Akuzat
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo është ai që ka akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se me luftën politike që i ka shpallur këtij institucioni po dëmton interesat e qytetarëve të kryeqytetit pa dallim bindjesh politike. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo, i bëri thirrje kryeministrit të zhbllokojë buxhetin e bashkisë së Tiranës, i cili në këtë gjendje, sipas tij, pamundëson financimin e ndërtimit dhe rikonstruksionit e shumë objekteve të rëndësisë së parë për jetën e kryeqytetasve. “Në emër të Bashkisë së Tiranës, i bëj thirrje Edi Ramës t’i japë fund luftës politike me Bashkinë e Tiranës dhe të ndalë dëmin e pallogaritshëm që kjo luftë u shkakton interesave të qytetarëve të Tiranës, pa dallim bindjesh politike.
Parada për sukses të miratimit të buxhetit e Edi Ramës, mbetet thjesht dhe vetëm propagandë politike, pasi në realitet bllokimi është e vetmja vepër e tij”, ka deklaruar Bozo. Ndërkohë që ka përmendur edhe një sërë investimesh të tjera që nuk mund të kryhen, si dhe pengohet shpronësimi i tokës për varrezat e kryeqytetit. “Bllokimi i buxhetit pamundëson financimin e ndërtimit dhe rikonstruksionit të 69 shkollave të mesme, çerdheve dhe kopshteve për vogëlushët e Tiranës, të instalimit të ngrohjes në 100% të çerdheve dhe kopshteve dhe 90% të shkollave të mesme. Bllokon financimin e ndërtimit të 82 km rrugë të reja dhe 128 mijë m² sipërfaqe e gjelbër. Me bllokimin e buxhetit është pamundësuar financimi i shpronësimit të tokës për varreza dhe projektit të rehabilitimit të tyre”, theksoi Bozdo.
Ragimi
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Prefektit të Tiranës, Sadi Vorpsi i cili ka kërkuar që Bashkia të merret me qytetarët dhe jo me politikë, ndërsa ka theksuar se duhet të rishqyrtohet edhe një herë zëri i buxhetit që ka të bëjë me shpronësimet. “Dëshiroj t’i bëj edhe njëherë thirrje Bashkisë së Tiranës, që të rregullojë zërin e shpenzimeve të shpronësimeve dhe vetëm më pas, puna mund të vazhdojë normalisht. Kërkoj bashkia të mos merret me politikë, por me interesin qytetar, pasi qytetarët janë të parët” ka pohuar prefekti Vorpsi.
Sa i përket buxhetit të shpronësimeve, kreu i prefekturës pohon se “Shuma e përllogaritur nga ish-qeveria Berisha nuk përputhet me shumën e vënë në dispozicion nga kryetari, Lulzim Basha. Problemi me këtë mospërputhje mes Berishës dhe Bashës qëndron te fakti se të cënuarit dhe ata që vuajnë në fund janë qytetarët”, theksoi prefekti Vorpsi. Sipas tij, nuk duhet të nisë prishja e objekteve pa u përcaktuar fondi i shpronësimit për banorët e zonës pranë ish-stacionit të trenit.
Shkrimi u publikua sot (27.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)