Cani: Në 30 nëntor mësojmë
vlerën e borxhit publik të shtetit

Cani: Në 30 nëntor mësojmë<br />vlerën e borxhit publik të shtetit
TIRANË - Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi gjatë ditës së sotme se, kompania "Deloitte" do të auditojë borxhet e shtetit ndaj biznesit. Cani tha se, vlera e borxhit që shteti ka ndaj biznesit do të çertifikohet në datë 30 nëntor nga kjo kompani.
 
Sipas tij, po diskutohet me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për mënyrën e shlyerjes së kësaj fatyre ndaj biznesit. Për këtë, tha Cani, kemi disa skenarë. Sipas ministrit, borxhi mund të merret në tregun e brendshëm, por nuk përjashtohet as tregu i jashtëm. Ai theksoi se, nga ana e ministrisë së Financave po shihet shlyerja me një këst e borxhit ndaj kompanive. Janë, tha ai, mbi 250 kompani që kanë aplikuar në minisitri për shlyerjen e detyrimeve ndaj tyre nga ana e shtetit.
 
Kreu i financave publike, duke shpjeguar kontratën e qeverisë shqiptare me këtë kompani, si dhe duke e cilësuar procesin si një sfidë, tha se, Ministria e Financave po përgatit hapat e tjerë për shlyerjen e borxhit ndaj biznesit. "E pamë të arsyeshme shlyerjen e borxhit, duke qënë se ky borxh godet aktorë të tjerë dhe prek rritjen ekonomike të vendit", tha Cani. Më tej, ministri Cani informoi se, procesi i auditimit do të jetë transparent.
 
Ministri Cani, po ashtu theksoi se po përgatitet projektbuxheti për vitin 2014. Sipas tij, koha është e kufizuar, por p/buxheti për vitin 2014 do të vijë në kohë në Kuvend. Në këtë drejtim, ministri Cani siguroi se, buxheti i vitit 2014 nuk do të jetë i varur nga borxhi ndaj kompanive.
 
Javën e shkuar Kuvendi miratoi me 84 vota ligjin për auditimin e financave publike. Objekti i këtij ligji është nxjerrja e rezultatit aktual dhe real të borxhit të akumuluar në vite, që ministritë kanë ndaj biznesit dhe sipërmarrjes së lirë për punët e kryera, shërbimet e mallrat e blera, si dhe përpunimi i politikave të menaxhimit për shlyerjen e këtij borxhi, nëpërmjet kryerjes së procedurave të një auditimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës.
 
Qëllimi i tij është dhënia e autorizimit për auditimin e të dhënave të zotëruara nga administrata shtetërore dhe miratimi i marrëveshjes së asistencës me audituesin e autorizuar, nëpërmjet së cilës do të rregullohen marrëdhëniet për kryerjen e shërbimit të auditimit, në përputhje me objektin e këtij ligji.
Kryeministri Edi Rama shpjegoi të enjten në seancën plenare, ku u miratua ligji për auditimin se, është mëse e nevojshme që të dihet saktë sesa është borxhi që shteti ka ndaj biznesit, me qëllim që "ky shkëmb" të hiqet nga rruga e zhvillimit dhe të nisë ngritja ekonomike reale.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Kryebashkiaku i Nju Jorkut uron shqiptarët: Do jemi gjithmonë krah njëri-tjetrit! Djali më thotë do jetoj në Shqipëri

112-vjetori i Pavarësisë/ Kryebashkiaku i Nju Jorkut uron shqiptarët: Do jemi gjithmonë krah njëri-tjetrit! Djali më thotë do jetoj në Shqipëri