Cani:Muajt e fundit ekonomia u rrit
Huaja 250 milion € s'është shtesë

Cani:Muajt e fundit ekonomia u rrit<br />Huaja 250 milion € s'është shtesë
TIRANE - Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha sot se Ministria e Financave së bashku me Bankën e Shqipërisë nuk mund ta ndajnë se kush e ka përgjegjësinë, por edhe kënaqësinë në ecurinë apo problemet që ka kreditimi i ekonomisë në tërësi.
 
I ftuar në konferencën ndërkombëtare: ”Kredia për ekonominë dhe diversifikimi i burimeve për zhvillimin e biznesit”, organizuar nga Instituti Kanadez i Teknologjisë (CIT) dhe Qendra për Kërkime Inovative dhe Zhvillim (CIRD), kreu i Financave Shqiptare evokoi një historik të kreditimit të ekonomisë dhe të biznesit, duke theksuar se “kreditimi i ekonomisë është po aq i rëndësishëm për vendin sa edhe qeverisja”.
 
“Një ekonomi e pa kredituar zbeh shumë rezultatet e zhvillimit të vendit, sidomos kur rreth 80 për qind e PBB realizohet nga sektori privat - tha z. Cani, duke shtuar se “nga viti 2008, ndodhemi në një situatë tkurrje të kreditimit, me disa sinjale pozitive të dy tremujorëve të fundit për një rigjallërim, por akoma modest” dhe se “Qeveria nuk e ka lënë asnjëherë pas dore kreditimin e ekonomisë, që në ditën e parë të ardhjes në pushtet, edhe pse ajo nuk jep vetë kredi dhe nuk ka ndikim në industrinë huadhënëse”.
 
Duke folur për rolin dhe detyrën e rëndësishme të qeverisë për krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e kreditimit, Shkëlqim Cani u ndal në tre drejtime kryesore në të cilat është fokusuar Qeveria Shqiptare lidhur me rritjen e kreditimit të ekonomisë.
 
Cani tha se aspekti makroekonomik, ai ligjor dhe fiskal janë fushat ku janë përqëndruar përpjekjet e të gjithë aktorëve për të siguruar një ndryshim të gjendjes ekzistuese dhe gjetur zgjidhjet që çojnë përpara zhvillimin ekonomik të vendit.
 
“Reformat e plota dhe të thella në ekonomi, që lidhen me sektorët e energjisë, ato të skemës së pensioneve, të territorit, të arsimit apo në fushën fiskale dhe legalizimin e pasurive të paluajtshme, janë disa nga angazhimet strategjike të Qeverisë për të ndikuar në forcimin e qëndrueshmërisë makroekonomike”- tha z. Cani, duke renditur disa nga rezultatet e këtyre reformave.
 
Ministri i Financave tha se është ndalur përfundimisht rënia e rritjes ekonomike dhe po stabilizohet rritja e qëndrueshme, janë paguar e vijojnë të paguhen detyrimet e prapambetura, duke shlyer afër gjysëm miliardë dollarë detyrime të prapambetura.
 
Ministri u ndal edhe në efektin që duhet dhe mund të kishin dhënë në ekonomi, por sidomos në përmirësimin e kredive nën standarde, të quajtura rëndom edhe si “kredi të këqija” shlyerja e këtyre detyrimeve të ligjshme dhe shtoi se Ministria e Financave së bashku me Bankën e Shqipërisë, por edhe institucione ndërkombëtare si Banka Botërore, po shikojnë mundësinë e studimit të këtij fenomeni. Ministri ftoi akademikët dhe universitetet ta shikojnë këtë fushë edhe si pjesë konkrete të punimeve të tyre shkencore.
 
“Politikat e kujdesshme për stabilizimin makroekonomik dhe konsolidimin fiskal ulin riskun për investime afatgjata dhe kjo i shërben klimës për investime dhe sigurisë afatgjatë të çdo investitori dhe çdo huadhënësi”- tha Cani në këtë konferencë shkencore. 
 
Duke u ndalur në aspektet ligjore që janë marrë në konsideratë nga Qeveria Shqiptare për të përmirësuar kreditimin e ekonomisë, z. Cani tha se “në bashkëpunim të ngushtë me sektorin bankar, u bënë rregullime për çështjen e write-off, si një rregullim që nuk e zgjidh çështjen, por është një përmirësim teknik që duhet të shkojë në krah me standardet”.
 
Në fjalën e tij ministri i Financave u ndal edhe tek përmirësimet në Kodin e Procedurës Civile për ekzekutimin e kolateralit, duke theksuar se tregu i shitblerjes së kolateraleve është i pazhvilluar dhe kjo e ka rritur riskun për bankat.

“Ne jemi të gatshëm për të dëgjuar propozimet konkrete legjislative (kur them këtë, nuk nënkuptoj vetëm ide, por propozime konkrete ligjore, të shkruara nga ekspertët më të mirë që bankat mund të ofrojnë), jemi gati të marrim dhe diskutojmë çdo  propozim që do të na ofrohet”, - tha ministri.
 
Duke u ndaluar më gjatë në aspektin financiar të mbështetjes që Qeveria Shqiptare iu ka ofruar dhe ofron bankave tregtare, ministri Cani tha se janë nënshkruar marrëveshje me FMN dhe BB, të cilat kanë përmirësuar imazhin e vendit, duke bërë që vlerësimet nga agjencitë ndërkombëtare të jenë pozitive dhe në përmirësim, gjë, sipas tij, sjell uljen e riskut për vendit dhe krijon një klimë më të mirë për kreditimin dhe rritjen e investimeve.
 
Ndërsa ka përmendur rregullin për moskrijim të detyrimeve të reja të papaguara, si një element pozitiv në vlerësimin e riskut të kredimarrësve për punët publike (“nuk do të ketë më vonesa pa afat për pagimin e punëve të kryera në kontratat me shtetin”- tha z. Cani), ministri i Financave ka lajmëruar se ka përfunduar huamarrja për buxhetin e shtetit në vlerën e 250 milionw eurove, me garanci të BB për 200 milionw euro, me qëllim të lehtësimit të bankave për kreditim të sektorit privat.
 
“Në mënyrë që t’i lëmë më shumë hapësirë bankave për kreditim të sektorit privat dhe jo vetëm të financimit të huamarrjes publike, vendosëm që, duke respektuar kufirin e miratuar për borxhin publik të vitit 2015, një pjesë të tij, ta zhvendosim nga “me burime të brendshme” në “me burime të jashtme”, sa kohë që kjo alternativë është me shumë interes dhe zbut presionin ndaj bankave për financimin e buxhetit”- nënvizoi ministri Cani.
 
Më pas në këtë konferencë shkencore u trajtuan çështje të rëndësishme të politikave aktuale të Ministrisë së Financave dhe të Qeverisë Shqiptare që kanë të bëjnë  strategjinë kundër informalitetit, në një tërësi fushash e sektorësh të rëndësishëm të ekonomisë dhe të biznesit, të cilat janë duke u zhvilluar në front të gjerë për formalizimin e ekonomisë. U përcaktua se ky është kursi i ri i qeverisjes për të forcuar shtetin dhe krijuar klimë për biznes të ndershëm.
 
Ministri Cani, në këtë konferencë shkencore tha se, së bashku me Bankën e Shqipërisë, kanë zhvilluar një takim me bankat dhe institucionet mikrofinanciare, ku janë diskutuar problemet e kreditimit të ekonomisë. “Me FMN dhe BB gjithashtu kemi piketa të vendosura për ndryshime në të ardhmen, sepse duam që situata të ndryshojë, vendi të karakterizohet nga optimizmi, njerëzit të respektojnë rregullin dhe ligjin, shteti të jetë transparent dhe në shërbim të qytetarit dhe bankat të jenë aktorë të fuqishëm”, - tha në përfundim të fjalës së tij z. Shkëlqim Cani.
 
Në vijim në konferencë u theksua se kërkohet një rol më i madh i komunitetit akademik të vendit, që duhet të përfshihet në analizat për dobishmërinë e politikave që lidhen me financimin e zhvillimit të vendit, përdorimin dhe orientimin e instrumentave të borxhit dhe të depozitave për këtë financim, duke bërë që politika monetare e autoritetit qëndror monetar, së bashku me politikat fiskale dhe ato makroprudenciale të koordinohen midis tyre për një qëndrueshmëri financiare dhe minimizim të efekteve negative.
 
Konferenca, e cila do të zhvillohet për dy ditë më rradhë, do të trajtojë edhe një sërë çështjesh të tjera që kanë në fokus financimin e zhvillimit dhe politikat që duhet të stimulojnë këtë financim. 
 
