Ndryshimet e paralajmëruara të ligjit për industrinë Call Center nga shteti italian rrezikojnë seriozisht ekzistencën e rreth 25 mijë të punësuarve në këto kompani në Shqipëri.
 
Kreu i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka thotë se ligji në fjalë dëmton rëndë Shqipërinë, ndërkohë që zor t’i vijë në ndihmë Italisë. Sipas tij, shteti italian duhet t’u japë 2-3 vite kohë kompanive për t’u larguar nga Shqipëria, për të zbutur efektet për ekonominë tonë. 

Të paktën nga informacionet kam marrë unë edhe në tendencën që shoqatat lobuese kanë bërë në Itali për të kaluar këtë ligj në parlament dhe pritet të ratifikohet në senat,  ka pasoja dhe konsekuenca për sipërmarrjet shqiptare të call center-ave. Unë shpresoj që tendenca e këtyre sipërmarrjeve të jetë për të diversifikuar portofolin e tyre dhe urojmë që senati apo edhe ligji të përcaktojnë një afat të paktën për një periudhë 2-3 vjeçare, të mos jetë e menjëhershme në mënyrë që diversifikimi por njëkohësisht edhe mundësia që u jepet këtyre të punësuarve të ketë në një afat të mjaftueshëm për të gjetur edhe mundësitë e tyre”, tha Jaka.
 
Jaka fajëson politikën shqiptare për këtë dëm të drejtpërdrejtë ndaj sipërmarrjeve tona. Ai thotë se politika shqiptare duhet të ketë një qëndrim të unifikuar në përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pa i vënë shkopinj nëpër rrota këtij procesi.

"Ne i bëjmë një thirrje politikës shqiptare të heqë dorë nga dosjet e dyfishta, të heqë dorë nga kundërshtitë dhe kërkesat për mospranim apo por mos hapje të negociatave, të bashkohen e të jenë të unifikuar për të shërbyer sipërmarrjes dhe qytetarit shqiptar sepse ky është rasti më evident, ky është rasti më transaparent që troket te veshët dhe dyert e politikës shqiptare që ju duhet të jeni të bashkuar për të unifikuar qëndrimin tuaj për të kritikuar dhe për të bërë oponentin, por kur bëhet fjalë për të prezantuar interesat kombëtare në Bruksel dhe për të avancuar dhe përshpejtuar interesat e integrimit dhe të anëtarësimit ju duhet të jeni me një dosje”, u shpreh Jaka.

Jaka thotë se zor që këto kompani të kthehen në Itali, por me shumë gjasa do të zhvendosen në drejtim të Bullgarisë apo Rumanisë, që janë në BE, por ofrojnë treg pune të ngjashëm çfarë ofron tregu Shqiptar.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com