Buzëqeshja e Nënë Terezës dhe një veprim nga Xheni Karaj

Buzëqeshja e Nënë Terezës dhe një veprim nga Xheni Karaj

Dje kujtuam 110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, shenjtores shqiptare më të njohur në botë. Një krijesë që vjen rrallë në planet e që për fat e rastësi fliste gjuhë  tonë: shqipen. Nënë Tereza qante, qeshte, në shqip.

Foto dhe thënie të Nënë Terezës mbuluan dje komunikimin mbarëshqiptar. Krenaria dhe patriotizmi, siç ndodh shpesh në këto përvjetore, gufuan me të drejtë zemrat bashkëatdhetare kudo në botë. Fjalime, dedikime e fotografi zbukuruan rrjetin e bisedat online. Jemi me fat të kemi si popull një frymëzuese të jashtëzakonshme si Nënë Tereza, por a bëjmë dhe jemi realisht si ajo thotë? Ose, edhe pak fare nga ato që Nënë Tereza thotë?

Disa nga publikuesit e thënieve dhe momenteve më të bukura të Nënë Terezës ishin të veçantë: Në shumë poste të mësipërme, të mëparshme, disa prej tyre ishin plot urrejtje, fjalë të këqia, akuza shabllon, fjalë të rënda për të tjerë njerëz, kryesisht njerëz që nuk e mendonin njësoj në aspekte politike e sociale. Fjalë të rënda dhe ofendime të parafabrikuara, gjykime e paragjykime të cilat ndikojnë në përkeqësimin e bashkëjetesës mes shqiptarësh, sidomos në vitet e fundit, sidomos në rrjete sociale.

Pra, këta shqiptarë, të ndikuar nga të tjerë shqiptarë, vepronin ndryshe nga sa Nënë Tereza thotë sa i takon dashurisë në vend të urrejtjes. Por fatkeqëisht është pikërisht kjo e fundit që përpiqet të zërë vend e të bllokojë nëpër shtëpi, zyra, kafene, rrjete sociale qindra prej nesh. Të paralizuar e të mbërthyer nga zilia apo urrejtja, në vend të dashurisë, mirënjohjes apo mirëkuptimit për çfarë na rrethon, shumë  vazhdojnë të mbjellin e kultivojnë intriga e ligësi. Për mungesë të dashurisë si element kryesor, shumë prej nesh humbin kohë, duke iu hequr çaste të çmuara fëmijëve, familjes, të afrëmëve, miqve dhe punëve të mira.

Nënë Tereza është vlerësuar shumë lart, ashtu siç është sulmuar egër nga kundërshtarët e saj: Po! Eshtë quajtur me fjalët më të ulëta e vulgare që mund të gjenden në rrjet apo krahasuar me bashkëpunëtorët më të ngushtë të Hitlerit, por përballë të gjithave gruaja shqiptare mendonte si e si në jetën e saj të ndihmonte e adoptonte sa më shumë fëmijë të braktisur apo të strehonte, lante e ndihmonte më të përbuzurit e të përbuzurve; ata që askush nuk i merrte, nuk iu afrohej, në Indinë e varfër e kudo ku hapi misionet e saj. Në jetën e saj, kundër asaj që bëjmë përditë ne, Nënë Tereza nuk gjykoi askënd: as ata që e sulmuan, as të pasurit e të fuqishmit e botës. U kritikua se qëndronte në krah njerëzish mondanë si Ledi Daiana, apo pasanikësh e liderësh të diskutueshëm. E pra, Nënë Tereza kishte vetëm një mision: Të dhuronte sadopak jetë dinjitoze, dashuri për të fundit e botës dhe për ta bërë këtë kishte nevojë për zemrat e të gjithëve, sidomos për kontributet e të gjithëve pavarësisht ngjyrave, shtresave apo kombësive.

Shumë vullnetarë dëshmojnë punën e jashtëzakonshme të bërë në strukturat e Nënë Terezës kur prisnin, kuronin e u jepnin ngrohtësi, strehë e mjekime njerëzve… si nënë Elefteria për shembull. Besoj e lexuat lajmin për të, e gjetur e vetme dhe e braktosur në një fshat në jug të Shqipërisë. (këtë lajm mund ta lexoni te Shqiptarja.com). Insektet dhe krimbat kishin mbushur trupin e të mëshuarës, e braktisur nga të gjithë, në një perlë të jugut ku shumë shkojnë e bëjnë pushime. Shumë u treguan indiferentë, shumë me siguri kanë mbyllur hundët dhe sytë kur kanë kaluar pranë saj, por jo të gjithë. Nuk qëndroi indiferente Xheni Karaj, e njihni vajzën që drejton lëvizjen për të drejtat e LGBT. Xheni bëri atë që çdo shqiptar i denjë, e pasardhës i Nënë Terezës bën: shkroi në rrjete sociale, por nuk mjaftoi, kontaktoi mediat dhe u bëmë bashkë dhe shteti reagoi për të ndihmuar e strehuar të moshuarën, që sot, në të 80 e saj ka kujdesin që duhet të kishte me një strehë, krevat e shërbim dinjitoz.

Nënë Tereza u sulmua nga kundërshtarët e saj sepse strukturat e saj nuk kishin luks, se kurimet nuk ishin bashkëkohore apo se jepej vetëm tetraciklinë apo paracetamol, sepse nuk bezdisi të pushtetshmit e botës e të tjera e të tjera. Por, nëse Nënë Tereza do të ishte marrë me të gjitha ato që i thanë, nuk do të kishte kohë të punonte e të ndihmonte, do të ishte një Ojf si miliona të tjera me makina luksi, zyra e superroga. E dini mirë, ka shumë të tilla dhe te ne në Tiranë. Por në fund të ditës, janë pak, shumë pa ata njerëz që preken, reagojnë dhe  ofrojnë një dush, rroba të pastra, një shtrat, ushqim e dashuri një gruaja 80 vjeçare të mbuluar nga krimbat e papastërtia në një fshat në Lukovë. Xheni Karaj e bëri pa shitur mend dhe pa u lavdëruar. Besoj se veprimi i kësaj vajze shqiptare vlen më shumë se mijëra fjalë, urime, kujtime e poezi për Nënë Terezën. Nga shumë prej nesh, një ditë para 110 vjetorit të Nënë Terezës, Xheni bëri atë që Nënë Tereza thotë: I dha dashuri një nëne të braktisur, që nuk e donte askush. Veprimet janë ato që na dallojnë, e me siguri do të ketë nga ata që do të rudhin bizët e tyre të thara nga urrejtja edhe për këtë rast. Por s'ka gjë. 

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?

Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?