TIRANË- Për Gjykatën Kushtetuese emërimi ose shkarkimi i një ministri është kompetencë e 3 organeve kryesore, Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit me dakordësi me njëra-tjetrën. Në vendim e Gjykatës Kushtetuese thuhet se presidenti mund ta kthejë emërimin e një ministri, por duke respektuar luajalitetit në një marrëdhënie ndërinstitucionale. Sipas GJK, të tre këto institucione kanë kompetenca në procesin e emërimit dhe të shkarkimit të ministrave, por duke respektuar afatet dhe balancën mes pushteteve (check and balance).

" Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga  parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve", thuhet në vendim. 

Ky vendimi është marrë ditën e sotme, pas kërkesës së bërë nga kreu i qeverisë Edi Rama pas përplasjes që pati me Metën për mos-dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Rama i kërkoi Gjykatës Kushtetuese zgjidhjen e mosmarrëveshjes si edhe një interpretim përfundimtar të nenit 98 që flet për kompetencat për shkarkimin dhe emërimin e një ministri.

Kushtetuesja pranoi pjesërisht kërkesën e kryeministrit, kjo për faktin se aktualisht mosmarrëveshja është zgjidhur, ku Cakaj nuk është më ministër i Jashtëm, e ndërsa interpretoi nenin 98 ku në vendim lihet e hapur mundësia që Kuvendi dhe Presidenti të refuzojë një propozim të kryeministrit për ministër.

 Vendimi i arsyetuar duhet të publikohet brenda 5 ditëve nga publikimi i këtij vendimi.

"Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
- Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
- Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
       - Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga  parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
       - Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
       - Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e  kritereve  dhe cilësive kushtetuese  për këtë funksion.
       - Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese,  brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.  

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar", thuhet në njoftim. 

Si ndodhi përplasja Rama-Meta?
Kreu i shtetit, Ilir Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm, pas largimit të Ditmir Bushatit, me argumentin se Cakaj është shprehur kundër politikave të qeverisë shqiptare përsa i përket idesë së korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë dhe se certifikata e sigurisë e marrë prej Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar qe bërë “në shkelje të ligjit”. Një vendim i tillë për qeverinë ishte tejkalim i kompetencave nga ana e presidentit. I gjendur përballë situate, Rama e mori vetë detyrën e ministrit të Jashtëm dhe më pas i delegoi kompetencat zv.ministrit, Gent Cakaj.