Ç’bisedoi në maj ‘73 Andrea Varfi me
Anton Pashkun e Rexhep Ismailin?

Ç’bisedoi në maj ‘73 Andrea Varfi me<br />Anton Pashkun e Rexhep Ismailin?
Një udhëtim në Gjakovë i dy poetëve shqiptarë Natasha Lako e Andrea Varfi,  në maj 1973,ishte vënë në vëmendjen e sigurimit të shtetit për shkak të disa takimeve atje me autorë kosovarë të padëshiruar për regjimin. Mes tyre ishte Anton Pashku, Rexhep Ismaili, Azem Shkreli, etj...

Informacioni mbi këtë udhëtim te dy poeteve shqiptarë  në Gjakovë  në mitingun e poezisë, është përgatitur nga Drejtoria e V-të e Sigurimit të Shtetit, e cila kishte në fokus të punës së saj marrëdhëniet e Shqipërisë me botën e jashtme. Informacioni nga të dhënat që jep lë përshtypjen se është vjelë nga punonjësit e sigurimit nga poeti Andrea Varfi, pasi në raport jepen të dhëna mbi takimet e tij me Anton Pashkun Rexhep Ismajlin etj, dhe përshkruhen në detaj bisedat me karakter politik që janë bërë mes tyre. Bën përshtypje raportimi i bisedës me Anton Pashkun, si një prej përfaqësuesve tw voksistëve, të cilët ishin shprehur hapur kundër metodave të realizmit socialist.

Në raportin e Sigurimit për takimin me Pashkun veçojmë: “Për artikullin “Vox clamantis i deserto”, duke bërë be e rrufe, ai (Anton Pashku) është munduar t’i mbushë mendjen Andrea Varfit se nuk e kanë aspak me realizmin socialist, siç zhvillohet në Shqipëri, por vetëm me disa shkrimtarë kosovarë pa talent, që, sipas tij, valëvitin si flamur metodën e realizmit socialist. Por, sidoqoftë, Andrea Varfi nuk shpreson që ai të heqë dorë nga rruga e tij. Shoku Andrea ka marrë vesh se njërën nga veprat moderniste të Anton Pashkut e ka ngritur shumë lart organi fashist i Ernest Koliqit “Shejzat”, me një shkrim të firmuar gjoja nga një italian, por që në të vërtetë, siç ka pohuar Hasan Mekuli, është i arratisuri në Bashkimin Sovjetik Vangjel Gjeçi, i cili vete e vjen shpesh nga Moska në Romë....”

Po kaq “shije të hidhur” iu ka lënë shefave të Sigurimit edhe takimi me Rexhep Ismajlin për çështjet e gjuhës standarde, që sipas Ismailit gjithë procesi i ndjekur  ishte i panatyrshëm dhe i imponuar zyrtarisht.

Në raport veçojmë këtë fragment nga biseda e Andria Varfit me Rexhep Ismajlin: “Rexhepi është shprehur kundër gjithë procesit të zhvillimit të gjuhës letrare, duke lënë të kuptohet se ky nuk ka qenë një proces i natyrshëm zhvillimi, por i imponuar zyrtarisht. Bile edhe Konferencën e viteve ’50 për Gjuhësinë dhe Kongresin e Drejtshkrimit i ka cilësuar si dy mitingje pa vlerë shkencore. Është shprehur se e ardhmja i takon gegërishtes se duhet ruajtur infinitivi etj”.
Dokumentin e plotë hartuar me 29 maj 1973, nga drejtoria e v-të e Sigurimit të shtetit, dy javë pas vizitës së dy poetëve në Kosovë, e sjellim të plotë si më poshtë bashkë me faksimilet e tij.  
 
 Dokumenti i plotë
 
INFORMACION
 
Mbi qëndrimin në Kosovë të Andrea varfit dhe Natasha Lakos, poetët tanë që morën pjesë në Mitingun e Poezisë në Gjakovë
 
