Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditën e hënën, në datë 13 korrik do të shkojë në Hagë për t'u marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale për akuzat që janë ngritur kundër tij për krime lufte. Kreu i shtetit të Kosovës përmes një postimi në Facebook shkruan se Prokuroria Speciale e ka thirrur për ta marrë në pyetje.

"Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore. Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte.

Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit. Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju faleminderit për përkrahjen tuaj! Zoti e bekoftë Kosovën" tha ai.

Dy javë më parë Prokuroria Speciale në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Presidenti Thaçi tha se do të japë dorëheqjen nëse akuzat konfirmohen.