Tre ndeshjet e para të javës së 9 të Superligës kanë prodhuar një lumë golash dhe rezultate befasuese. Në Ballsh, Bylisi i ka surprizuar të gjithë duke mposhtur me rezultatin 3-1 Tiranën. Bardheblutë vinin pas një fitoreje me Laçin dhe sot kërkohej vazhdimësia, por e kundërta ndodhi.

Një ish si Jurgen Goxhaj ndëshkoi Tiranën që në minutën e 5, ndërsa më pas dyfishoi Guindo. Tirana reagoi në pjesën e dytë por goli i Dungës ishte sa për statistika, pasi më pas Celis realizoi të tretin për Bylis, gol që stampoi edhe rezultatin përfundimtar. Më ketë rezultat ballshiotët marin përkohësisht vendin e parë pas edhe disfatës të Teutës.

Durrsakët kanë humbur me shifrat 3-0 kundër Laçit në transfertë, skuadrës që sot mori fitoren e dytë në kampionat. Për ekipin e Armando Cungut sot realizuan Nuaubueze dy herë dhe Xhixha.

Ndërkohë në Elbasan Arena Kukësi është rikthyer te fitoret pas katër ndeshjesh pasi ka mposhtur 4-1 Luftëtarin. Verilindorët zhbllokuan që në start me Et’hemin, ndërsa më pas realizuan me radhë Rrocaj dhe Shkurtaj ‘dopietë’.