Situata në vend vijon të jetë kaotike për shkak të reshjeve të dendura të shiut, që ‘pushtuan’ gjithë Shqipërinë dy ditët e fundit. Situata më e rënduar paraqitet në jug të Shqipërisë, ku lumenjtë e mëdhenj kanë dalë nga shtrati, duke lënë nën pushtetin e ujit shumë zona.

Vlorë situata vijon të rëndohet në orët e para të mëngjesit, ku si pasojë e reshjeve të dendura gjatë natës ka rritur nivelin e ujit në lumin Vjosa. Si pasojë, lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje masive në zonat përreth. Fillimisht janë çarë argjinaturat në Mifol dhe Bisan, duke bërë të mundur që uji të vërshojë në fshatrat Novoselë, Mifol, Fitore e fshatra përreth tyre.

Ndërkohë, janë evakuuar 40 familje në orët e para të mëngjesit nga Forcat e Armatosura në fshatin Ferras dhe Mifol. Po ashtu shumë banesa në këto zona janë përmbytur nga uji. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, pritet që në lumin Seman e Vjosë të rritet niveli i ujit çka do të shkaktojë daljen nga shtrati.

Fier: Dalja nga shtrati i lumit Vjosë ka krijuar panik jo vetëm në Vlorë, por edhe në Fier. Situata paraqitet tepër e rënduar edhe në këtë qytet, ku disa zona ndodhen nën ujë. Lumi Vjosë ka dalë dhe ka përmbytur toka e banesa, kryesisht në zonat Kashisht, Cervene, Ferras. Deri më tani janë evakuuar 63 familje, të cilët janë dërguar te të afërmit e tyre, ndërsa vazhdon vërshimi i ujit në banesa. 


Berat: Tërhiqet gjatë natës lumi Osum në Berat. Ndërprerja e reshjeve të shiut ka sjellë uljen e prurjeve të lumit. Gjatë gjithë natës situata në lagjen Goricë është mbajtur nën kontroll, ndërkohë që reshjet janë ndërprerë dhe kanë sjellë ulje të prurjeve. Gjithë rrugët e qytetit janë të zhytura në baltë dhe uji po largohet nga pedonalja e qytetit. Bashkia ka vënë në punë të gjithë punonjësit për pastrimin e pedonales dhe rrugës.

Korçë: Dalja nga shtrati i lumit Devoll, dhjetëra punonjës të shtabit të emergjencës dhe të FA-së, punonjës të ARSH-së po punojnë në terren. Situata e agravuar, por nën kontroll për momentin, pasi edhe reshjet kanë pushuar. Po punohet fillimisht për hapje të kontrolluar në portat anësore për të shmangur dëme në njerëz dhe ekonomi.

Prefekti Spirollari: Hapja e kontrolluar. Nuk mund të hapim direkt portat, pasi rrezikojmë dëme kolosale. Hapja e menjëhershme e portave do shkaktonte viktima në njerëz dhe dëme kolosale në ekonomi, pasi prurjet e lumit janë shumë të mëdha.

[gallery]24994[/gallery]

d.c./shqiptarja.com