Buxheti 2025/ Koçiu: Mbështetje 62 mijë familjeve me ndihmë ekonomike, financojmë për herë të parë paketën e fertilitetit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sonte në Kuvend se “buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 2025, është ndërtuar posaçërisht për të mbështetur më shumë se kurrë më parë qytetarin, familjen, gruan dhe fëmijën”.

Në fjalën e mbajtur në seancën plenare, Koçiu tha se “ky është një buxhet që rrit mbulimin universal, mbështet kurimin dhe parandalimin pranë shtëpisë, e që gjithashtu mbështet luftën kundër varfërisë, përjashtimit social apo papunësinë".

Ajo theksoi se buxheti 2025 për MSHMS-në mbështet nënat me shumë fëmijë, fëmijët jetimë, viktimat e dhunës, personat me aftësi ndryshe, invalidët e punës, ish-të përndjekurit, të moshuarit, familjet e reja, si dhe të gjithë qytetarët, pa dallim midis tyre.

“Është më i larti ndonjëherë për MSHMS në historinë e shtetit shqiptar. Rreth 3-fish më i lartë buxheti i shëndetësisë në një dekadë dhe pothuajse 3 herë më i lartë buxheti ynë i ombrellës sociale. Ai i 2025-s është gjithashtu buxheti i paketës më të madhe të investimeve në sektorin e shëndetësisë si dhe buxheti që mbështet zgjerimin e mëtejshëm të reformës së Autonomisë Spitalore. Me buxhetin 2025, për herë të parë do të jemi në gjendje që të financojmë 100% dhe pa kosto programe të reja, si programi i fertilitetit për çiftet e reja”, theksoi ajo.

Koçi tha se do të forcojnë programet e depistimit dhe parandalimit, në dobi veçanërisht të gruas dhe fëmijëve si dhe do të garantojnë rritjen e mëtejshme të pagave dhe përfitimeve për punonjësit e sistemit shëndetësor.

“Buxheti 2025 është parashikuar të jetë në 103 miliardë Lekë ose rreth 1 miliardë e 50 milionë euro. Tejkalimi i barrierës së 1 miliardë euro është një arritje e paimagjinueshme nëse kthehemi disa vite më parë. Është fakt se e kemi nisur transformimin e realizuar 10 vjet më parë me një buxhet prej 300 milionë eurosh. Ndërsa krahasuar me buxhetin e vitit që po mbyllim, buxheti i ri është 5% më i lartë”, nënvizoi ministrja.

Duke u ndalur te shërbimi parësor, Koçiu evidentoi se do të rrisin mbështetjen për shërbimet parandaluese dhe të diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve si dhe realizimin e mëse 7.6 milionë vizitave të parashikuara në sistemin parësor.

Koçiu deklaroi se “fishat e diabetit do të vijojnë të rimbursohen për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç, PAK dhe invalidët e punës. Do të vijojmë të financojmë kontrollin bazë për grupmoshën 35-70 vjeç si dhe do të mbështesim rimbursimin e barnave për rreth 400 mijë qytetarë, me një vlerë totale prej pothuajse 130 milionë eurosh. Krahasuar me vitin e mëparshëm, edhe në këtë drejtim rritja është prej 5%”.

Sa i përket shërbimit të kujdesit dytësor, ministrja Koçiu theksoi se buxheti i ri do të mbështesë mbi 317 mijë pacientë që pritet të marrin trajtim në 5 spitalet terciale, 12 spitalet rajonale dhe 27 spitalet bashkiake.

“Do të vijojmë të mbështesim trajtimin me dializë të 1.500 qytetarëve që kanë nevojë për këtë trajtim jetëshpëtues. Vijojmë të financojmë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë me 10 mijë përfitues në QSUNT, në Shefqet Ndroqi dhe 2 Spitale Rajonale. Do të mbështesim zgjerimin e transplantit të veshkave, paketën e kataraktës, radioterapinë dhe shumë shërbime të tjera. Si dhe për herë të parë këtë vit do të mbështesim gratë që luftojnë betejën me kancerin e gjirit për rikonstruksionin e gjirit dhe mbështetjen e tyre me peruke”, vijoi ajo.

Më tej, ministrja Koçiu theksoi se në fushën e Mbrojtjes Sociale janë dedikuar pothuajse 300 milionë euro nga buxheti i shtetit.

“Për vitin 2025 mbështesim, 62 mijë familje me skemën e Ndihmës Ekonomike, 91 mijë persona me AK, kujdestarë e invalid pune me skemën e Aftësisë së Kufizuar, bonusin e bebes me një vlerë financimi prej 2.3 miliard lekësh si dhe mbështetje për gratë kryefamiljare me 3 fëmijë me vlerë financimi 800 milion lekësh”, tha ajo.

Një ndër pikat kyçe të këtij buxheti janë investimet në përmirësimin e infrastrukturës dhe në modernizimin e mëtejshëm të shëndetësisë. Ministrja Koçiu tha se “kantiere që hapen për herë të parë në vitin 2025 janë, ndërtimi i godinës së re multifunksionale të Spitalit Rajonal Korçë, rikonstruksion i godinës së Djegie-Plastikës në QSUNT, i Maternitetit të Spitalit Fier, i Maternitetit Spitali Shkodër si dhe rikosntruksioni i disa pavioneve në spitalet e vendit”.

”Buxheti 2025 mbështet transformimin e mëtejshëm të shëndetësisë shqiptare, përmes fuqizimit të mjekut, infermierit, rritjes së mbulimit universal dhe modernizimit të mëtejshëm të spitaleve dhe qendrave tona shëndetësore”, përfundoi  Koçiu.


Lajmi kryesor:

Buxheti 2025 në Kuvend 12 orë diskutime/ Rama: 100 - 150 euro bonus për pensionistët në fundvit, marrin edhe në pranverë! S'rrisim taksat! PD: Mashtrim, i shërben oligarkëve, sjellin në seancë flamurin serb


Xh.K/E.B/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari