Cana: Lazio të rikthehet nga derbi, ne shqiptarët krenarë për Strakoshën

Cana: Lazio të rikthehet nga derbi, ne shqiptarët krenarë për Strakoshën

Lorik Cana, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha kur të tre luanin me Lazion

Lorik Cana është rikthyer të flasë për Lazion, ish-skuadrën e tij në Itali. Për mikrofonin e “Radio Incontro Olympia”, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka komentuar eliminimin e Lazios nga Europa League, paraqitjen e Strakoshës dhe pragderbin roman.


(Shkrimi i Radio Incontro Olympia)

SALZBURGU  – “Natyrisht, humbja e së enjtes ka të ngjarë të peshojë. Mundësia për të arritur në gjysmëfinale të Ligës së Europës nuk ndodh gjithmonë për Lazion. Kemi shkuar afër gjysmëfinales edhe pesë vjet më parë, me një kundërshtar, nëse jo të njëjtin nivel me Salzburg, pak më lart. Nëse nuk do të kishte qenë ai arbitër…Gjithashtu, na mungonin shumë lojtarë themelorë, si Klose. Por, tani ndodhi që kundërshtari të ishte inferior, se ndeshja e parë ishte fituar, por pastaj nuk u kualifikuam.

Dhe ky është një zhgënjim i madh. Kam luajtur tri çerekfinale, dy me Marsejën, por gjithmonë jam eliminuar. Ende i kujtoj ato momente. Është një keqardhje”.

MARSEILLE DHE LAZIO – “Unë i kam parë të dyja ndeshjet, më pak Lazion. Ju e dini se jam rritur në klubin francez dhe ndiej dashuri të madhe për ta. E kam uruar klubin marsejez për kualifikimin, sepse më ka bërë të përjetoj atmosferën e të luajturit me Cisse, Niang, Ribery…

Unë, gjithashtu, pashë Lazion dhe nuk besoja, sidomos pas 1-0, që do të eliminohej. Në fund, megjithatë, austriakët kanë dhënë diçka më shumë në drejtim të dëshirës dhe urisë për të triumfuar”.

DERBI I KRYEQYTETIT – “Është një ndeshje unike. Lazio është në një pozicion të mirë në renditje, është ndër protagonistët e ligës italiane, një nga skuadrat më të bukura, të paktën këtë edicion.

Nuk e kuptoj pse tani duhet të mungojë diçka në drejtim të entuziazmit dhe motivimit, për ta përgatitur derbin. Natyrisht, humbja në Europë është një barrë, por duhet përqendrim në funksion të sigurimit të një vendi në katër të parët e Seria A.

Lazio ka treguar se mund të jetë atje. Dallimin, përfundimisht, do ta bëjnë ata që duan më shumë të shkojnë në Europë dhe të mbeten të përqendruar në objektiv.

Lazio mund ta bëjë këtë, edhe nëse Roma vjen nga një moment më i mirë. Thjesht, mendoni për të gjithë punën e bërë deri më tani. Dhe, pastaj, nuk ka motivacionin më të madh: stadiumi “Olimpico” do të jetë i plotë, me shumë tifozë të Lazios”.

THOMAS STRAKOSHA – “Ai ka një rritje të madhe, sidomos nga këndvështrimi i përvojës. Thomas është një djalë i ri, por në këtë moshë mbron si titullar portën e Lazios.

Veç kësaj, është edhe një nga lojtarët më të rëndësishëm në ligë. Shpresoj të mos ketë ndonjë rënie në afat të gjatë. Por, falë besimi që Inzaghi i ka dhënë, Strakosha i ka dëshmuar Lazios se ka një xhevahir në duart e saj.

Ne jemi shqiptarë, me fat dhe krenarë që kemi dy portierë të pabesueshëm në ekipin tonë kombëtar, si Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha. Kjo, në kombëtaren tonë nuk kishte ndodhur kurrë.

Sipas mendimit tim, Lazio ka një nga dy portierët më të fortë të Seria A. Dhe Thomas është vetëm 23 vjeç. Natyrisht, të enjten mund të kishte bërë më shumë, por nuk mendoj se potenciali i tij duhet të vihet në diskutim”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë