Dy ditë pasi pranuan të dorëzojnë 300 byzylykët elektronikë për monitorimin e të dënuarve, përfaqësuesit e kompanisë kanë marrë pjesë sot në testimin e këtyre pajisjeve. 

Ministria e Drejtësisë njoftoi se kompania që ofron shërbimin e mbikëqyrjes elektronike pranoi të dorëzojë byzylykët, sëbashku me kryerjen e procesit të kolaudimit të tyre.
 
"Sot në orën 14.30 në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, u paraqiten përfaqësuesit e kompanisë private që ofron shërbimin e mbikëqyrjes elektronike. Ata pranuan që të dorëzonin pajisjet në pronësinë e Ministrisë së Drejtësisë, dhe lejuan grupin e punës së Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë kolaudimin e pajisjet, sëbashku me ekspertët e kompanisë.

Ministria e Drejtësisë për shkak të kompleksitetit të procesit, kërkojë bashkëpunimin dhe ndihmën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, për të mbikëqyrur procesin e marrjes në dorëzim të këtyre pajisjeve dhe realizimit të procesit të kolaudimit nga grupi i punës.

Në përfundim të procedurës së koalaudimit, Ministria e Drejtësisë do të bëjë marrjen në dorëzim të këtyre pajisjeve, me qëllim garantimin e zbatimit të kontratës dhe realizimit të procesit të mbikëqyrjes elektronike sipas ligjit.

Ministria e Drejtësisë garanton se procesi i kolaudimit do të jetë i pandërprerë, me qëllim mos pengimin e funksionimit të ofrimit të shërbimit të mbikëqyrjes elektronike",
thuhet një njoftimin e MD.

Një ditë më parë Ministria e Drejtësisë deklaroi se përfaqësuesit e kompanisë nuk ishin paraqitur për të testuar së bashku funksionimin e pajisjeve. MD paralajmëroi se në rast mosfunksionimi të pajisjeve, do ndërrmerrte veprime ligjore në ngarkim të kompanisë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com