Por sot, kur vepra e Martin Camajt është botuar e plotë falë përkujdesjes së studiuesit Bardhyl Demiraj, ky shkrim merr një vlerë të veçantë dhe i shërben jo vetëm studiuesve e të interesuarve rreth veprës së Camajt, por edhe lexuesve të thjeshtë.
Kjo pasi Camajt, siç thotë edhe nxënësi i tij Hans Joakim Lanksch, “u shpreh vetëm rrallë herë për letërsinë e vet”. Por veç kësaj, një vlerë të veçantë kanë edhe mendimet e tij për gjuhën, gegnishten dhe reformat gjuhësore që po ndërmerreshin në Tiranën e viteve ’70-të.
Shënime të përgjithshme mbi “varg librash letrarë” Nga Martin Camaj
Shumë pikëpamje i kam shprehë në dy prospektet të kompletit I dhe II. Këtu po jap vetëm disa njoftime skematike mbi format e përmbajtjen që më duket se janë të nevojshme nëse ndokush shkruen edhe nji shënim të vogël mbi këto vepra.
1. Të pesë vëllimet donë marrë si cikël temash që për t’i përpunue ashtë dashë nji kohë nja tridhetvjeçare. Vëllimi i 5 (poezi, 1953-1967) ashtë dashë të vëhet në vendin e parë: pra do lexue për së pari. Kritika ka shkrue prej fillimit se tema ime ashtë malësia gja që ashtë e vërtetë, por askush nuk e ka vu re se kjo temë ashtë zgjanue gjithnji e ma tepër. Dikush e ka përcaktue poezinë time shì për këtë arsye kinse ‘rustikale’, nga se në tê po u trajtuekan rrethana ambientale fshatare e malësore: nëse arsyetohet kështu atëherë mbarë letërsia shqipe na qenka rustikale prej Naimit këndej që temën rustikale e qet deri në titullin e kryeveprës së vet: Bagëti e bujqësi. Temës dhe atmosferës të vendlindjes s’i kam ra kurrë moh dhe këtë e kam përcaktue qysh në poezinë e parë në “Kanga e vërrinit” (tash në vëllimin 5 në fillim të fillimit Tingujt e parë.)
Tue nisë prej atmosferës landore të vendit tim, sikur janë gurët dhe toka e djegun prej diellit, e kam hapë tematikën. Ndjesitë e njerëzve ndërrojnë, sepse edhe unë kam ndërrue tash 34 vjet jashtë vendit. Kam mësue shumë sende dhe kam pasë përvoja të ndryshme: gjithë këto pasqyrohen në veprat e mia letrare.
Ma vonë, mbas ardhjes në Itali rashë në kontakt me natyrën e Italisë së jugut e sidomos me traditat gjuhësore e kulturore të arbëreshëvet. Nuk janë dy pole të kundërta ambientesh: malësia dhe Italia e jugut. Tue marrë në pikëpamje të përfytyrimit ambienti i dytë ashtë nji plotësim, me fjalë tjera zgjanim, për mos me thanë zëvendësim i botës shqiptare që çdo njeni prej nesh e ka harrue mjaft. Pra, Shqipnia e Veriut dhe Italia e banueme prej arbëreshëvet janë si sfonde ku zhvillohen ngjarjet që paraqes në veprat e mia, bile vetëm ngjyra e atyne vendeve sepse në fantezinë time ashtë shndërrue gjithçka... me thanë “shndërrue” ashtë tepër, por sidoqoftë unë nuk jam ‘realisti’ letrar si donë me qenë ndjekësit e realizmit socialist. Jam e kundërta dhe ai realizëm nuk më flen në zemër.
