Buxheti i Shtetit i vitit 2026 vjen në një moment kur presionet demografike, inflacioni i viteve të fundit dhe rritja e kostove të jetesës kanë shtuar kërkesën për një qasje më të balancuar dhe më sociale ndaj moshës së tretë.
Pensionistët përfaqësojnë një nga grupet më të ndjeshme në shoqëri, ndaj mënyra se si Buxheti i Shtetit i trajton ata është një sprovë e drejtpërdrejtë mbi përparësitë e qeverisë dhe orientimin që qeveria i bën politikave publike.
Buxheti i Shtetit i vitit 2026 ka parashikuar një mekanizëm të ri mbështetës për pensionistët: shtesat mujore, që në pesë vjet do të kapin shifrën 1.5 miliardë euro.
Janë paracaktuar në Buxhetin e vitit 2026 rreth 104 milionë euro, të cilat synojnë të zbusin presionin e kostove të larta të jetesës dhe të rrisin fuqinë blerëse të moshës së tretë. Këto shtesa janë një element i ri, krahasuar me vitet e mëparshme, ku mbështetja zakonisht jepet një herë në vit ose me skema kompensimi të pjesshme.
Shtesat mujore paraqesin disa përfitime të dukshme. Ato realizojnë rritjen e menjëhershme të të ardhurave mujore për pensionistët. Shtesa mujore, edhe pse modeste, në nivel gjashtëqind deri në 1 mijë e tetëqind lekë ose 7-19 euro, sipas kategorive të pensioneve, mbështet shpenzimet e pensionistëve për mallrat e përditshme të shportës ushqimore, për barna dhe trajtime mjekësore, si dhe shpenzimet për energji, ujë dhe transport.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për pensionistët me pension minimal, të cilët kanë të ardhura të pamjaftueshme për nevojat themelore të tyre.
A i rrisin pensionet propozimet e Bankës Botërore?
Në ditë e fundit janë bërë publike disa propozime të grupit të eksperteve të Bankës Botërore që po punojnë me ekspertë të qeverisë, për ndryshimet në reformën e ardhshme të pensioneve që projektohet të nisë në vitin e ardhshëm.
Duhet të kuptojmë qartë thelbin e këtyre propozimeve. Ekspertët e huaj kërkojnë të hiqet pragu i 15 vite punë me sigurime shoqërore të paguara, për të përfituar pension të pjesshëm. Nga heqja e këtij pragu përfitojnë sidomos gratë rurale qe jane me dhjetra mijëra dhe që kanë pak ose aspak vite pune me sigurime shoqërore.
Specialistët e Bankës Botërore kërkojnë po ashtu edhe balancimin financiar afatgjatë të skemës së pensioneve, rritjen e kontributeve, rishikimin e formulës, rritjen e moshës efektive të daljes në pension në 65 vite për gratë dhe në 70-72 vite për burrat, forcimin e skemës shtesë të pensioneve, uljen e informalitetit dhe mbrojtjen më fort të pensioneve të ulëta.
Shqipëria po përballet me skemë jo të qëndrueshme të pensioneve shtetërore, që çdo vit e rëndon Buxhetin e Shtetit me 150-200 milionë euro që i merr nga fondet për arsim e shëndetësi. Po përballemi më raport alarmant mes kontribuesve me përfituesit, pensionistët, në 1.17 kontribues me një përfitues!
Është raporti më i ulët në Evropë dhe ndër më të ultit në botë, për shkak të trukimit të pagave në privat me një të tretën! Në çdo tre rroga në privat, një nuk i tregohet si duhet Shtetit. Është shumë më e madhe nga sa deklarohet. Po përballemi me emigracion masiv dhe plakje të popullsisë.
Propozimet e mësipërme të specialistëve të Bankës Botërore synojnë ta bëjnë sistemin e pensioneve më të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshëm. Por pyetja që shqetëson qytetarin e zakonshëm dhe sidomos pensionistët është vetëm një: a rriten pensionet me pranimin e këtyre propozimeve nga qeveria, apo jo?
Kjo është prova reale e çdo reforme. Banka Botërore premton qëndrueshmëri, jo rritje të menjëhershme. Rekomandimet e saj janë serioze dhe të domosdoshme. Të gjitha propozimet e Bankës Botërore e bëjnë skemën shtetërore të pensioneve më solide dhe afatgjatë. Por askush nga ekspertët nuk thotë se a do të rrisë kjo reformë pensionet në vitin 2026, 2027 apo 2028. Ndikimi është i ngadaltë, i përshkallëzuar dhe lidhet ngushtë me performancën, me si do të sillet ekonomia gjatë këtyre viteve.
Indeksimi me inflacionin nuk mjafton. Vetëm një indeksim i dyfishtë: inflacion plus rritje pagash, mund të prodhojë rritje të prekshme të pensioneve. Ky është propozimi më i drejtpërdrejtë i Bankës Botërore që prek pensionistin sot. Por edhe këtu, rritja e pensioneve nuk është dhuratë. Nuk është një mrekulli e pranimit të propozimeve të Bankës Botërore. Është kosto buxhetore që do të paguhet nga taksat e të gjithëve.
Formula është e qartë: më shumë vite pune, më shumë kontribute dhe pension pak më i lartë. Skema e sotme mund të rrisë pensionet ndjeshëm, vetëm nëse zgjerohet ndjeshëm baza e kontribuesve. Pra ato 170-180 mijë rroga të trukuara të dalin në dritën e diellit sa janë realisht. Pra, a rriten pensionet? Përgjigjja e sinqertë ka tre pjesë. Në afat të menjëhershëm pak. Në afatmesëm, në dy-pesë vite, pensionet rriten ndjeshëm vetëm nëse ekonomia rritet fort, formalizohet dhe indeksi ndryshon. Në periudhë afatgjatë, në 10-15 vite po, rriten në mënyrë të qartë.
Reforma sjell stabilitet, Buxheti sjell rritje, formalizimi sjell drejtësi, koha sjell rezultatet. Reforma e pensioneve është si mbjellja e një ulliri. Nuk të jep vaj vitin e parë, por të garanton prodhim për dekada
Komente