Nga 10 deri më 15 maj, të ftuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës për të marrë pjesë në Mitingun e Poezisë që organizohet çdo vit në Gjakovë, qëndruan në Kosovë dy poetët tanë, Andrea Varfi dhe Natasha Lako. Nga relacioni i tyre del që ata të jenë pritur dhe trajtuar mirë kudo në Kosovë dhe u është dhënë mundësia për të kryer një numër aktivitetesh me vlerë. Të tilla janë recitimet, bisedat për poezinë dhe artin militant, diskutimet me letrarë të ndryshëm për pikëpamjet ideoartistike dhe politike të kohës etj. Ata ndër të tjera pohojnë se gjatë recitimeve në Miting për dy poetët tanë janë rezervuar duartrokitje të mëdha, shpesh me shumë këmbëngulje u është kërkuar të recitonin pjesë të tjera dhe janë përcjellë me brohoritje të stuhishme nga e gjithë masa e ngritur në këmbë.
Pas mitingut turma populli, të rinj e të reja u janë afruar, u kanë shtrënguar duart me shumë entuziazëm. Tre të rinj i janë hedhur në qafë Andrea Varfit dhe e kanë puthur. Njerëz të ndryshëm, ndër ta pedagogë etj., janë shprehur: “Poezia juaj është poezia jonë; poezi shqiptare; është poezi e jetës, poezi që merret vesh dhe jo ajo që shkruajnë shumë nga këta tanët këtu, të cilën nuk e merr vesh askush, bile as ata që e shkruajnë”.
Gjatë qëndrimit në Kosovë ata janë takuar me letrarë të ndryshëm si Anton Pashku, Hasan Mekuli, Rexhep Ismaili, Vehbi Kikaj, Azem Shkreli, Esat Mekuli, Ivzi Sulejmani etj.
Andrea Varfit në këto takime i është dhënë rasti të bisedojë për probleme të ndryshme, të cilat të përmbledhura po i parashtrojmë më poshtë:
Me Anton Pashkun, duke parë pikëpamjet e tij moderniste dhe kroçiane (sipas Benedetto Kroçes), ndonëse pa e ditur që në fillim se kishte të bëjë me një nga përfaqësuesit e voksistëve, ka bërë një bisedë të gjatë në të cilën i ka shpjeguar thelbin reaksionar të kroçizmës, duke e ballafaquar me kritikën revolucionare të Antonio Gramshit dhe duke shpjeguar bazuar në estetikën marksiste se për çfarë ka nevojë letërsia shqiptare dhe cilat modele nuk i shërbejnë asaj. Gjatë këtyre bisedave A. Pashku është shprehur i bindur për shumë gjëra si për një letërsi me taban kombëtar etj., por pa hequr dorë plotësisht nga mënyra e tij e krijimit.
 