2. Mbasi nuk jam ‘realist’ në këtë kuptim si thashë, unë e ndërroj landën, me fjalë tjera i jep asaj tjetër ngjyrë. S’kam nevojë me e paraqitë malësinë ashtu si ashtë ose ishte. Unë due me thanë diçka ma tepër: për këtë shkruej. Mbrendë ka mendime filozofike, simbole gjithfarësh. Grueja që del shpesh në veprat e mia nuk ashtë vetëm objekt seksi, por edhe diçka ma tepër: dheu që bie fryte, simboli i nji qenie o ideje që të shpëton prej duersh dhe s’e shtin aq lehtë në dorë (shih: shetitë e Agonit e të Soses). Po qe se Sosja nuk do të ishte simbol, magji, diçka të cilës s’i shihet filli, vetëm nji malësore e thjeshtë, për mue nuk do të ishte interesant: nuk do të më kishte inspirue me e shkrue kurrë nji histori aq të gjatë mbi tê. Tipike e transformimit letrar tek unë ashtë Dranja që nganjëherë sillet edhe si femën e vërtetë.
Kjo ashtë vepra ma e vështira që kam shkrue në jetën time: qenia e saj ndërron aq sa unë për vete e kam harrue njimijë herë se jam tue mendue përmbi nji breshkë: mbrendë ashtë lufta për jetë, ravgimi prej nji vendi në vend; simbolikisht në breshkën paraqiten rrethana ku njeriu e ndien veten të fyem, të lanun mbasdore, breshka si rrashtë len me nënkuptue se ndoshta vetëm mbasi të kalbemi në dhé ka me na dalë vlera në dukje: kemi me shkëlqye si ashti i breshkës si krahët në flokët ndoj vajzës së bukur! Natyrisht se lexuesit tanë (sadopak këtu jashtë) nuk janë mësue me lexue shkrime të tilla. Mirë po unë nuk mundem me shkrue me urdhën që të më kuptojnë të gjithë e shpesh njerëz që nuk ia kanë ba shërbimin e punës për të mësue se çka ashtë arti. (Pa marrë parasysh shkallën e kulturës këto vepra i kuptojnë ata që dinë shqip.)
3. Plot sende e rrethana përsëriten tek unë, por janë gjithnjë diçka tjetër. Vajza e Dakut në “Rrungaja në mars” ndokuj mundet me i përkujtue Sosen në Rrathë. Gurët, përshkrimi i borës e i shiut, zogjtë dalin gjithkund, nganjëherë si të mbulueme në nji mjegull sepse i kam kujtim. Mundem me u mburrë se unë natyrën e kam pasë dhe e kam në të gjitha veprat, nuk ashtë modë si për disa shkrimtarë modernë evropianë që janë mërzitë në beton të qyteteve e tash përshkruejnë natyrën, shpesh herë fort keq pse nuk janë rritë në tê.
Po shprehem në mënyrë polemike me qëllim me i dhanë shkas vetes të diftoj se si i shoh unë punët.
4. Forma ka ndërrue prej Poezive (1953-67) vazhdimisht. Ka ndërrue edhe gjuha, sepse e kam ndjekë zhvillimin e saj edhe pse gjuhën e kam si zanat. Këtu mundet me u thanë se unë jam përpjekë të ndjek këtë zhvillim edhe në shkrimet e mia. Pjesë kryesore e formës sidomos në poezi ashtë gjuha vetë; ajo ashtë jo vetëm ngjyra e veprës letrare, por edhe përmbajtje. Reformën gjuhësore që ka ba Tirana e pranoj deri aty ku mundet me ba kompromise nji gegë që e njeh historinë e shqipes e të kulturës së saj. Por edhe ata që i thonë vetes ‘tradicionalistë’ (ose gegnisht ose tosknisht) duhet ta pranojnë se ekvilibri mes dy varianteve të shkrueme të shqipes ashtë prishë prej përziemjes që kanë ba në Tiranë: shartimi i tosknishtes në gegnishte. Gjuha ime ashtë pak a shum ajo variante që shkruhej në Shkodër në vjetin 1968.
Unë jam krejt i bindun se kam mbajtë qëndrim të drejtë dhe besoj se atë ditë në të cilën shqiptarët kanë me thanë fjalën e vet lirisht mbi këtë pikë kanë me më dhanë të drejtë, pa marrë para sysh a kanë me ndjekë qëndrimin tim ose atë të Tiranës. Së paku këtë jam i bindun: vetëm me nji gjuhë që ka rrajet e veta në popull munden me u shkrue vepra letrare të vlershme. Tradita nuk mundet me u marrë nëpër kambë si nji petk që veshet e zdeshet si mbas andjes të nji vetje ose klike. Nuk kam dashë me e shprehë këtë mendim me anë traktatesh ose deklaratash të thata (ndonëse as këtë sjellje të ndershme nuk e nënçmoj) në gazeta ose revista; unë po përpiqem ta dëshmoj këtë në praktikë. Vetëm kaq për sa i përket gjuhës.