Më poshtë fjala e plotë ministrit të Ekonomisë, Shkëlqim Cani
“Nuk dua të flas në emër të bankës së Shqipërisë sepse ju do të mendoni që ne duam të kapemi me të. Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të për kreditimin. Me dyer të mbyllura ne kemi realizuar një takim me të gjitha bankat dhe në qershorë do të zhvillojmë një tjetër takim edhe me prezencën e FMN-së. Qeveria ka rol të rëndësishmëm ne kreditim.

Do ndalem në 3 aspekte
1.Aspekti makro ekonomik. Që ta stabilizosh nivelin makro është një kosto shumë e madhe e cila bie në kurriz të konsumatorëve. Duhet krijuar një terren i forë që më pas të rritesh në ekonomi. Ekonomia nuk është biçiklete por është një maune, një tren i cili me zi e mer kthesë, dhe për këtë do kohën e vet. Ka rënë tempi i rënies së ekonomisë dhe tashmë është stabilizuar dhe është drejt rritjes, ka shkuar deri në nivelin 4-5. Janë marë reforma të thella, të cilat i quaj të dhunshme sepse kanë kosto dhe përfitime sepse në pjesën e parë ato kanë kosto më shumë se përfitime ndërsa përfitimet vijnë në pjesën e dytë. Reforma në energjitikë, shumë e gjerë, e cila ka filluar dhe do të vijojë më tej. Reforma e pensioneve. Reforma territoriale, e cila ka pasiguri në pjesën e parë. Reforma në arsim. Reforma në legalizime dhe informaliteti në pasuri. Reforma në aspektin Fiskal. Këto reforma në fund ulin rrisjet në ekonomi sepse kur mer kredi rrisjet duhet të jenë sa më minimale. Ndaj ne po i ulim në minimum risjet. Ne po paguajmë borxhet. Kemi paguar gati gjysëm miliard dollarë borxhe deri tani. Opinionistët e kanë diskutuar këtë dhe unë do tu përgjigjesha se ky është një detyrim dhe shteti ishte i detyruar ti paguante detyrimet e tij.   Le të vijë ndonjëri të më japë 1 milion euro dhe unë të mos ja kthej më. Debati nëse kjo pati një efekt tek kreditë e këqia apo jo është një debat akademik dhe për tu diskutuar. Qeveria ka vendosur për të ulur borxhin publik, sjell ulien e rrisjeve dhe një konsolidim social dhe kjo ishte e nevojshme të bëhej.

2.Aspekti Ligjor. Në kemi lehtësuar taksimin në lidhje me Lajtofet
Kodi i proçedurës civile në lidhje me shlyerjen e kolateralit. Ne kemi shumë probleme në shlyerjen e kolateralit. Së bashku me bankat ne shprehëm gadishmërinë që kërkesat e tyre ti shqyrtojmë dhe ti çojmë drejt zgjidhjes. Bankat duhet të na tregojnë se si zgjidhet diçka dhe jo se si bëhet. Ne jemi të hapur ndaj çdo kërkese dhe ideve për të gjetur zgjidhje s më të shpejtë. Çështja e përmbaruesve. Ata e fituan gjygjin . Ne jemi të gatëshëm ta riformatojmë udhëzimin.

3.Aspekti Financiar. Së bashku me fMN dhe BB ne jemi gati të pranojmë mbështetjen e tyre. Mjaft i vlefshëm bshkëpunimi me FMN. Na është vënë kusht që të mos krijojmë borxhe të prapambetura. Marrja e një huaje prej 250 milionë euro do të kalojë në kuvend si çdo marveshje tjetër. Kjo shumë do ti vihet në dispozicion jo vetëm pushtetit por edhe biznesit. Kjo nuk është hua shtesë, pasi një hua që do ta mernim në tregun e brendshëm po e marim jasht. Kjo kosto nuk shkon më shumë se 2.6 % dhe ne jemi duke e mbyllur atë, kohëzgjatja do të jetë 8.5 vite. Ka filluar aksioni kundër informalitetit sepse lidhet shumë me ekonominë. Në këtë luftë ne kemi dhe certifikuesit dhe hartuesit e bilanceve. Në 2015 ne do ti kontrollojmë edhe ata, që të jenë korrekt në punën e tyre.

Edhe biznesi ka hallet e veta ndaj duhet të paraqesë projekte sa më solide dhe të plota", 
tha Cani

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër