Cakaj në Gjermani: Bundestag mbështet Shqipërinë për çeljen e negociatave

Cakaj në Gjermani: Bundestag mbështet Shqipërinë për çeljen e negociatave

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në vizitën e tij zyrtare në Berlin, u takua me Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag, Günther Krichbaum. Në takim merrnin pjesë edhe deputetë të tjerë të angazhuar me procesin e Integrimit Evropian, si znj. Katja Leikert, z. Christian Petry, z. Carl Julius Cronenberg, z. Joachim Valenski dhe z. Manuel Sarrazin.

Ministri në Detyrë Cakaj, u shprehu mirënjohje parlamentarëve për kontributin e gjithanshëm që Gjermania i ka ofruar Shqipërisë si në procesin e Integrimit Evropian, ashtu edhe në reformat e thella që ka ndërmarrë Shqipëria në drejtësi, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. 

Ministri në Detyrë Cakaj, paraqiti një tablo të hollësishme të ecurisë së procesit të vetingut dhe punën që po bëjnë institucionet e reja të drejtësisë gjatë tre mujorit të fundit. 

“Ngritja e strukturave të reja gjyqësore konfirmon rrugën e pakthyeshme të reformave dhe suksesin e procesit të vetingut. Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet për të merituar një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave”, tha Ministri në Detyrë Cakaj.

“Vendimi pozitiv i Këshillit në qershor do t’i japë një hov të ri jo vetëm proceseve të reformave brenda vendit, por do të shërbejë më së miri për të krijuar një sinergji të re bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe do të forcojë stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, theksoi Kryediplomati shqiptar.

Kryetari i Komisionit Krichbaum u shpreh se Bundestag ndjek me shumë interes dhe vëmendje të shtuar ecurinë e prioriteteve të dakordësuara për çeljen e negociatave me Shqipërinë, me në fokus krijimin e institucioneve të reja të reformës në drejtësi si dhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Krichbaum vlerësoi me nota pozitive veprimtarinë e komisionit të pavarur të kualifikimit, në përputhje me pritshmëritë e palës gjermane. 

“Republika Federale e Gjermanisë ka mbështetur dhe do vazhdojë të mbështesë procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë”, u shpreh Krichbaum.

Përfaqësuesi i të gjelbërve, Manuel Sarrazi, u shpreh se: “Ne i kemi premtuar Shqipërisë çeljen e negociatave me kushtin e përmbushjes së pesë prioriteteve. Mendoj se Shqipëria ka bërë një progres të prekshëm dhe ashtu sikundër ata kanë realizuar premtimin e tyre, tani është detyrë e jona të mbajmë premtimin e dhënë.

Përfaqësuesi i CDU-së, Valenski, duke vlerësuar gjithashtu arritjet e deritanishme të reformës në drejtësi ftoi qeverinë shqiptare për rritjen e angazhimit me rezultate të tjera konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë bashkëbisedimit, Ministri në Detyrë Cakaj dhe parlamentarët shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet më të fundit në Ballkanin Perëndimor. Interes i veçantë iu kushtua marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje dhe bashkëpunimit rajonal në optikën e procesit të ​Berlinit. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë