Afro 75.45 miliardë lekë është buxheti i parashikuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministri Enea Karakaçi prezantoi në Komisionin e Burimeve Natyrore projektet që do të financohen gjatë vitit të ardhshëm, dhe se si do të ndahen paratë sipas programeve.

“Programi i transportit rrugor, synohet një sistem modern, i sigurt dhe i lidhur në kontekstin rajonal. Në 2027-ën do të vijohet me financim me prioritet të akseve të Korridorit VIII dhe Korridorit Blu. Për këtë program 35.15 miliardë lekë buxheti për këtë program për këtë vit, 90% është financimi i brendshëm dhe 10% i huaj. Për vitin 2027, prioritet do të kenë Elbasan-Qafë Thanë, Ura e Grykshit-Peqin, fazat e reja Tiranë-Durrës, akset e tjera të Tiranë-Ndroq Plepa si dhe ndërhyrjet për stabilizimin e aksit Librazhd Qafë Thanë. By-Pass i Tiranës, është i financuar aktualisht faza e parë 10 kilometra dhe vijojnë punimet, ndërsa vijimi i punimeve do të ketë financim edhe nga BERZH”, tha Karakaçi.

PROJEKTET E REJA RRUGORE QË DO FINANCOHEN NË 2027-ËN
Zgjerimi i rrugës Elbasan - Qafe - Thane (Faza IX)     -1 mld lekë.
Rivitalizimi i skarpateve ne aksin rrugor Elbasan - Ura e Bushtricës -840 milionë lekë.
Qendra e monitorimit te trafikut  Faza e III -400 milionë lekë.
Zgjerimi i superstrades Tirane - Durrës Faza IV -600 milionë lekë.
Zgjerimi i superstrades Tirane - Durrës Faza V  -600 milionë lekë.
Ndërtim aksi rrugor Ura e Grykshit - Peqin (lindje), Faza I  -800 milionë lekë.
Ndërtim aksi rrugor Ura e Grykshit - Peqin (lindje), Faza II  - 600 milionë lekë.
Ndërtim aksi rrugor Ura e Grykshit - Peqin (lindje), Faza III  -600 milionë lekë.
Rikonstruksion i rrugës se vjetër Kombinat- Ndroq - Plepa, Loti 4, -240 milionë lekë.
Rikonstruksion i rrugës se vjetër Kombinat- Ndroq - Plepa, Loti 5, -340,4 milionë lekë.
Rikonstruksion i rrugës se vjetër Kombinat- Ndroq - Plepa, Loti 6, -300 milionë lekë.
Rikonstruksion i rrugës se vjetër Kombinat- Ndroq - Plepa, Loti 7,  -42, milionë lekë.
Stabilizimin e rrëshqitjes ne aksin Librazhd - Qafe Thane, (Dragostunje), -490 milionë lekë.

Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, gati në 2028-ën

Ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi u ndal edhe tek projektet hekurudhore, që do të marrin mbështetje financiare për vitin që vjen.

“Transporti hekurudhor 9.49 mld lekë buxhet, financimi i huaj është 73%, jemi të bazuar kryesisht në financimin e huaj me grante dhe kredi. Projektet hekurudhore të mbështetura me financim të huaj për periudhën 2027-2029 arrijnë në 62.6 miliardë lekë, prioriteti kryesor është avancimi i korridoreve strategjike, Vorë-Hani i Hotit, Durrës-Rrogozhinë, Durrës-Tiranë-Rinas”, tha ministri.

Sa i takon hekurudhës Tiranë-Durrës dhe devijimi në Rinas, ministri sqaroi në komision se projekti ka nisur i paplotë ndaj dhe punimet ende nuk janë mbyllur. Kjo linjë hekurudhore pritet të jetë gati për qytetarët në vitin 2028.

“Kur është miratuar projekti, është miratuar vetëm shina treni që të çonin nga Tirana në Durrës, pa stacione, pa depo, pa elektrifikim. Më vonë u miratuan stacionet, aktualisht jemi në 70% të stacioneve të realizuara, shinat janë në 90% punimeve fizike të realizuara, dhe komponenti i fundit elektrifikimi, huaja është marrë, tenderi është realizuar dhe presim miratimin e kontratës. Më pas do të duhen 14 muaj për të realizuar elektrifikimin, më pas mund të themi që projekti është realizuar. Ndërsa projektet e reja hekurudhore, janë të plota me të gjitha këto elemente”, tha Karakaçi.

Në 2027-ën studimi për Aeroportin e Gjirokastrës

Faza e parë për realizimin e Aeroportit të katërt të vendit që do të jetë në Gjirokastër do të nisë në 2027-ën. Fillimisht aeroporti u parashikua për tu ndërtuar në Sarandë, por vendndodhja e tij do të jetë Gjirokastra dhe në projektbuxhetin e ardhshëm janë parashikuar fondet për projektimin e tij.

“Në transportin ajror në 2027 hapim një perspektivë të re për jugor e vendit duke financuar me 230 milionë lekë për studimin e fizibilitetit për aeroportin e Gjirokastrës”, tha Karakaçi.

Në programin e politikave prioritare, fatura për këtë projekt është përllogaritur në 34 milionë euro.

Porti i ri tregtar në Porto Romano, 9.9 mld lekë vitin tjetër

Porti i ri Tregtar i Integruar i Durrësit ne Porto Romano Faza I, është parashikuar të mbyllet brenda vitit 2029, me vlerë 47,1 miliardë lekë, në vitin që vjen i merr nga buxheti për vitin e ardhshëm 9,94 mld lekë.

“Në transportin detar, vijon të jetë i financuar porti i ri tregtar në Porto Romano, faza e parë, me synim për ta zhvilluar. Nuk kemi qenë të suksesshëm në dy faza prokurimi, por ky është vizion i qeverisë shqiptare për të vijuar me këtë projekt”, tha Karakaçi.

Tenderi për Portin e Ri tregtar në Porto Romano u anulua gjatë këtij viti pasi kompania e vetme që mbeti në garë u tërhoq  dhe nuk paraqiti ofertë financiare. Në Porto Romano do të ndërtohet edhe Baza e NATO-S, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit me 1 miliardë lekë.