TIRANË- Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit do të vonojë më shumë se vitet e kaluara, për shkak të fletës së re të votimit, ku përveç votave të ardhura për partinë, do të numërohen edhe ato për kandidatët. Anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Dritan Caka në një intervistë për Report Tv, në emisionin 'Sot Live në Shqipëri', u shpreh se ky proces do të jetë më i gjatë se zakonisht, por shtoi se në fund e rëndësishme është që të respektohet vullneti i çdo qytetari të Shqipërisë.
"Procesi i numërimit të votave do të jetë më i gjatë se zakonisht, por nuk ka rëndësi shpejtësia po rezultati, që çdo votë të numërohet siç ai ka shprehur vullnetin e tij", tha Caka për Report Tv.
KQZ-ja duket se ka qenë në një "luftë" me kohën sa i përket fletës së votimit për shkak të vonesave në miratimin e saj, e më pas me pretendimin e kompanisë sllovene se nuk mund t'i printonte në kohë nëse ajo do të ishte me emra. Megjithatë, Caka ka konfirmuar për Report Tv se ato do të mbërrijnë në Shqipëri brenda datës 22 prill.
"Duke pasur në konsideratë dhe komunikimet me kompaninë sllovene dhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor me numra, brenda datës 22 prill të jenë fletët e votimit. Nëse do kishte një vendimmarrje tjetër të Kolegjit, kjo mund ta vështirësonte procesin, dhe mund të kërkonte më shumë kohë. Nga komunikimet e fundit që KQZ ka pasur me kompaninë është garantuar që fletët e votimit do të jenë të gatshme për 25 prillin", tha Caka.
Ai ka sqaruar qytetarët, kryesisht ato të pavendosurit se kujt do i japin votën, në çdo qendra votimi dhe dhomën e fshehtë do të ketë fletëpalosje ku do të jenë të përcaktuar emrat e kandidatëve të secilës parti dhe numrin që i korrespondon në çdo fletë votimi.
"Mund të jetë pak më e vështirë identifikimi i numrit dhe kandidatit që i korrespondon. Do të afishohen për çdo parti listat përkatëse me numrin dhe emrin korrespondues, e njëjta gjë do të ndodh edhe në dhomën e fshehtë", përfundoi Caka për Report TV.