Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, mori pjesë në takimin e Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun, në Barcelonë. Fokusi i këtij Forumi ishte konsolidimi i bashkëpunimit euro-mesdhetar në tre shtylla kryesore: zhvillimin e burimeve njerëzore, stabilitetin e përgjithshëm shoqëror dhe politik dhe integrimin e mëtejmë rajonal.
Kreu i diplomacisë shqiptare përmes një komunikimi në Facebook ka nënvizuar se “Shqipëria nëpërmjet kryesimit të Grupit të Kontaktit të Mesdheut synon rritjen e ndërveprimit mes vendeve të këtij rajoni dhe Ballkanit Perëndimor në fusha si forcimi i rolit të gruas në shoqëri, veprimi i përbashkët për ndryshimet klimaterike dhe përfshirja më shumë e të rinjve në politikat zhvillimore në përgjithësi.”
Gjatë takimeve të zhvilluara në kuadër të këtij Forumi, Ministri në Detyrë Cakaj ka ftuar përfaqësuesit e lartë të vendeve të Mesdheut për të marrë pjesë në Konferencën e Grupit të Kontaktit të OSBE-së që do të zhvillohet në datat 24-25 tetor në Tiranë.
“Shqipëria vazhdon të intensifikojë angazhimet e saj diplomatike dhe forcojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare" tha Cakaj. Cakaj gjatë pjesëmarrjes ai ka zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Portugalisë, Augusto Santos Silva.
“Një bashkëbisedim fare i hapur dhe i frytshëm me Ministrin e Jashtëm të Portugalisë, Augusto Santos Silva, për të siguruar mbështetjen për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE pas pak ditësh”- është shprehur Cakaj. Ministria e Jashtme thekson se Shqipëria vazhdon punën e saj intensive në sigurimin e një mbështetje sa më të gjerë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Komente