Për artikullin “Vox clamantis i deserto”, duke bërë be e rrufe, ai është munduar t’i mbushë mendjen Andrea Varfit se nuk e kanë aspak me realizmin socialist, siç zhvillohet në Shqipëri, por vetëm me disa shkrimtarë kosovarë pa talent, që, sipas tij, valëvitin si flamur metodën e realizmit socialist. Por, sidoqoftë, Andrea Varfi nuk shpreson që ai të heqë dorë nga rruga e tij. Shoku Andrea ka marrë vesh se njërën nga veprat moderniste të Anton Pashkut e ka ngritur shumë lart organi fashist i Ernest Koliqit “Shejzat”, me një shkrim të firmuar gjoja nga një italian, por që në të vërtetë, siç ka pohuar Hasan Mekuli, është i arratisuri në Bashkimin Sovjetik Vangjel Gjeçi, i cili vete e vjen shpesh nga Moska në Romë. Prandaj edhe na duket i drejtë mendimi i Andrea Varfit se rrënjët e kësaj rryme duhen kërkuar më thellë dhe në një plan që i kapërcen çështjet letrare.
Me Rexhep Ismailin ka diskutuar për probleme gjuhësore të planit politik. Rexhepi është shprehur kundër gjithë procesit të zhvillimit të gjuhës letrare, duke lënë të kuptohet se ky nuk ka qenë një proces i natyrshëm zhvillimi, por i imponuar zyrtarisht. Bile edhe Konferencën e viteve ’50 për Gjuhësinë dhe Kongresin e Drejtshkrimit i ka cilësuar si dy mitingje pa vlerë shkencore. Është shprehur se e ardhmja i takon gegërishtes se duhet ruajtur infinitivi etj.
Këto pikëpamje të tij janë kritikuar dhe janë cilësuar si shumë të dëmshme për çështjen tonë dhe pastaj i është rekomanduar, që për këto çështje të sqarohet më mirë me profesor E. Çabejn, që ato ditë sapo kishte arritur në Prishtinë.
Me Vehbi Kikën kanë diskutuar për çështjet e krijimtarisë së Gjergj Fishtës. Andrea Varfi ka sqaruar arsyet e një trajtimi të tillë të klerikut në shërbim të Austro-Hungarisë dhe akademikut në shërbim të Italisë fashiste, për anën konservatore dhe patriarkale të krijimtarisë së tij, se si e shfrytëzon figurën e tij Vatikani etj.
Me Esat Mekulin dhe Hivzi Sulejmanin, të dy të sëmurë dhe të moshuar, gjatë vizitës që i ka lënë shumë të kënaqur, duke parë se e ndjenin veten pak si të mënjanuar nga problemet e letërsisë dhe aktiviteti i shoqatës, kanë biseduar për qëndrimin e pensionistëve në vendin tonë, të cilët nuk shkëputen kurrë nga shoqëria dhe sektorët ku kanë punuar. U kanë thënë se nuk duhet të rrinë mënjanë. Edhe shokët e shoqatës kanë pranuar se nuk janë treguar sa duhet të vëmendshëm ndaj tyre dhe se këtë gjë do ta ndreqnin në të ardhmen. Pastaj kanë diskutuar për luftën kundër izmave në vendin tonë dhe ata janë shprehur se janë dakord me këtë luftë.
Nga takimi me redaktorët e të gjitha revistave të Kosovës, kanë parë se këtyre institucioneve nuk u shkojnë me rregull të gjitha organet tona korresponduese. Për këtë gjë redaktorët janë ankuar shumë dhe kanë thënë se rregullimi i kësaj çështjeje do t’i ndihmonte shumë. Ata janë shprehur për shtimin e kontakteve reciproke më të shumta midis organeve të ndryshme të shtypit, me anë të vizitave me dobi të përbashkët etj.
Nga bisedat me Nazmi Rahmanin (romancier) kanë dëgjuar disa përshtypje për udhëheqësit e Kosovës. Kështu p.sh. për Veli Devën ka thënë se ai ka luajtur një rol me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave të kosovarëve dhe se ka simpati në popull dhe se largimi i tij, ndonëse me përgjegjësi më të larta në Federatë, ishte në dëm të Kosovës. Kështu edhe për Fadil Hoxhën. Për M. Bakallin nuk është shprehur me ndonjë simpati të veçantë. Për UDB është shprehur me urrejtjen më të madhe. Shkrimtarët serbë Ivo Andriq dhe Qosiq i ka cilësuar si antishqiptarë të vendosur. Këta dhe shumë shkrimtarë të tjerë serbomëdhenj, pasues të Rankoviçit, vazhdimisht derdhin lot hidhërimi se gjoja po “shkombëtarizohet Kosova”.
Nga bisedat me këta dhe me shumë të tjerë shokët tanë kanë konstatuar se njerëzit në Kosovë, bile dhe shumë anëtarë të LK, të neveritur nga propaganda dezinformuese dhe demagogjia revizioniste, nga gogoli i fuqive të mëdha që vendosin mbi fatet e botës, nga korrupsioni dhe vjedhjet sistematike, krijimi i një borgjezie të re, që e quajnë “borgjezia e kuqe” etj., etj., kanë pësuar një farë deziluzioni rreth vetë socializmit, pa mundur të diferencojnë “socializmin specifik” të komprometuar të Jugosllavisë.
Një serb rreth të pesëdhjetave, që i doli përpara në një nga rrugët e Pejës, duke i thënë Andreas se ne jemi të njohur që nga koha e luftës dhe se ai është një kushëri i Miladin Popoviçit, është shprehur kështu: “...Erdha t’ju përshëndes nga zemra dhe t’ju heq kapelën juve shqiptarëve dhe udhëheqësve tuaj, sepse shkoni përpara në rrugën që duhet. Sa për ne mos pyesni...” etj.
Gjatë takimeve me nxënësit e dy shkollave të mesme, një profesor i frëngjishtes i ka thënë Andreas frëngjisht: “Lum ju atje; ne këtu nuk kemi liri as të shfaqim mendimet tona, kur nuk u venë për shtat jugosllavëve”. Po kështu një rojë i TEC-it në Obiliq me lot në sy i thotë: “E, more vëlla, ju punoni për vete. Tokat tona mbetën djerrë. Djemtë na shkojnë në Gjermani ... Nuk kemi asnjë rregull. Vetëm disa jetojnë mirë, shëtisin me kerra...” etj.
Udhëheqësit e shoqatës kanë bërë disa propozime si për të shtuar sa më tepër shkëmbimet e delegacioneve, për botimin e sa më shumë veprave të dy palëve në të dy vendet dhe të njihen autorët me lexuesit etj.
 
Tiranë, 29.05.1973
Drejtoria V

dosier
 
 
 Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë