Buzhala: Rama frikacak, iu ha kokën
miqve. Iu puth duart atyre që e kanë në dorë

Buzhala: Rama frikacak, iu ha kokën<br />miqve. Iu puth duart atyre që e kanë në dorë
Berat Buzhala ka bërë një shkrim kundër Edi Ramës, ku thotë se bën analizën psikografike të kryeministrit shqiptar.

Ja çfarë shkruan gazetari nga Kosova ne nje analize me titull:

"Një psikografi për Edi Ramën"

“Kryeministri Rama është politikan frikacak. Sa herë e ka punën pisk, të parat koka që i hanë janë ato të miqve të afërt – sepse për ta poshtëruar, ato edhe ia kërkojnë.

Nuk e besoj që dikush ka ditur ta përshkruajë karakterin e Edi Ramës më mirë se sa një mik i imi nga Shqipëria, përmes një postimi të shkurtër në Facebook.

Kur Rama po takonte fshatarët e Shqipërisë sa në një cep në një tjetër, ai kishte shkruar:

“Në këto takimet paraelektorale të Kryeministrit me katundarë, një gjë më bën përshtypje: Më shumë janë të trembur fshatarët e ngratë se mos i tall Kryeministri, se sa ky i fundit nga pyetjet e tyre. Në fund, kur katundarët dalin nga takimi pa u përqeshur, marrin frymë të lehtësuar”.

Ky postim ishte bërë gjatë fushatës për zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryebashkiak të Dibrës, të cilat u mbajtën për shkak se i pari i kësaj partie në këtë qytet, Shukri Xhelili, ishte kapur në flagrancë, duke i kërkuar një vajze seks, në këmbim të një vendi të punës.

Çdo lideri normal, që e ka ndërgjegjen në vend, do t’i vinte zor t’ua kërkonte votën për herë të dytë banorëve të rajonit të skandalizuar. Rama jo vetëm që ua kërkoi, por edhe ua mori, duke i parë në dritë të syrit fshatarët e trembur prej fuqisë së paskrupullt të pushtetit, që po e përdorte brutalisht Edi Rama.

Askush nuk guxonte as ta përmendte Xhelilin para Ramës, sepse ky i fundit, rrezik që do ta arsyetonte ish zyrtarin, e prapë do t’i detyronte të votonin sipas urdhrave të tij. Në njëfarë forme ishte një ilustrim praktik i fenomenit të sindromit të Stokholmit, kur i dhunuari ndien simpati dhe dhimbje për dhunuesin. Tjetër shpjegim nuk ka.

Frikësimi i fshatarëve, ose mënyra se si ata e nuhasin se duhet të janë të frikësuar para Kryeministrit, flet mjaft për një lloj deformimi serioz të Edi Ramës, në komunikim, ose në sjellje, me njeriun.

Karakteri i tij, standardet e tij të dyfishta dhe të shumëfishta, ilustrohen edhe në shumë raste të tjera. Ai është frikacak dhe tolerant para të fortëve, kurse është mizor ndaj të frikësuarve. Posaçërisht ndaj atyre që ia kanë nevojën. E nëse je Kryeministër i bie që ta ka nevojën e gjithë shoqëria.

Kështu, Rama pafuqinë e tij, politike ose njerëzore, ndaj atyre që ai i konsideron superior, ndaj atyre që ai u ka nevojën, e kompenson, e edhe e tejkalon, ndaj atyre që kanë nevojë për të.

Në kushte normale, një individ i papushtet që manifeston sjellje të tilla sociopatologjike mund të vihet nën kontroll pa pasoja të mëdha për rrethin. Komunikimi i dendur, ndërlidhja e nevojave, kontrollet dhe balancat, e sjellin njëfarë barazimi në fund të ditës.

Por kjo gjë nuk ndodh, ose ndodh me mjaft dhimbje, nëse je njëri më i fuqishëm politik në vend. Konkretisht, Kryeministri Rama, kompleksin e tij, pafuqinë e tij, ose frikën e tij, ndaj disa personave, e kompenson ndaj miliona të tjerëve, që ai i sundon.

Kështu për shembull, Edi Rama nuk i dërgon më të fala Sandrit, as nuk i hakërrehet Sokol Ballës në Top Channel, mirëpo imagjinata e tij shfrenohet tërësisht kur është në pyetje ofendimi i mediave më të vogla, i portaleve të varfra.

Rama në krye të herës, në librat e tij, e ka definuar se i duhet të këtë raporte të mira me Topin, Klanin 1, Klanin 2, Vizionin, Çilin. Kaq. Nuk ka më të tjerë. Dhe meqë nuk ka më të tjerë, ose edhe nëse janë, ata janë nëngazetarë, nënnjerëz, nënqënie. Duke qenë të tillë, ata, sipas filozofisë së mbijetesës së Ramës, meritojnë asgjë më pak se sa asgjësimin. Hë për hë, vetëm asgjësimin verbal. Varësisht prej zhvillimeve, forma e asgjësimit mund të rishqyrtohet.

Gjuha që përdor Rama ndaj kundërshtarëve të tij, ndaj mediave të pavarura, aktualisht është e aplikueshme në Turqi dhe në Shtëpi të Bardhë. Sa ironike, Rama e adhuron diktatorin në ardhje të Turqisë, kurse bën, ose bënte gjoja, që e pengon Donald Trump. Sipas një shkrimi që e lexova tash në Washington Post, në disa muajt e fundit numri i gazetarëve të arrestuar në Turqi është më shumë se sa gjysma e të gjithë gazetarëve të arrestuar në botë. Kurse Rama e admiron. Nëse ka jetë të gjatë, e nëse i jepet mundësia, do ta shprehë admirimin e tij edhe ndaj Donald Trump. Sepse është punë e karakterit të tij. Ai thjeshtë kishte menduar që Trump nuk do të fitonte, prandaj ishte nxituar.

Mirëpo për ta ilustruar Ramën nuk kemi nevojë që të udhëtojmë kaq larg.

Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, terreni i rrëshqitshëm i muajve të fundit, flasin më qartë se sa çdo gjë tjetër. Rama, arroganti dhe parimori i paepur, e ka nuhatur rrezikun që po i troket në derë. Tash, sipas traditës, Rama ua puthë duart dhe ua plotëson një për një të gjitha kërkesat, të gjithë atyre që ai mendon se e kanë në dorën e tyre fatin e tij. Deficitin e karakterit ndaj më të fortëve, prapë Rama i kompenson ndaj më të dobëtëve.

Ose, Rama është kaprec për brenda, shyt për jashtë. Duke e ditur që zgjedhjet janë afër, duke e ditur që rrethanat politike ndryshojnë sa hap e mbyll sytë, i frikësuar se mund të gjendet jashtë lojës, Rama në takime të rëndësishme, me ata që ua ka nevojën, i heq brirët. I mban vetëm veshët. Ndërsa, për ta ruajtur burrërinë, për t’u dukur i fuqishëm, i pamposhtur, i pasfiduar, brirët, atje ku janë më të mprehtit, i vë kundër qytetarëve dhe kundër gazetarëve që ai i konsideron të parëndësishëm.

Mirëpo dielli, i njohur edhe si Saimir Tahiri, me shoshë nuk fshihet. Ai qëndron aty si përmendore e dëshmisë së dobësisë së Ramës. Ai na tregon të gjithëve se sa i dobët është Rama ndaj të fortëve.

Në vigjilje të Krishtlindjeve të vitit 2014, Papa Francesku i ishte drejtuar trupit më të lartë qeverisës të Vatikanit, të njohur si Kuria Romake, me një urim aspak festiv. Ai i kishte numëruar se cilat ishin 15 sëmundjet shpirtërore të udhëheqësve.

Personazhi ynë, që të mos themi pacienti, do ta gjente vetën në përgjithësi në të gjitha pikat, por në veçanti në atë 10’të, 11’të dhe 12’të. Mbi të gjithë në këtë të fundit, të cilën Papa Francesku e kishte quajtur: Sëmundja e fytyrës funerale. Nga kjo sëmundje vuajnë të gjitha ata liderë që çehren e bëjnë melankolike dhe të vrazhdë, dhe që i trajtojnë tjerët – posaçërisht ata që i konsiderojnë inferior – me rigjiditet, arrogancë dhe vështirësi.

“Në realitet, vrazhdësia teatrore është simptomë e frikës dhe pasigurisë”, shkruan Papa Francesku.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë