku do të ketë ndërtim të shkollave të reja dhe rikonstruksione.
 
Ministrja tha se me buxhetin e vitit 2015 do të rritet numri i pedagogëve me 800 te rinj si dhe do të ndërtohen laboratore të reja.

Kryetari i këtij Komisioni, deputeti socialist Erjon Braçe ka kërkuar trasparencë për personat që administrojnë fondet për arsimin e lartë, që janë 100 milion dollarë.
 
Por ministrja Nikolla tha se nuk ka munguar transparenca për përdorimin e fondeve.
 
Një tjetër pikë ishte dhe mbështetja e sportistëve. Ministrja Lindita Nikola tha se janë dhënë gjithë shpërblimet ndaj sportistëve, madje dhe ato të prapambetura.





Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)