GJERMANI- Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndodhet në Gjermani, për të ndjekur punimet e Konferencës së Sigurisë së Mynihut. Pak para nisjes së kësaj Konference, Ministri në Detyrë Cakaj zhvilloi disa takime, me fillimisht me homologun e Omanit, Yusuf bin Alaëi bin Abdullah dhe më pas me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov.
Në takimin me homolgun e Omanit, Cakaj e falënderoi për mbështetjen e dhënë në njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ata janë dakordësuar për një veprim të mëtejshëm të përbashkët për të lobuar për njohjen e Kosovës edhe nga shtete të tjera. Nëpërmjet një reagimi në facebook sa i përket takimit të zhvilluar, Cakaj theksoi: “Po ashtu, folëm për finalizimin e një varg marrëveshjesh dypalëshe për të shtuar konsultimet diplomatike dhe rritur ndërveprimet ekonomike.”
Ndërsa në takimet me Presidentin dhe Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, tema qendrore e diskutimit ishte mbi prespektivën evropiane të dy vendeve dhe reformat e ndërmarra në kuadër të çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian. Cakaj u shpreh në një reagim në Facebook se këmbyen mendimet e bashkërenduan qëndrimet për punën para vendimit për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është e një rëndësie të veçantë për nxitjen e reformave të brendshme dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi!”- përfundoi statusin e tij në facebook Ministri në Detyrë Cakaj.