Byrek me peta të ziera me djathë, vezë dhe kos

Përbërësit:

Për petët:

  • 3 gota miell
  • 3 vezë
  • 1 majë luge kripë
  • Ujë i vakët sa të formohet brumi

Për mbushjen:

  • 400-500 gr djathë i bardhë
  • 3 kokrra vezë
  • 200-250 ml kos i trashë
  • 3-4 lgj gjalpë i shkrirë ose vaj

Përgatitja:

Përgatisni brumin si për petë dore: përzieni miellin, vezët, kripën dhe ujin e vakët. Punojeni mirë, ndajeni në kuleçë dhe lërini të pushojnë 15–20 minuta, të mbuluara. Hapni petët me trashësi 2–3 mm, lërini të thahen pak dhe pritini në shirita rreth 4 gishta të gjerë, pastaj ndani shiritat në 2–3 pjesë. Zieni petët pjesë-pjesë në ujë të valuar me kripë për 4–5 minuta. Nxirrini dhe kalojini menjëherë në ujë të ftohtë. Më pas kullojini mirë dhe shtrijini në tavolinë. Thërrmoni djathin në një tas, shtoni vezët dhe kosin, dhe përziejini mirë derisa të krijohet një masë homogjene kremoze. Lyeni tavën me gjalpë ose vaj. Vendosni një shtresë petësh të ziera. Shtoni një pjesë të mbushjes me djathë, vezë dhe kos, spërkatini lehtë me gjalpë të shkrirë. Vazhdoni me shtresa derisa të mbarojnë përbërësit. Sipër përfundoni me petë dhe gjalpë. Piqeni në furrë të parangrohur në 180°C për 35–40 minuta, derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë.

Këshillat e Albanës: Nëse dëshironi byrek më të butë, mund të shtoni 2–3 lugë kos shtesë sipër para pjekjes. Ky byrek shkon shumë mirë edhe me djathë të bardhë duke e bashkuar me djath kaçkavall.