Tue e thjeshtësue dhe sqarue atë që shkrova deri këtu:
5. Rryma letrare ashtë e llojllojshme, simbas landës që kam trajtue. Në të gjitha veprat theksohet simbolizmi që shprehet në prozë si në poezi me mjete autoktone gjuhësore (thanje e frazeologji shqipe popullore) e përftyrime të kulturës popullore shqiptare, si janë fytyrat e besimet mitologjike. Kuptimi i veprave të mia vështirësohet edhe nga rrethana se lexuesit shpesh nuk e njohin këtë kulturë apo pajë shpirtnore shqiptare. U muer vesh se në këtë simbolikë analogjia, aluzioni, përkujtimet e pavetëdijshme shtrihen përtej skajeve të botës shqiptare dhe ndërlidhen me letërsinë e lashtë e të re botnore. Meqenëse nisem prej përvojës jetësore time, pejzazhi i vendlindjes ashtë zgjanue në kohë, por si bazë mbeten viset jugore. Bjeshkë e vrri shndërrohen ma vonë në jug e veri.
6. Temat qendrore janë: njeriu, natyra. Përshtypjet e mia përqendrohen në tragjikën e vetjeve ku del në shesh dashunia e urrejtja. Fate që merren ashtu si janë, pa ngashërim, janë gjakmarrja, lufta, me një fjalë revolucioni dhe mërgimi. Faktori “kohë” nuk përcaktohet: Agoni në “Rrathë” e humb relacionin e kohës, ai s’di në fund sa vjet ka kalue në Ripë tue pritë gjithnjë kthimin në qytet apo civilizim. Relacionin e kohës e humb dhe protagonisti në novelën “Katundi me gjuhë të fshehtë”. Mjaft besnikisht ndahet koha në çdo ngjarje në ditë e natë, sidomos në kohët e ditës: mëngjes, mjesditë, muzgë e mbrame, por edhe në stinët e motit. Koha – ashtu si dhe si hapësia e ndame në bjeshkë e vrri, veri e jug – i ndan njerëzit, i pengon të bashkohen. Edhe konfliktet shoqnore pasqyrohen në kundërshtitë që pjellin mes dy breznive. Shembull: Agoni e Baci. Andaj dhe moshat njerëzore losin rol të madh në marrëdhanjet tona.
7. Një ndër problemet ma me randësi në krijimin tim letrar ka qenë: si t’i thjeshtësoj ngjarjet e ndjesitë e mia. Njehja e tyne në mënyrë realiste, as me qenë tue shkrue biografinë për mue nuk ashtë art. Natyrisht se çdo artist, si thashë, niset prej përvojës së vet. Nuk kam qenë kurrë aq i pakrypë me qitë ndjesitë e ngjarjet e jetës sime të idhëta e të gëzueshme troç, pa i shndërrue dhe stërhollue sa mos me i njohë as vetë. Nëse ndokush prej gjurmuesve të letërsisë ka me kërkue elementa autobiografikë në veprat e mia, ai hyn në pyll pa sëpatë sepse unë kam qëllimue gjithnjë me gjetë përftyrime e formula që përfshijnë ndjenja e ndjesi të shumta, të miat e të tjerëve. Këtë nënkupton edhe titulli “Njeriu më vete e me tjerë”.
8. Nga puna shkencore kam nxanë me i lidhë elementat e ndryshëm në një sistem, andaj në pesë vëllimet e botueme mundet me u pa lehtë se ata që kam dashë me thanë, jam përpjekë ta organizoj e ta lidh me fille filozofike. Kam metodën time, temat dhe gjuhën apo stilin tim që nuk mund të imitohet lehtë.
“Karpa” e mbyll këtë cikël.